Qeveritë e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan dokumente dypalëshe me fokus në interesat e qytetarëve dhe ekonomive të të dyja vendeve

Sot në Beograd, gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministrat e qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë nënshkruan disa dokumente dypalëshe, të cilat janë në drejtim të afrimit të mëtejshëm të vendeve, ekonomive dhe popujve tanë dhe rezultat i marrëveshjeve të nënshkruara për Ballkanin e Hapur, njofton Portalb.mk.

Memorandumi i nënshkruar mes ministrave të Punëve të Brendshme të dy vendeve ka të bëjë me lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë.

“Të vetëdijshëm për nivelin e lartë të frekuentimit të automjeteve që krijohet në këtë pikë kufitare, ekipet e Ministrisë së Brendshme, sektorëve të TI-së dhe policive kufitare, administratave doganore si dhe ministrive të Transportit dhe Lidhjeve nga të dyja vendet kanë punuar prej disa muajsh për gjetjen e zgjidhjeve. Janë definuar disa lloje masash, zbatimi i të cilave do të përmirësojë, lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e pasagjerëve dhe automjeteve”, njoftojnë nga Qeveria.

Masat i referohen kryesisht infrastrukturës në terren dhe modelit të menaxhimit të përbashkët të kufirit.

Memorandumi i dytë, i cili u nënshkrua në Beograd, ka të bëjë me një projekt për sistemet e rrjetëzimit për mbledhjen elektronike të pikëpagesave.

Me intensifikimin e bashkëpunimit rajonal dhe nivelit veçanërisht të lartë të lidhjes mes dy vendeve tona, numri i qytetarëve që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Serbi ose anasjelltas po rritet çdo ditë, por intensiteti i automjeteve dhe pasagjerëve që përdorin vendet tona si transit drejt vendeve të treta është shumë i madh.

“Në këtë drejtim, ne vazhdimisht po përmirësojmë infrastrukturën e autostradave dhe po ndërtojmë autostrada të reja, por po investojmë gjithashtu në zgjidhje digjitale që lehtësojnë udhëtimin duke rrjetëzuar sistemet elektronike në pikëpagesa. Me nënshkrimin e memorandumit, së shpejti të gjithë qytetarët e Serbisë me pajisjen TAG të instaluar do të mund të kalojnë pa ndalesë nëpër pikëpagesa në Maqedoninë e Veriut dhe e njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e vendit tonë kur të udhëtojnë nëpër Serbi”, shtojnë nga Qeveria.

Memorandumi i tretë, i cili u nënshkrua sot në Beograd, ka të bëjë me bashkëpunimin në fushën e minierave dhe energjetikës.

“Me këtë memorandum tregojmë vullnetin tonë të përbashkët për të përforcuar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, në mënyrë që të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike. Energjetika është shtyllë e ekonomisë dhe me këtë memorandum ndër të tjera inkurajohen dhe mbështeten investimet e përbashkëta nga të dyja vendet, veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, prodhimin e energjisë dhe ndërlidhjen e sistemeve të gazit dhe energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë”, thonë nga Qeveria.

Kovaçevski në takim me krerët serb: marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë më të mirat në historinë moderne

Me ceremoni të mirëseardhjes me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake u prit kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski nga kryetarja e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ana Bernabiq, njofton Portalb.mk. Kovaçevski dhe delegacioni i Maqedonisë së Veriut nga dje gjendet në zyrtare në Republikën e Serbisë.

Kryeministri Kovaçevski dhe kryeministrja Bernabiq patën takim në të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, të cilat janë pa çështje të hapura ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, i cili, siç kumton Qeveria e Maqedonisë, është i gjithanshëm dhe i zhvilluar mirë.

Në takim u diskutuan për projektet që janë në vazhdim dhe u dakorduan për aktivitete të tjera në periudhën e ardhshme në fushën e ekonomisë, kulturës, diasporës dhe fushave tjera.

Bashkëbiseduesit folën edhe për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe për proceset reformuese dhe kushtet që vendet përpiqen të përmbushin për integrim sa më të shpejtë në BE.

Pas takimit, dy delegacionet qeveritare, të kryesuar nga kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, po mbajnë një takim të përbashkët plenar, ku do diskutohen tema me interes për qytetarët e të dy vendeve, si dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Vuçiq – Kovaçevski: u konfirmua partneriteti ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë

Kovaçevski parapakisht ka realizuar takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Siç njoftojnë nga Qeveria, në takimin me presidentin Aleksandër Vuçiq u konfirmua partneriteti ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë.

Në takim u diskutua për iniciativat rajonale, të cilat janë mundësi për perspektiva dhe avancim edhe më të madh të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Vuçiq – Kovaçevski, foto nga Qeveria e RMV-së

“Qëllimi i Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit është zhvillimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë në tregun e vetëm evropian dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri Kovaçevski dhe presidenti Vuçiq shkëmbyen mendime për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për dinamikën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në këtë drejtim u theksuan proceset reformuese në disa fusha kyçe, ngritja e kapaciteteve institucionale si dhe strategjitë zhvillimore të zbatuara nga qeveritë e të dy vendeve”.

“Në takim u shkëmbyen informacione edhe për veprimet e dy vendeve në kuadër të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të situatës ekonomike, demokratike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë. Në takim morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i shoqërisë informatike dhe administratës publike Aleksandar Baidevski”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

Në delegacionin qeveritar të kryesuar nga kryeministri Kovaçevski vetëm ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi është përfaqësues i partive shqiptare në ekzekutiv. Përveç tij, do të marrin pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave Ljupço Nikolovski, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Aleksandar Bajdevski.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button