Vdiq roja e sigurimit pasi u qëllua me armë ndaj Top Channel

Një roje sigurie humbi jetën mbrëmjen e kaluar kur persona të panjohur qëlluan me armë zjarri në drejtim të selisë qendrore të televizionit kombëtar Top Channel në Tiranë, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Policia e kryeqytetit njoftoi se roja ishte punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve.

Krahas pikave të kontrollit policor në rrugë u ngrit menjëherë edhe grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, por deri tani mbeten të paqarta rrethanat, autorët dhe motivet e mundshme të sulmit.

Televizioni Top Channel raportoi se roja i sigurisë, Pal Kola, humbi jetën, pasi u qëllua me armë zjarri rreth orës një pas mesnate. Sipas drejtuesve të televizioni një automjet i djegur me targa të vjedhura, që dyshohet se u përket autorëve u gjet në autostradën e Kavajës, afro 30 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Udhëheqës institucionesh dhe partish politike e dënuan vrasjen duke kërkuar ndriçimin sa më të shpejtë të saj.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shkroi se “ngjarja kriminale vërtet e rëndë” ku humbi jetën roja Pal Kola dhe u qëllua ndërtesa e Televizionit Top Channel, duhet zbardhur sa më parë nga organet ligjzbatuese.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, theksoi se “sulmi me armë ndaj TV kombëtar Top Channel dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese”.

Drejtuesi i Partisë Demokratike të opozitës, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se sulmi me armë dhe vrasja e rojës së Top Channel “është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal”, të cilin e dënoi me forcë. “Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend”, theksoi zoti Alibeaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button