Dy dëshmitarë pretendojnë se familjarë të tyre u torturuan në Kukës

Pjetër Shala është ballafaquar me dëshmitë e dy dëshmitarëve, sipas të cilëve familjarë të tyre u janë nënshtruar torturave në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej nga UÇK-ja si qendër paraburgimi. Jo e gjithë seanca e Gjykatës Speciale ishte e hapur për publikun. Në një moment i akuzuari Shala kërkoi të lirohej nga prania fizike në gjykatore, raporton Koha.net.

Të martën ka vazhduar gjykimi i Pjetër Shalës që akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë e ku kanë dëshmuar dy dëshmitarë, njëri prej tyre për ditën e dytë rresht.

Të dy thanë se familjarë të tyre u janë nënshtruar torturave në fabrikën e metalit në Kukës, që pretendohet se përdorej nga UÇK-ja si qendër paraburgimi.

Shala akuzohet se mori pjesë në tortura.

Dëshmitarin e parë mbrojtja e ka ballafaquar me deklaratat që i ka dhënë më herët, por në këtë pjesë seanca është mbyllur për publikun. E një anëtar i trupit gjykues e pyeti në lidhje me deklaratën se shkaku i torturave babai i tij e ka humbur shikimin.

“Ju thatë se babai juaj ose humbiste, ose humbi shikimin, a mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj, ka pyetur Vladimir Mikula, anëtar i trupit gjykues.

Dëshmitar i parë dëshmoi në bazë të asaj që ka rrëfyer vëllai.

“Vëllai më tha, unë e mbaj mend, në 2008-n, veç ka filluar ta humbë shikimin. E ka dokumentacionin, është operuar, por pa sukses, domethënë i ka tetë vjet prej kohës kur është mbajtur në kamp të përqendrimit, në burg. Të gjitha i kanë ardhur nga aty, nga torturat çnjerëzore deri në alivanosje, ku babai tregonte që kur kanë ardhur njerëz të tjerë i kanë thënë merre rrihe. I dyshuari duhet të tregojë për të gjitha”, ka thënë dëshmitari i parë, i mbrojtur nga gjykata.

Përmes avokatit të tij i akuzuari Shala kërkoi të lirohej nga prania në seancë. Avokati theksoi se klienti i tij po ndihet i shqetësuar dhe këtë kërkesë e aprovoi kryetarja e trupit gjykues.

Dëshmitari i dytë dëshmoi pa praninë në sallë të të akuzuarit.

Dëshmitarja ka thënë se burri i saj është mbajtur 13 ditë në total nga ish-ushtarët e UÇK-së që ndodheshin në Shqipëri, një ditë në vendin që quhej Ramallat dhe 12 në fabrikën e metalit në Kukës. Ajo tha se ka parë veturën me katër persona duke ia marrë burrin në kohën sa kishin qenë në Shqipëri më 1999, dhe se më pas e ka parë të përgjakur.

“E kanë torturuar me mjete të forta, shufra metalike, ia kanë thyer dorën e majtë, këmbën, në trup e në shpinë e kudo e kanë torturuar fizikisht. Kanë përdorur çdo lloj torture. Pos këtyre kanë dashur t’ia prisnin venat me thikë, venat e duarve. Ka qenë i shtrirë në dysheme, në beton, pa rroba të mjaftueshme. Me pak ushqim, me pak ujë. I kanë thënë njëri-tjetrit: a po e vret ti apo po e vras unë”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Pjetër Shala akuzohet për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturë e vrasje të paligjshme në Kukës, ndërmjet datave 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999. Shala është vetëdeklaruar i pafajshëm në deklaratën e tij hyrëse dhe i ka quajtur trillime akuzat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button