Sheshi “Iliria”  në Tetovë i lënë në harresë, Komuna: Së shpejti prezantojmë projektin

Sheshi “Iliria” në Tetovë vazhdon të mbetet pa ndonjë rikonstruim dhe investim. Video-ilustrimet parazgjedhore për sheshin e Tetovës të kryetarit aktual duken larg realitetit tetovar, ndërsa sot nuk ka ende diçka konkrete në terren. Kjo temë u rikthye nga kreu i Tetovës para disa ditësh ku tha se po punohet për këtë projekt. Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se i njëjti së shpejti do prezantohet para publikut, por pa dhënë detaje konkrete. Nga ana tjetër, Komuna ka shpallur thirrje për vendosje të pajisjeve urbane në shesh si zgjidhje afatshkurtër.

Nënkalime, parkingje nëntokësore, gjelbërim, drunj, rrugë për këmbësorë, pajisje urbane, kështu dukej projekti ideor për sheshin e Tetovës i prezantuar para publikut gjatë periudhës parazgjedhore me 15 tetor 2021 nga kryetari aktual, Bilall Kasami.

Por, pas gati një vit e gjysmë, sheshi i Tetovës mbetet i pandryshuar. Kjo u riaktualizua nga Kasami para disa ditësh në takimin me Bajram Vardar nga Turqia, nga ku Kasami njoftoi se në takim u shqyrtuan disa variante të projektit ideor dhe dizajnimit të pjesës qendrore të qytetit, me theks të veçantë të sheshit “Iliria”, si dhe gjetja e një modusi më të përshtatshëm për komunikacionin në atë pjesë të qytetit.

Portalb.mk kërkoi nga komuna detaje shtesë në lidhje me atë se çfarë konkretisht planifikohet në këtë projekt. Komuna pa dhënë shumë detaje tha se së shpejti, pa mos treguar se kur, projekti do prezantohet para publikut.

“Në momentin aktual, në Tetovë është duke u punuar në një projekt për rekonstruimin dhe redizajnimin e pjesës qendrore të qytetit, ku përfshihet edhe Sheshi Iliria. Qëllimi i këtij projekti është të paraqesë një koncept të ri të organizimit të hapësirave publike në pjesën qendrore të qytetit, duke përfshirë hapësirat përreth sheshit Iliria, bulevardin Ilinden dhe bulevardin Iliria, si dhe hapësirat publike përreth objekteve kryesore në qendër të qytetit, si hoteli Liraku, Qendra për Kulturë dhe lokalet e ndryshme përreth. Projekti gjithashtu synon të ofrojë një zgjidhje të re për komunikacionin në këtë pjesë të qytetit. Ekspertët po shqyrtojnë disa variante për këtë projekt dhe planifikohet që ky propozim të prezantohet publikisht në një kohë të afërt”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ky projekt siç duket do të merr kohë, ndërsa në një afat kohor më të shkurtër Komuna planifikon të vendos pajisje urbane në sheshin e qytetit, projekte këto që do të përgatiten nga studentët e arkitekturës të dy universiteteve të qytetit.

“Në lidhje me projektin për vendosjen e pajisjeve urbane në Sheshin Iliria, ky projekt po përgatitet nga studentët e arkitekturës nga dy fakultetet e arkitekturës në Tetovë. Synimi i këtij projekti është që të gjallërojë Sheshin Iliria dhe të përdoret për aktivitete të qytetarëve. Kjo do të bëhet me disa ndërhyrje të vogla, të cilat nuk kërkojnë shumë kohë dhe mjete për realizim”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Komuna me 21 mars shpalli edhe konkurs publik për përpunimin e projektit ideorë për vendosje të pajisjeve urbane në qendër të qytetit, ku të drejtë aplikimi kanë studentët e arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe  studentët e arkitekturës dhe dizajnit nga Universiteti i Evropës Juglindore. Konkursi publik zgjat deri me 10 prill, ndërsa informata më të detajuara për të njëjtin gjenden në ueb faqen e Komunës së Tetovës.

Ndryshe, që nga prishja e sheshit të vjetër të qytetit para shumë viteve, në shesh nuk është investuar në pajisje dhe të tjera. I njëjti gjatë festave dhe manifestimeve të ndryshme përdoret për koncerte dhe organizim të ngjarjeve, vendosjen e barakave për shitje të produkteve dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button