Pasi kundërshtoi Biden, Netanyahu: Izraeli vend sovran që nuk merr vendime në bazë të presioneve të jashtme

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, si përgjigje ndaj presidentit amerikan Joe Biden i cili ka kritikuar reformën e planifikuar në gjyqësor në vendin e tij tha se “Izraeli është vend sovran që nuk merr vendime në bazë të presioneve të jashtme”, transmeton Anadolu.

Netanyahu ka kundërshtuar deklaratat e Bidenit i cili lidhur me reformën në gjyqësor që ka shkaktuar protesta dhe greva masive në Izrael ka thënë se “është shumë i shqetësuar dhe se Izraeli nuk mund të vazhdojë në këtë rrugë”.

Duke bërë një sërë postimesh nga llogaria e tij në Twitter, kryeministri izraelit tha: “E njoh prej 40 vitesh Bidenin dhe e përgëzoj për angazhimin e tij ndaj Izraelit”. Ai rikujtoi se vendi i tij “është vend sovran”.

“Aleanca e ‘palëkundur’ mes Izraelit dhe SHBA-së ‘ka kapërcyer gjithmonë mosmarrëveshjet e paraqitura herë pas here’ mes dy vendeve”, tha Netanyahu duke shtuar:

“Qeveria ime është e vendosur të forcojë demokracinë duke riformuar balancën e përshtatshme mes tre pushteteve të shtetit, të cilin ne po përpiqemi ta arrijmë me konsensus të gjerë. Izraeli është vend sovran i cili vendimet e tij i merr me vullnetin e popullit dhe jo sipas presioneve të jashtme, përfshirë edhe miqtë më të mirë”.

Presidenti i SHBA-së, Biden shprehu shqetësimet e tij për shkak të rregullores së diskutueshme gjyqësore e cila ka shkaktuar protesta dhe greva masive në Izrael.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se Izraeli po kalon në një proces të vështirë, se duhet ta zgjidhë këtë dhe se shpreson që Netanyahu do të heqë dorë nga rregullorja gjyqësore në fjalë.

“Nuk mund të vazhdojnë në këtë rrugë. E kam bërë disi të qartë këtë”, tha Biden duke shtuar se shpreson që Netanyahu të veprojë në mënyrën që të sigurojë një dakordësim të vërtetë.

Ndërsa në pyetjen nëse do ta ftojë apo jo Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha: “Jo, në një të ardhme të afërt”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button