Dy libra të Rexhepit në Tetovë

“Refleksione lirike” dhe “Poetika e rrëfimit letrar” janë dy veprat më të reja të botuara nga Zejnepe Alili-Rexhepi, ligjëruese e Programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla, vlerson se libri më i ri “Refleksione lirike” i Zejnepe Alili – Rexhepit,është një qasje për artin e të shkruarit: vështrime e analiza, ndryshe nga sa jemi mësuar të hasim, deri tani, në kritikën tonë. 

“Një avancim i dukshëm letrar, tejet profesional, meqë identifikon ndryshe deshifrimin e narracionit, karakterit të personazheve, përzgjedhjes së vlerave…, duke vënë në peshore kontradiktat, skenimet e inskenimet e ngjarjeve, me fjalëmagjinë artistike. Autorja, guximshëm zbulon shtigjet e thellësive mistike të indeve, sado komplekse të letërsisë” pohon Qyqalla.

Ndërsa, për veprën, redaktori i këtij libri Fatmir Terziu vë në dukje se autorja Zejnepe Alili-Rexhepi është përpjekur të formulojë mënyra për të analizuar fuqinë, si ajo shfaqet dhe si ajo është e rezistuar në marrëdhëniet e jetës së përditshme.

“Janë këto aspekte të punës së Zejnepes, të cilat janë adresuar në librin e saj studimor “Poetika e rrëfimit letrar” (Studime e analiza), duke shqyrtuar mënyrat në të cilat ajo konfiguron supozime maskiliste dhe ligjërata për këto mënyra, duke u dhënë zë shifrave të margjinalizuara, që janë parë ose shfaqen në mënyrën më të heshtur, duke e bërë të ridimensionuar riparaqitjen e stereotipeve dhe marrëdhënieve të pushtetit, përmes ripërvetësimit poetik të mitit dhe duke rishkruar poemën kanonike të dashurisë ndaj vendlindjes dhe tejkorrës nga këndvështrimi feminist”, tha recensenti Fatmir Terziu. 

Përndryshe, autorja Zejnepe Alili – Rexhepi është një nga zërat e afirmuar që shfaqen në poezinë e shqiptarëve të Maqedonisë, me një nocion poetik avangard, tipologjik, dhe aspektualitet topologjik në tërë dimensionin e saj. 

Lajme të ngjashme

Back to top button