Është arrestuar një i dyshuar për djegien e veturave në veri të Kosovës

Policia e Kosovës informoi se në veri të Mitrovicës është arrestuar një i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale, transmeton RTK.

Policia e Kosovës, njofton se në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale.

Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore.

Personi i dyshuar, tanimë i arrestuar dyshohej për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njesisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

“I njejti, gjithashtu është i dyshuar  edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës. Të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, njofton Policia.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se djegia e veturave me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët është akt i rëndë kriminal.

“Djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla. Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj”, ka shkruar ai në “Facebook‘.

Sipas tij organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrasturkturës kritike të republikës.

“Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”, tha ai.

Pas arrestimit të një qytetari serb nga Policia e Kosovës, i cili është i dyshuar për djegie të veturave me targa RKS në veri të Kosovës dhe për sulm ndaj Policisë së Kosovës, ka reaguar Lista Serbe.

Sipas saj, nëse nuk lirohet i arrestuari, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve.

“Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi, porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button