‘Për Beogradin, Thaçi më i preferuar sesa Haradinaj’

Analisti i çështjeve të Ballkanit, Dusan Reljic, duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë, pas zgjedhjeve të 8 qershorit, në një intervistë për DW, thotë se Qeveria e Beogradit preferon më shumë Hashim Thaçin për bisedime, sesa Ramush Haradinajn.

“Duhet thënë se megjithëse Haradinaj është lënë i lirë dy herë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë, për shumicën e palës serbe, ai nuk është një pjesëtar i pranueshëm në procesin e dialogut.

Qeveria në Beograd do ta ketë edhe më të vështirë të ulet me Haradinajn në tavolinën e bisedimeve sesa me Thaçin. Mosbesimi i dyanshëm mbetet ende shumë i madh. Do të jetë më e nevojshme rritja e presionit perëndimor, me qëllim që të arrihen rezultate në procesin e negocimit”, tha Reljic

Ai ka komentuar tri parti opozitare, LDK, AAK dhe Nisma, të cilat u bashkuan në një koalicion për të pasur mazhorancën e nevojshme me Kryeministër Ramush Haradinajn, ndërkohë që fituesit pa mazhorancë të zgjedhjeve Hashim Thaçit e koalicionit të tij i duhet njëri nga këta partnerë për të mbajtur postin e deritanishëm të Kryeministrit.

“Një gjë është e qartë: Partitë opozitare duken të vendosura të pengojnë qeverisjen e mëtejshme të zotit Thaçi.

Kështu që është Kryeministri Thaçi, ai që duhet t’u afrohet tani atyre, për të mbajtur së paku një pjesë të pushtetit, dhe ndoshta të ketë edhe ca mbështetje, në rast se këtë verë ndodh që kundër tij ngrihet akuza në lidhje me krime lufte në vitin 1999”, tha ai

“Por, në fund të fundit, si gjithmonë në rajon, janë ndikimet nga jashtë ato, pra qëndrimi i shteteve perëndimore, që do të luajnë rolin më të madh në këto zhvillime”, tha Reljic.

Lajme të ngjashme

Back to top button