RMV, këtë javë do të ngrihen çmimet e pemëve, perimeve dhe disa prodhimeve higjienike

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se në seancën e nesërme qeveritare, sipas të gjitha gjasave, do të miratohet vendim për ngrirjen e çmimit të një pjesë të prodhimeve higjienike, në të njëjtën mënyrë siç është bërë te prodhimet ushqyese. Qeveria do të miratojë vendim për ngrirjen e çmimeve edhe te 5-6 prodhime të pemëve dhe perimeve, njofton Portalb.mk.

“Po marrim masa për mbrojtjen e qytetarëve dhe tregun e brendshëm dhe nuk do të ndalemi me kaq. Pas ngrirjes dhe uljes së çmimeve të vezëve, orizit të bardhë, një pjese të produkteve të qumështit, një pjese të makaronave, bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, po bëjmë analizat për ngrirjen e çmimeve edhe të një pjese të produkteve higjienike. Deri në fund të kësaj jave do të marrim vendim për ngrirjen e çmimeve të disa frutave dhe perimeve. Ne vazhdojmë të mbrojmë buxhetin e familjes, nuk do të lejojmë që pasurimi personal të jetë në kurriz të qytetarëve”, njofton Bekteshi.

Kjo vjen, pasi që Ministria e Bujqësisë dje dha mbështetje për ngrirjen e çmimeve të një pjesë të prodhimeve higjienike.

“Nuk do të presim punë jopërkatëse të disa komisioneve në Kuvend me qëllim që të miratohen ligje që janë në interes të qytetarëve siç ishte ligji për uljen e TVSH-së për prodhime të caktuara higjienike. Me vendim të Qeverisë do t’i ulim çmimin e gamës së produkteve higjienike deri në datë të caktuar”, deklaroi Bekteshi.

Mes tjerash, ministri i Ekonomisë deklaroi se po bëhen analiza që prej 1 korrikut të miratohet tarifa e lirë e rrymës, për siç tha, pensionistët ose të papunët të cilët pjesën më të madhe të ditës e kalojnë në shtëpi, të shfrytëzojnë tarifë të lirë dhe t’i ulin shpenzimet.

Më 21, mars Qeveria e RMV-së i ngriu çmimet e vezëve dhe orizit. Çmimet janë ngrirë në nivelin që ata ishin në 15 mars, që do të thotë se ato nuk mund të shiten me çmime më të larta se çmimet në atë datë.

Kujtojmë se prej më 16 mars edhe zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë për zvogëlimin e çmimeve të pastave dhe prodhimeve të qumështit. Ndërsa më 28 shkurt Qeveria miratoi vendim për kufizimin e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë në 33 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button