RMV, u nënshkrua protokoll për procedim penal më të shpejtë për luftë më efektive kundër krimit

Sot në Shkup u nënshkrua protokoll ndërmjet Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, i njëjti pritet të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë drejt një sistemi më efektiv dhe efikas të drejtësisë penale, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, shpjegoi se luftimi efikas i krimit kërkon ligje që nuk i pengojnë hetimet.

“Qëllimi ynë i përbashkët është zbulimi, vërtetimi dhe parandalimi i suksesshëm i krimeve dhe ndalimi i autorëve. Qëllimi i protokollit që nënshkruam sot është të na ndihmojë në kryerjen më efektive të procedimeve penale, duke marrë parasysh mbrojtjen e të drejtave të viktimave, të të dyshuarve dhe autorëve, në përputhje me legjislacionin vendas dhe marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara”, tha Spasovski.

Ndërkaq kryeprokurori publik, Lubomir Joveski, theksoi  se qytetarët presin që ne të bashkëpunojmë dhe të ofrojmë drejtësi efikase.

“Vetëm me një front të bashkuar kundër autorëve mund të arrijmë rezultate që rikthejnë besimin e publikut tek institucionet e sistemit. Për këto arsye, dua të falënderoj sinqerisht Misionin e OSBE-së në Shkup, i cili, si shumë herë më parë, ka njohur nevojat dhe ka mbështetur këtë proces të koordinimit tonë të ndërsjellë me Ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha Joveski.

Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl theksoi se rëndësia e protokollit nuk mund të nënvlerësohet.

“Ai ndihmon policinë dhe prokurorët të identifikojnë dhe hetojnë më mirë krimet dhe me sukses të ndjekin penalisht shkelësit në përputhje me legjislacionin vendas dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Për më tepër, do të përshpejtojë hetimet, gjë që do të rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit në këtë vend”, theksoi Wahl.

Ndryshe, protokolli për bashkëpunim u përgatit me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button