Millkov: RMV-ja nuk ka afat për zbatimin e propozimit francez, kur ta përmbushë, atëherë do të fillojnë negociatat

Maqedonia e Veriut nuk ka afat për të zbatuar propozimin francez. Kur ta përmbushë atë – atëherë do të hapet faza e parë e procesit të negociatave. Kështu u shpreh mbrëmë në një intervistë për televizionin kombëtar bullgar BNT, ushtruesi i detyrës- shefi i diplomacisë bullgare, Nikolai Millkov, i cili ndër të tjera foli për, siç tha, tensionet në rritje në marrëdhëniet RMV-Bullgari, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Shpresoj se ata do të vijnë në vete për faktin se duhet të mendojnë për perspektivën evropiane. Topi është në fushën e tyre. Ata nuk kanë afat për zbatimin e propozimit francez. Kur ta përmbushin, atëherë do të hapet faza e parë e procesit të negociatave”, tha Millkov.

Ai theksoi se aktualisht ka rritje të tensioneve në marrëdhëniet me vendin.

“Në muajt e fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të veprimeve të ndryshme që janë armiqësore dhe në kundërshtim me mirëkuptimin dhe marrëveshjen”, tha Millkov.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, ku VMRODPMNE ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button