Revista që ruajti gjuhën dhe kombin shqiptar

Gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar është “L’albanese d’Italia”, botuar në Napoli në gjuhën italiane dhe shqipe (arbëreshe), më 1848 nga rilindësi me famë ndërkombëtare Jeronim De Rada. Pas saj, kryesisht në kolonitë shqiptare, u themeluan edhe gazeta të tjera, në mesin e të cilave u dallua “Albania” e Faik Konicës, asokohe 20 vjeçar, që nisi rrugëtimin më 1897 në Bruksel dhe e përfundoi më 1909 në Londër. Ajo u vlerësua prej kohësh si e perkohshmja më e mirë e traditës 175 vjeçera të gazetarisë sonë.

Misioni i revistës “Albania”, që botohej në shqip, frëngjisht dhe herëpashershëm turqisht, ishte: mbrojtja e të drejtave të kombit shqiptar. Jo rastësisht, në ballinën e saj shkruhej: “Të mbahet e të rritet kombësia. Të lërohet e të zbukurohet gjuha, se gjuha është shenjë e kombësisë. Të përmirësohet gjendja e popullit, se kur është i pasur populli, kombësia mbahet e tërë, e fortë dhe e lirë”.

Në faqet e të përkohshmes botoheshin shkrime të llojllojshme: folklor, vjersha, drama, tregime, novela, ese, reportazhe, pamflete, fejtone, recensione, kritika letrare, studime gjuhësore e historike, përkthime, polemika, shkrime mbi lavditë e harruara shqiptare, të dhëna mbi dokumente të  panjohura, histori personalitetesh të shquar dhe, natyrisht:  artikuj të fuqishëm për nevojën e një ABC-je të vetme shqipe, për njësimin e dy kryedialekteve tona, që i parapriu njësimit të drejtshkrimit të shqipes.

Bindjen për rëndësinë e madhe që ka gjuha për ruajtjen e kombësisë e hasim shpesh në shkrimet e “Albanies” së drejtuar nga “Kryelëronjësi i shqipes”, “Ustai më i madh i shkrimit shqip”, “Princi i gjuhës shqipe”…, siç e quanin bashkëkohanikët Faikun. Po sjellim në vijim ca copëza shkrimesh të shkëputura nga “Albania”, që shpërfaqin merakun e F. Konicës për moskujdesin e shqiptarëve për ruajtjen e kombësisë dhe ruajtjen, lërimin dhe zbukurimin e Gjuhës shqipe:

  • Sot për sot në Shqipëri nuk ka Shqiptarë; ka vetëm “turq” dhe “kaurë”, domethënë Shqiptarë që kanë turp t’i thonë vetes Shqiptarë. Por a ka qenë gjithnjë ashtu? Nuk ka qenë në kohën kur edhe Shqiptarët ndjenin në fund të shpirtit ç’është kombësia?

Shkrimtari anglez Hobhose, i cili më 1809 kishte udhëtuar në Shqipëri bashkë me lordin Bajron, thotë këto fjalë: Kur pyet njerëzit e viseve të tjera të Turqisë se ç’janë, të përgjigjen: jemi turq a jemi të krishterë, po një njeri i Shqipërisë përgjigjet vetëm: jam Shqiptar. Se mendimi kombëtar është shumë i shkëlqyer në Shqipëri. Domethënë Shqiptarët ishin mëmëdhetarë në shekujt më parë; sot na u bënë“turq” dhe “kaurë”!

Kur kërkon me thellësi njeriu shkakun e kësaj prapësie, i duket se kombësia jonë zu të humbasë kur u ringjall Greqia. Gjer atëherë Shqiptarët e krishterë rronin vëllezërisht me të tjerët, po si u bë e veçantë Greqia, nga njëra anë Shqiptarët muhamedanë, u shtërnguan t’i lidhen më fort Turqisë, nga ana tjetër të krishterët Shqiptarë u lidhën me shtetin e vogël të krishterë, gjersa u bënë fare fare Grekër. Me këto mënyra, Greqia e ngjallur prej shqiptarëve, u bë shkak për vdekjen e tyre.

