Mbreti Charles III vizitën e parë zyrtare jashtë vendit në cilësinë e monarkut e bëri në Gjermani

Mbreti Charles III mbërriti në Berlin të mërkurën në kuadrin e udhëtimit të tij të parë si monark i Britanisë, me synim përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, si dhe për të demonstruar se mund të fitojë zemrat dhe mendjet e njerëzve jashtë vendit, ashtu siç pati arritur nëna e tij për shtatë dekada me radhë, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Së bashku me Mbretëreshën Camilla, ata mbërritën pasdite në aeroportin qeveritar në Berlin. Mbreti i veshur me një pallto të zezë dhe mbretëresha me një pallto blu të lehtë dhe një kapele me pupël, u ndalën në krye të shkallëve të avionit, për t’u pritur me një përshëndetje prej 21 të shtënash topi. Ndërkohë dy avionë luftarakë fluturuan mbi ta.

Sipas deklaratës së përbashkët të çiftit mbretëror të publikuar në llogarinë e tyre zyrtare në Twitter, ata përjetojnë “gëzim të madh” që kanë mundësinë të zhvillojnë më tej “miqësinë e hershme mes dy vendeve tona”.

Më vonë, Presidenti gjerman FrankWalter Steinmeier dhe bashkëshortja e tij Elke Buedenbender, i mirëpritën ata me një ceremoni nderimi ushtarake në Portën historike të Brandenburgut në Berlin.

Ushtarët mbanin flamujt britanikë dhe gjermanë, ndërkohë që luheshin himnet kombëtare. Presidenti Steinmeier dhe Mbreti Charles kaluan në vazhdim përgjatë njerëzve të radhitur që valëvisnin flamurë, dhe shtrënguan duart dhe biseduan shkurtimisht me ta.

Mbreti 74-vjeçar, i cili trashëgoi fronin pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II në shtator, pritet të kurorëzohet në 6 maj. Si kryetar shteti i Britanisë, mbreti takohet çdo javë me kryeministrin dhe mban rolin e drejtuesit të Komonuelthit.

Fillimisht ishte planifikuar që ai të vizitonte Francën përpara Gjermanisë, por ajo pjesë u anullua për shkak të protestave masive kundër përpjekjeve të qeverisë franceze për të rritur moshën e pensionit në vend.

Gjatë një pritjeje pasdite dhe sërish në një banket në mbrëmje në Pallatin Bellevue, rezidenca zyrtare e presidentit gjerman, Steinmeier vuri në dukje rëndësinë e vizitës së parë të Mbretit Charles në Berlin, duke e quajtur atë “një gjest të mrekullueshëm personal dhe në të njëjtën kohë një shenjë e rëndësishme për marrëdhëniet gjermano-britanike”.

Steinmeier vuri në dukje se Britania filloi procesin e vështirë të largimit nga BE-ja më 29 mars 2017.

“Për mua personalisht, kjo ishte një ditë e trishtuar”, tha ai. “Sot, saktësisht gjashtë vjet më vonë, ne hapim një kapitull të ri”.

Steinmeier i bëri homazhe nënës së Mbretit Charles, Mbretëreshës Elizabeth, duke theksuar se sa shumë kishte bërë ajo për të nxitur lidhjet gjermano-britanike.

“Familja juaj përfaqëson vazhdimësinë, stabilitetin, veçanërisht në kohëra ndryshimi”, tha ai, duke vënë në dukje se edhe Mbreti Charles e kishte vizituar Gjermaninë më shumë se 40 herë në rolin e princit.

Këtë tematikë e vazhdoi edhe Mbreti Charles, i cili tha se miqësia e dy vendeve kishte një rëndësi të madhe për nënën e tij, e cila gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në Gjermani.

“Marrëdhënia mes Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ka shumë rëndësi edhe për mua”, tha ai. “Jam më i bindur se kurrë për vlerën e qëndrueshme për të gjithë ne”.

Në banket morën pjesë të ftuar, përfshirë ish-kancelaren Angela Merkel dhe shkencëtarin Ozlem Tureci, që bashkëthemeloi kompaninë gjermane BioNTech që zhvilloi vaksinën e parë të miratuar gjerësisht kundër koronavirusit.

Mbreti Charles III në vizitën në Gjermani, foto: Anadolu Agency
Mbreti Charles III në vizitën në Gjermani, foto: Anadolu Agency

Të enjten, mbreti është planifikuar të mbajë një fjalim në Bundestag, parlamentin gjerman. Ai do të takohet gjithashtu me kancelarin Olaf Scholz, do të bisedojë me refugjatët ukrainas dhe do të takohet me personelin ushtarak britanik dhe gjerman, të cilët po punojnë së bashku në projekte të përbashkëta. Pasdite, ai do të vizitojë një fermë organike jashtë Berlinit.

Çifti mbretëror planifikon të shkojë në Hamburg të premten, ku do të vizitojë memorialin Kindertransport për fëmijët hebrenj që ikën nga Gjermania në Britani gjatë Rajhut të Tretë dhe do të marrin pjesë në një aktivitet për energjinë e gjelbër përpara se të kthehen në Britani.

Mbretit iu kërkua ky udhëtim nga Kryeministri Sunak, i cili gjatë gjashtë muajve të tij të parë në detyrë negocioi një zgjidhje për mosmarrëveshjen e gjatë mbi rregullat e tregtisë pas Brexit-it për Irlandën e Veriut dhe arriti një marrëveshje me Francën për të luftuar kontrabandistët që transportonin emigrantë në varka të vogla përmes Kanalit të La Manshit. Zoti Sunak shpreson se vullneti i mirë i krijuar nga një vizitë mbretërore mund të ndihmojë në hapjen e rrugës për përparimin për çështje të tjera, përfshirë rikthimin e Britanisë në një program të BE-së që financon kërkimin shkencor në të gjithë Evropën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button