Gjuha e urrejtjes, problem që s’po i gjendet zgjidhje

Gjuha e urrejtjes është një fenomen i cili karakterizon mediat dhe shoqëritë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, është thënë të premten në një konferencë rajonale të misionit të OSBE-së në Prishtinë. 
 
Aty u trajtuan format e gjuhës së urrejtjes nga çështjet ndëretnike, orientimi seksual, gjinia, shëndeti mental e të tjera.
 
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jean Claude Schlumberger ka thënë me këtë rast se institucionet dhe mediat kanë një përgjegjësi të madhe për t’u siguruar që të mos lihet hapësirë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes etnike apo mostolerancës në vend.
 
Sidomos në vendet që kanë dalë nga konfliktet e armatosura, siç është rasti me vendet e Ballkanit Perëndimor, kujdesi dhe evitimi i gjuhës së urrejtjes ka rëndësi shumë të madhe, ka thënë ambasadori Schlumberger.
 
“Adresimi i gjuhës së urrejtjes është një element shumë i rëndësishëm në fuqizimin e pajtimit pas konfliktit dhe në ndërtimin e besimit ndër etnik”, ka thënë shefi i misionit të OSBE-së.
 
Sipas tij, misioni i OSBE-së ka punuar shumë me të gjithë akterët e rëndësishëm, nisur nga mediat, ligjvënësit e shoqëria civile që çështja e gjuhës së urrejtjes të jetë sa më pak e pranishme apo edhe të pushoj fare.
 
Ndërkaq përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviq ka thënë se pavarësisht përpjekjeve të bëra, ende nuk është gjetur mënyra apo forma se si të rregullohet kjo çështje.
 
Sipas saj, gjuha e urrejtjes nuk është kur dikush thërret me emra ose thotë gjëra vulgare e provokative. Përderisa ka tërheq vërejtjen se politikanët duhet t’i pranojnë kritikat, ngase ato nuk janë gjuhë e urrejtjes.
 
“Jam lodhur me politikanët që mendojnë se kanë problem me gjuhën e urrejtjes kundër tyre dhe kjo duhet të ndalohet. Kjo është kritikë, ata duhet ta pranojnë kritikën. Kjo nuk është gjuhë e urrejtjes”, ka thënë Mijatoviq.
 
“Vetëm shprehjet që nxisin dhunë ndaj të tjerëve, duhet të ndalohen. Të gjitha fjalimet tjera pavarësisht se për çfarë problematike bëhet fjalë nuk duhet të ndiqen penalisht”, ka deklaruar ajo.
 
“Mendoj se më mirë është të kemi gazetari të keqe sesa të mos kemi fare, sepse në këso raste do të ishim në një errësirë dhe shoqëri të mbyllur ku asgjë nuk do të ishte e lejuar”, ka thënë Mijatoviq. 
 
Në debat u tha po ashtu se nuk duhet lejuar që për gjuhën e urrejtjes të krijohen ligje përmes së cilave qeveritë më pas do të mund të cungonin lirinë e shprehjes.

Cenimi i shprehjes së lirë, u tha se do të përbënte cenimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button