Numri i E-report në Tetovë me vite nuk punon, Komuna: Arsyet janë teknike

Numri në ueb-faqen E-report i krijuar për qytetarët që tu lehtësohet mënyra dhe të përshpejtohet raportimi i ndotësve të mjedisit jetësor, ka disa vite që është jofunksional. Ndonëse nga komuna janë të njoftuar me këtë problem dhe në janar të vitit të kaluar thanë se punojnë për të rregulluar çështjen, numri sërish mbetet i papërdorshëm, ndërsa sot nga Komuna për Portalb.mk thonë se arsyet janë teknike dhe se do ketë zgjidhje.

Numri i vendosur në këtë ueb-faqe, konkretisht: 080055043 për të paraqitur ndotjet në mjedis është jofunksional me vite të tëra. Portalb me dhjetëra herë gjatë tre viteve të fundit ka telefonuar për të vërtetuar nëse ky numër funksionon, por që çdo herë rezultoi të jetë jofunksional.

Udhëheqësia komunale paraprake dhe ajo aktuale nuk e kanë parë të arsyeshme të zgjidhin këtë problem, edhe pse ndotja në mjedis nga qytetarët e pandërgjegjshëm tani më është problem i kamotshëm i Tetovës.

Nga Komuna sot deklarojnë se numri nuk punon për arsye teknike dhe se nëse nuk rregullohet do vendoset numër tjetër.

“Numri i telefonit të E-report aktualisht nuk është funksional për arsye teknike. Nëse kjo nuk rregullohet, do të vendoset një numër i ri që qytetarët të mund ta përdorin. Megjithatë, komunikimi me qytetarët nuk është ndërprerë sepse kërkesat mund të dorëzohen në formë elektronike në faqet e internetit të E-reportit”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Komuna deklaron diçka të tillë.

Portalb me 3 janar të vitit 2022 kërkoi nga Komuna se kur do e lëshojnë në funksion këtë numër. Kështu u përgjigjën nga Komuna e Tetovës me 5 janar 2022:

“Lidhur me pyetjen tuaj që ka të bëjë web faqen e komunës E-report ku qytetarët denoncojnë ndotësit e mjedisit (https://tetova.gov.mk/ereport/ ) është në përpunim e sipër dhe shpresojmë që në një kohë sa më të shpejtë të jetë në funksion për qytetarët.”

Por, më tepër se një vit më vonë, ky numër nuk është lëshuar në funksion ende.

Përndryshe, numri i dënimeve të shqiptuara nga Inspektorati komunal për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor, sipas asaj që tha para disa muajve Komuna e Tetovës për Portalb, është vetëm pesë. Ndërkaq Tetova mbetet ndër qytetet me ajrin më të ndotur, jo vetëm në vend por edhe më gjerë.

Që problemi me ndotjen është mjaft serioz dhe kërcënues për vendin tone e thotë edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e reformave të Maqedonisë së Veriut. Në raport theksohet publikisht se gjatë këtij viti vendi duhet të përshpejtojë përpjekjet për reduktimin e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button