U anulua seanca për “Besa Trans”: Përfaqësuesit e doganës erdhën, por përfaqësuesi i kompanisë ende është jashtë shtetit

U anulua seanca e sotme gjyqësore për rastin “Besa Trans”, pasi që përfaqësuesi i personit juridik i kësaj kompanie, Shaban Hoxha ende nuk është kthyer prej jashtë shtetit, ku prej para një muaji ka shkuar për shkak të rastit të vdekjes së familjarit të afërm, njofton Portalb.mk.

Sot duhej të dëshmonin përfaqësuesit e doganës, për të cilët tre seancat paraprake janë anuluar për shkak se Dogana nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës. Megjithatë, përfaqësuesit e Doganës as sot nuk u deklaruan para Gjykatës, pasi që ashtu si[ tha avokati mbrojtës i “Besa Trans”, Asmir Alispahiq, përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha nuk ka ardhur ende prej jashtë shtetit.

“Shaban Hoxha mund të mos vijë edhe një muaj, mbrojtja s’ka asnjë qëllim që të zvarritet procesi gjyqësor, por Shaban Hoxhës i ka ndodhur ngjarje e padëshiruar. E lusim gjykatën që ne të sigurojmë person tjetër në vend të tij, që të mos jemi arsyeja e anulimit të seancave”, tha Alispahiq, i cili është mbrojtës edhe i pronarit të “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, i cili sot ishte në seancë.

Gjykatësi i lëndës, Ivica Stefanovski, tha se Hoxhës do t’i caktojë avokat sipas detyrës zyrtare dhe “ai daç le të vijë, e daç jo”.

This slideshow requires JavaScript.

Seanca e radhës u caktua për më 13 prill prej orës 10.30.

Ndryshe, sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin e kaluar nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Paraprakisht, pronari i “Besa Trans” është deklaruar se nuk ndihet fajtor për falsifikimin e certifikatës së licencës për kryerjen e transportit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Në një prononcim për media, avokati Asmir Alispahiq tha se nuk është e vërtetë që është përdorur dokument i rremë, gjegjësisht pretendon se as nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licencë ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë. Siç pretendon mbrojtja, janë përdorur licencat origjinale. I pyetur se si autobusi ka udhëtuar vetëm me patentë, dhe pa certifikatë për mjetin konkret, ai ka thënë se organet hetuese duhet të mbajnë përgjegjësi se si e kanë lejuar doganierët.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Nga seancat paraprake:

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button