Tanket perëndimore mbërrijnë në Ukrainë: A do ta kthejnë ato luftën në favor të Kievit?

Tanket e para nga vendet perëndimore mbërritën në Ukrainë këtë javë – me dhjetëra të tjerë që priten në muajt e ardhshëm, raporton VOA. A do të jenë ato të mjaftueshme për të ndihmuar Kievin të largojë forcat pushtuese ruse? 

Tanket britanike “Challenger 2” janë në Ukrainë – gati për t’u nisur në betejë.

“Faleminderit shumë nga Ukraina Mbretërisë së Bashkuar, tha ministri i mbrojtjes Oleksii Reznikov.

Katërmbëdhjetë tanke Challenger po dërgohen në Ukrainë. Ministri i Mbrojtjes i Britanisë tha të mërkurën se nuk mund të spekulonte për ndonjë ofensivë të ardhshme të Ukrainës.

“Por mendoj se nuk është sekret që Ukraina është e prirur të fillojë procesin e zbrapsjes së forcave ruse. Natyrisht, forcat ruse nuk po bëjnë pothuajse asnjë përparim”, tha ministri Ben Wallace.

Gjermania konfirmoi gjithashtu se kishte dorëzuar tetëmbëdhjetë tanke të avancuara luftarake Leopard 2 në Ukrainë, me Kanadanë dhe Norvegjinë që gjithashtu dërguan disa nga Leopardët e tyre. Komandantët evropianë thonë se kjo mund të ndryshojë ekuilibrin në favor të forcave ukrainase.

“Ata po përballen me këtë lloj cunami ushtarësh, kështu që po mbajnë vijën e parë të frontit. Kur të jenë në gjendje të përfshijnë tanke më të mira si Leopardi, ukrainasit do të jenë në gjendje të depërtojnë dhe të hidhen në kundërsulm”, thotë zëvendës admirali Herve Blejean, komandant i misionit të BE-së për trajnimin.

Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Ukraina tani ka disa dhjetëra tanke perëndimore. A është kjo ndihmë e mjaftueshme për të thyer mbrojtjen ruse?

“Për momentin ndoshta kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme, mendoj unë, por është ende mjaft domethënëse. Një ose dy batalione mund të formojnë një front të mirë”, thotë Patrick Bury, analist për sigurinë në universitetin e Bath-it.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha këtë javë se forcat e tij kanë nevojë për më shumë armë perëndimore, përpara se të nisin ndonjë kundërofensivë.

“Pyetja është, a mundet Ukraina të mbrojë, përdorë dhe përqendrojë armët perëndimore me një efektshmëri të tillë sa të mund të thyejnë vijën e parë ruse të përgatitur më mirë? Nuk janë vetëm tanket, por edhe mjetet e blinduara luftarake të këmbësorisë, nga të cilat Ukraina ka marrë shumë prej tyre, me sa kuptoj unë. Ato shoqërojnë tanket. Bëhet fjalë gjithashtu për pjesët e artilerisë – fishekët që u nevojiten për armët e tyre dhe mjetet e reja të artilerisë që gjithashtu po vijnë. Pra, është mënyra se si e bashkojnë të gjitha këto për të arritur përparim”, thotë Patrick Bury.

Kushtet në terren po ndryshojnë. Ardhja e pranverës do t’i kthejë fushat e ngrira në moçale.

“Kjo thjesht i bën lëvizjet dhe manovrat më të vështira.”

Vendet perëndimore kanë premtuar dhjetëra tanke dhe armë të tjera të rënda. Sllovakia dhe Polonia po i dërgojnë Ukrainës avionët e tyre luftarakë Mig-29.

Ndërkohë Rusia thotë se po rrit prodhimin e municioneve. Inteligjenca britanike njoftoi të enjten se Moska është e gatshme të nisë një tjetër përpjekje rekrutimi – me synimin për të patur një shtesë prej 400 mijë trupash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button