KULTI I PERSONALITETIT (I)

Muajin e kaluar Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës kryetarit të partisë më të madhe shqiptare të RMV-së i dhuroi një shtatore apo bust të tij të, realizuar nga një profesor universitar i artit, akt ky të cilit Ahmeti iu qas në mënyrë kritike: “Faleminderit, po paksa herët…” Para kësaj në vitin 2011 u botua një libër që titullohej I vërteti që i kushtohej ‘komandantit’, ‘figurës kyçe’ të 2001-shit. Javën e kaluar, nëpër rrjetet sociale u shpërfaq posteri “Ai po vjen!” që shenjonte gjithashtu “politikanin ikonik” të njëjtë, vizualizim ky që jepte mesazhin sikur në Shkup do të vinte një shpëtimtar apo një mesi i kohërave arkaike. Një medium lokal, TV Pollogu, “i inspiruar” nga shtatorja dhe posteri, na kërkoi një interpretim sociologjik lidhur me këtë fenomen që a ngjyrime kultizimi. Në vazhdim po japim versionin e përpunuar shkrimor të kësaj interviste lidhur me kultin e individt apo të personalitetit:

Çka është kulti i individit?

Kulti i personalitetit si një term pezhorativ përkufizohet si përkushtim i ekzagjeruar ndaj një lideri karizmatik politik, fetar, artistik ose tjetër (APA); si hyjnizim i liderit (deification of leader) në një shtet të propagandës (encyclopedia.com). Ky lloj kulti është rezultat i përpjekjes për të krijuar një imazh të idealizuar dhe heroik nga njerëzit, një grup apo qeveria përmes lajkave dhe lavdërimeve të padiskutueshme, përkushtimit të pakushtëzuar (unconditional commitment) ndaj një personi të caktuar. Është glorifikim i institucionalizuar kuazi-fetar i një individi specifik (Britannica). Ky kult është i dizajnuar për të mbështetur lidershipin karizmatik dhe megalomanik (BH, 2023), për forcuar pushtetin e këtyre “individëve të shenjtëruar”, për të madhëruar ideologjinë dhe për të përligjur qeverisjen e tyre.

Termi kult që trajtojmë këtu, lidhet me fenë, por ka dallim mes tyre; feja ka rregulla, nxit besimin në një fuqi mbinatyrore, te Zoti, jo atë te një individ i caktuar. Njerëzit që janë pjesë e kulteve adhurojnë një person të gjallë. Kultet janë më abuzive se sa religjionet. Por edhe në kuadër të feve ka ekzagjerime në respekt ndaj prijësve, papatit, klerikëve, shenjtorëve, guruve, të cilët shpallen si mesi, sistematizues të jetës fetare dhe më gjerë dhe në pseudofe madje edhe janë objekt adhurimi.

Në rrafshin politologjik kulti i individit, si simbolikë, lidhet me sistemet autokratike si Gjermania fashiste dhe Bashkimi Sovjetik komunist dhe ka një konotacion të fuqishëm negativ. Vende të ndryshme të botës kanë prodhuar figura mitike apo të kultit si Ataturku, Franco, Mussolini, Hitleri, Tito, Naser, Nehru, Homeini, Husejn, Gaddafi, Enver Hoxha, Çaushesku, Pinochet, Çavez, Kim Jong-Un etj. Do theksuar edhe kultin e personalitetit, të shëmbëlltyrave që kanë lënë gjurmë në historinë lokale dhe planetare, që përmenden për të mirë, si figura që kanë flijuar jetën për të mirën e popullit. I kësaj kategorie është venerimi publik i prijësve të famshëm të lëvizjeve shoqërore si Mahatma Gandi, Martin Luther King Jr., Çe Gevara, Nelson Mandela, Ibrahim Rugova etj. Ekziston edhe kategoria e “figurave legjendare” si Konfuci, Goethe, Einsteini, Tolstoi që njihen për dimensionin kulturor dhe shkencor. Sot vërejmë edhe kultin e personave të famshëm dhe të figurave sportive me ndikim si Michael Jordan, Messi… Këto dy kategori të fundit të kultit mund të quhen “soft” (të buta), autoriteti i tyre është tjetërfare, kanë impakt social shumë më të ndryshëm nga ai i figurave politike.

Si ndërtohet ky lloj i kultit?

Personi i kultizuar që konsiderohet shpëtimtar i ndjekësve ndërtohet në mënyrë të shkallshkallshme; gjithçka nis me komplimentet, lëvdatat, admirimin, respektin, brohoritjen dhe arrihet deri të hyjnizimi. Ky lloj i kultit “kultivohet” në mjedise abuzive, me vetëdije të ulët, ku promovohet adhurimi (adulation) publik i një personi të gjallë, ku kontrollohen zemrat dhe mendjet e njerëzve përmes propagandës dhe metodave të tjera të manipulimit dhe hipnotizimit. Personi i vetëshenjtëruar i kohës moderne  shfrytëzon mediat, gënjeshtrat, spektaklet, fjalimet, patriotizmin, madje edhe artin dhe demonstratat për të krijuar një imazh perfekt të vetin.

Shoqëria e konsideron atë si gjeni (cult of genius) për hir të të cilit flijohet jeta, me të njerëzit krijojnë lidhje më të fuqishme se sa ato me familjet e veta, atij i shkruhen e thuhen elozhe të skajshme, ekzagjeruese, maksimaliste, sikofanci (lajkatari e pasinqertë)… “Vincere e vinceremo” (Ngadhënje dhe ne do ngadhënjejmë) është një pamflet nga koha e Musolinit. “Rrofsh sa malet mësuesi ynë, lideri ynë, Shoku Stalin” shënonte një poster i publikuar në vitin 1946 që madhëronte vozhdin që qe personi lidhur me të cilin Nikita Krushovi më 1956 shpiku termin “kulti i personalitetit”, kur në Kongresin 20 të Partisë Komuniste denoncoi figurën e tij, faktikisht nisi “procesin e destalinizimit”. Disa thonë e se tre vjet para tij këtë togfjalësh  e ka përdorur Malenkovi, ca të tjerë flasin për një histori 200-vjeçare të këtij termi. Në kuptimin politik për herë të parë është përdorur në vitin 1877, në letrën që  Marksi i dërgoi vëllezërve Wilhelm ku kritikonte “adhurimin supersticioz të autoritetit”. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button