  • Shoh një çudi të madhe, sidomos në Shqipëri të sipërme, që nuk kam mund ta marr vesh, e kjo çudi është gjumi të cilin jemi duke e fjetur tash e qindar vjet, thua ti se kombi jonë fle, sepse sytë e tij nuk mund me i qëndrue dritës së diellit! Mjafton me i çelë sado pak sytë për ta parë shtetin e mjerë e të lotuem të kombit tonë, që e shkoi motin e vet në gjumin e verbër të padijes, dhe shtetet e lulëzueme të fqinjëve tanë që mundohen me ecë në udhe të qytetërimit. Shikojeni Greqinë, Bullgarinë, Serbinë, të gjitha vende të vobekta e të mjera, por të gjitha kanë hapur shkollat e veta, kanë bërë libra në gjuhët e tyre, kanë gazetat e veta. Shikojeni Malin e Zi, më të vobektin prej të gjithëve, i cili do ngordhte urie pa ndihmat e Rusisë, por ka shkolla e libra në gjuhën e vet! Po ne Shqiptarët! Ç’kemi bërë ne për të ecur në udhën e qytetërimit? Ne kemi fjetur.
  • Shohim me të madh trishtim mosdashjen e disa Shqiptarëve të ndërtojnë e të zbukurojnë gjuhën e tyre. Është nevoja të mos e lëshojmë shqipen si ka qenë, se ashtu s’mund të quhet gjuhë…
  • Shqiptarët që kanë mendje të lëruar duhet të kenë turp të përdorin fjalë të huaja duke folur shqip. Kjo është gjë shumë e poshtër. Do të flasish turqisht? Fol turqisht. Por kur flet shqip, lëre mënjanë turqishten, mos fol si ato robëreshat që sillnin që moti pashallarët në Shqipëri.
  • Kur zumë luftën e qetë por të nxehtë për përparimin e gjuhës shqipe, një hije mbuloi turinjtë e armiqve të kombit shqiptar. E, në turbullim e në frikë e sipër, që të gënjejnë vetveten, zunë të qeshnin e të thonë: “Albania” do të mbetet në mes të udhës, si gjithë punët kombëtare të Shqipërisë; gjuha shqipe s’ka kurrë për të vajtur përpara; është plakur tepër e s’ka këmbë për të ecur as dhëmbë për të ngrënë; le të dalë herë-herë ndonjë abetare, a disa vjersha të pakëndueshme mirë, por që të ketë edhe gjuha shqipe gazeta, të përkohshme, shkrimtarë e lexues, është gjë që s’bëhet. Kështu ngushëlloheshin armiqtë në krye të punës. Pastaj, si e panë se “Albania” vinte duke rrojtur, se nga çdo anë u prit me gas të madh, se që atë kohë e këndej zunë të dalin më shumë libra dhe gjuha shqipe morri me të vërtetë një hov të shëndoshë, armiqtë puashuan së qeshuri e së pëshpërituri. Lanë mënjanë lodrat dhe ngushëllimet e mashtrimet.

Tani, pa fjalë, dëshira e gjuhës shqipe hyri në gjithë zemrat e Shqiptarëve të mësuar. Kush e mban mend si qe puna e gjuhës shqipe tre vjet më parë, ka për ta vënë re ndryshimin e madh me kohën e tanishme. Andaj, duhet të përpiqemi ca më fort ta shpiejmë përpara propagandën gjuhëtare e kombëtare: e, nëqoftëse mundohemi të gjithë për të shpërndarë “Albanien”, 6 muaj më pas ajo do të bëhet gazetë aq e vlefshme sa s’ka ndër popujt tjerë të Ballkanit: e fuqia që ka për të zhvilluar mendjen e Shqiptarëve do të jetë aq e madhe për të mirën e tyre, sa të gjithë armiqtë e shqiptarisë kanë për të plasur mërie.

E këtillë qe beteja e revistës “Albania” për ruajtjen e identitetit kombëtar e gjuhësor. 127 vite pas saj, ne na mbetet të mos lejojmë zuzarët të zhbëjnë para syve tanë mundin e prometejëve të Rilindjes dhe ta shndërrojnë Shqiptarinë në Babiloni gjuhësh e kombesh shqiptare…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button