Personave që nuk kanë mundësi të paguajnë duhet tu sigurohet avokat falas

Në Maqedoninë e Veriut për të siguruar qasje në drejtësi duhet të specifikohen shërbimet dhe forcimi ligjor. Kemi mangësi sa i përket dhënies së ndihmës juridike gjatë procedurës penale, pra mbrojtjes ligjore për personat që nuk kanë mundësi të paguajnë për ndihmën juridike. Ky është një nga konkluzionet e Konferencës së sotme me temë “Qasja në drejtësi, shërbime të aksesueshme dhe komunitete të përforcuara“, e cila u mbajt në Europe House, ku morën pjesë ekspertë, shkencëtarë dhe praktikues të cilët diskutuan për zhvillimet aktuale, tendencat dhe sfidat lidhur me qasjen në drejtësi, raporton Portalb.mk.

“Ne ia dalim mbanë të përforcojmë kapacitetet e tre organizatave civile të grave në vendin tonë dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë e tyre. Fondacioni “Kvinna till Kvinna” punon në një partneritet afatgjatë me organizatat e shoqërisë civile. Në të njëjtën kohë, ne ofrojmë mbështetje për kapacitetet e tyre, transferojmë njohuritë tona në mënyrë që ata të mund t’i zbatojnë me sukses projektet e tyre”, tha në fjalimin e saj Dijana Stojanovic Gjorgjeviq, menaxhere e programit të Kvinna till Kvinna.

Profesori Gordan Kallajxhiev foli për procedurën penale, gjegjësisht theksoi se ligji policor dhe ligji njerëzor nuk studiohen aq sa duhet në fakultetet juridike dhe në akademinë policore, edhe pse janë shumë të rëndësishme.

“Kroatët po bëjnë një përpjekje serioze për ta lehtësuar aksesin në ndihmë juridike falas pas arrestimit nga policia, duke anashkaluar fazën e kontrollit të gjendjes faktike të të dyshuarit, për aftësinë apo pamundësinë e tij për të paguar një avokat. Në vendin tonë kjo çështje është mjaft e paorganizuar dhe e lënë në dorë të vendimeve arbitrare të policisë dhe prokurorisë. Në Kroaci mjafton të bësh deklaratë dhe të caktojnë një avokat dhe më vonë nëse del se ke para, atëherë duhet të paguash”, tha Kallajxhiev.

Sipas tij, Kroacia ka legjislacion të ngjashëm me tonin dhe shumë më tepër përvojë, ndaj duke pasur parasysh këtë, edhe pse zgjidhjet e tyre nuk janë më të mirat, për Maqedoninë e Veriut ato janë shembull i mirë i drejtimit në të cilin duhet të lëvizim.

Në konferencë fjalim mbajti edhe Beti Peeva nga organizata “Eko”. Ajo tha se çdo ditë takon kategori vullnerable të qytetarëve.

“Organizata jonë merret me barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut që nga viti 2003. Deri më tani kemi ndihmuar më shumë se 3000 gra dhe vajza që janë viktima të dhunës. Kemi punuar me mbështetje psikosociale, por edhe me asistencë ligjore falas. Që një viktimë të jetë gati të kalojë të gjitha procedurat ligjore, duhet që për këtë të jetë e gatshme mentalisht. Dhe nëse duam të ofrojmë përforcim ekonomik, riintegrim, atëherë duhet të mundësojmë që kjo të zgjasë në afat më të gjatë”, tha Peeva.

Në konferencë folën edhe të rinjtë, të cilët i komentuan programet rinore në vend.

“Në këto 30 vite të pavarësisë ne nuk kemi mësuar se duhet të investojmë në programe rinore. 96 përqind e buxhetit të Agjencisë për Rini dhe Sport shkon për sportin, 4 përqind shkon për të rinjtë, që është gjysmë milioni euro. Vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre parave përdoret për programe rinore”, tha Bllazhen Maleski.

Ai tha se të rinjtë janë vetëm pasqyrë e të gjithë vendit.

“Nëse vendi dëshiron të ndryshojë diçka në të ardhmen e tij, duhet të bëhet një transformim që të rinjtë të realizohen në vendin e tyre. Jemi në një situatë ku kemi të rinj që presin ndryshime. Euroskepticizmi po rritet, por të rinjtë presin që duke e ndjekur rrugën e BE-së jeta në vend të jetë më e mirë- shtoi Maleski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button