PANOPTIKONI

Bota është bërë panoptikon. S’dihet kur dhe nga kush mbikëqyresh. Kjo më nuk është teori komploti, por gjendja e kohës sonë.

Panoptikon quhet burgu me kullë vrojtimi në mes, ku një roje mund kurdoherë t’i vëzhgojë të burgosurit. U ideua nga filozofi Jeremy Bentham (1748 – 1832), i cili besonte se të burgosurit do t’i ndryshonin sjelljet duke e ditur se kurdoherë mund të mbikëqyreshin. Ideja për “inspektimin qendror” i lindi në fabrikën e vëllait, në Rusi. Vëllai, për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, e organizonte punën nga mesi i fabrikës. Ky “vëzhgim i qendërzuar”, sipas Bentham-it, mund të zbatohej edhe në institucione të tjera, veçanërisht në burgje.

Panoptikoni është bërë edhe simbol i diktaturës, që njeriut ia shtyp lirinë dhe ia cenon privatësinë. Është krahasuar edhe me Argusin mitik, që kishte sy nëpër trup dhe nuk i shpëtonte asgjë.

Ideja e panoptikonit i frymëzoi edhe shkrimtarët, që kanë shkruar për sistemet diktatoriale, totalitare dhe autoritare.

George Orwell-i shkroi për “Vëllanë e Madh”. Veprat Qorrfermani dhe Pallati i Ëndrrave të Kadaresë, si metafora universale mbi diktaturën, na kujtojnë edhe panoptikonin.

Te Qorrfermani shoqëria është e mbërthyer nga frika. Një denoncim keqdashës ta bën gjëmën. Te Pallati i ëndrrave pushteti synon ta kontrollojë edhe pavetëdijen e njeriut, si burim i ëndrrës.

Mishel Fuko (Michel Foucault), në veprën Disiplina dhe ndëshkimi (1975), nëpërmjet panoptikonit e ilustron prirjen e “shoqërive disiplinore” për t’i nënshtruar qytetarët, të cilët, sipas tij, bëhen objekt dhe jo subjekt në komunikim.

Panoptikoni, thotë Fuko, krijon efekte sociologjike, sepse njeriu është i vetëdijshëm për praninë e Autoritetit. Kontrolli shoqëror më nuk shtrihet vetëm në burgje, por edhe në përditshmëri. Autoriteti i krijon normat që duhet t’i përvetësojë qytetari, por ndikon edhe në krijimin e rregullave të vetë-imponuara. Shoferi ndalon në semafor, sepse e di se mund të vëzhgohet.

Fuko thotë se dija është fuqi e lidhur me pushtetin. Nëse shteti totalitar përdori metoda të dhunshme për disiplinimin e qytetarëve, shteti demokratik e krijoi sistemin nëpërmjet të cilit njeriut ia imponoi shtrëngimin e brendshëm dhe e përjashtoi nga ndërveprimi dhe komunikimi. Në këtë sistem, sipas tij, bëhet i fuqishëm ai që i vëzhgon dhe i kontrollon mendimet dhe veprimet tona.

Panoptikoni krahasohet edhe me mbikëqyrjen digjitale. Njerëzit mbikëqyren nëpërmjet teknologjisë, pa e ditur kur dhe nga kush mbikëqyren. Prandaj i ndryshojnë edhe sjelljet.

Agjenci të ndryshme e kanë zëvendësuar kullën e vrojtimit me kamera vëzhgimi. Ato mbledhin të dhëna për njerëzit nëpërmjet panoptikonit digjital dhe e dinë kush jemi dhe çfarë preferencash kemi. Të dhënat mund të keqpërdoren pastaj për të na kontrolluar dhe manipuluar.

Jetojmë në epokën e panoptikonit digjital. Mund të vëzhgohemi edhe brenda botës intime. Edhe më keq: humbet prirja e natyrshme për ruajtjen e intimes dhe ka prirje për ekspozimin e intimitetit për para dhe famë të rrejshme e të përkohshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button