Nuk është “dramë familjare”, është femicid

Në garën për një lexueshmëri më të madhe, thelbi i rasteve të dhunës me bazë gjinore shpërfillet tërësisht, kurse zëri i viktimës vendoset në plan të dytë, madje shumë shpesh duke u bërë riviktimizimi i saj.

Autore: Bojana Jovanovska. Foto e marrë nga Respublica

Dhuna me bazë gjinore, si fenomen, po gjen gjithnjë e më shumë vendin e saj në diskursin publik, gjë që në mënyrë të konsiderueshme vjen si pasojë e rritjes së përfaqësimit të saj në raportet e përditshme gazetareske, që nga ana e saj ndoshta është rezultat i rritjes së rasteve që raportohen në institucionet përkatëse dhe/ose daljes së këtyre rasteve në sipërfaqe.

Megjithatë, përkundër debatit gjithnjë e më të shpeshtë për rastet e dhunës me bazë gjinore, por edhe për femicidin si formën më ekstreme të saj, pra vrasjen e një gruaje për shkak se është grua, dhe përkundër serisë së trajnimeve për punonjësit e medias mbi ndjeshmërinë gjinore, megjithatë, si duket ende hapësira jonë mediatike është shumë prapa në njohjen/identifikimin e problemit dhe emërtimin e duhur.

Nëse thjesht shfletoni apo lexoni titujt e postimeve për rastet e dhunës me bazë gjinore, do të hasni menjëherë fraza sensacionale si drama familjare, krim i tmerrshëm, dashuri tragjike, ngjarje e çuditshme, të cilat kanë të vetmin qëllim të zgjojnë kureshtjen e audiencës dhe kështu të përfitojnë më shumë lexues dhe klikime. Megjithatë, në garën për një lexueshmëri më të madhe, thelbi i rasteve të dhunës me bazë gjinore shpërfillet tërësisht, kurse zëri i viktimës vendoset në plan të dytë, madje shumë shpesh duke u bërë riviktimizimi i saj.

Senzacionalizmi në raportet e mediave për rastet e dhunës me bazë gjinore tenton të synojë lexuesin duke romantizuar dhunën dhe duke minimizuar kështu peshën e rastit, si dhe duke mbështetur dhe përforcuar rolin inferior gjinor të grave në shoqëri. Në vend që të tregohet dhuna si pasojë negative e ekspozimit ndaj sjelljeve kërcënuese për jetën nga një partner, ajo shpesh paraqitet në kontekstin e një marrëdhënieje intime mes një burri dhe një gruaje në një lidhje dashurie, duke dhënë ndonjëherë përshtypjen se jemi duke lexuar një roman romantik, e jo një kronikë të zezë.

Gjithashtu, mediat vazhdimisht demonstrojnë pandjeshmëri ndaj situatës së viktimave dhe duke këmbëngulur në marrjen e deklaratave të tyre të drejtpërdrejta, pra qëndrimi i mediave nuk ndryshon shumë nga viktimizimi i dyfishtë i institucioneve.

Roli i medias

Në shoqëritë si ajo maqedonase, ku kemi një strukturë të theksuar patriarkale, në të cilat rolet tradicionale gjinore dhe stereotipet gjinore ende ushqehen në masë të madhe, roli i mediave është i një rëndësie të veçantë, si në aspektin e promovimit të barazisë gjinore ashtu edhe në aspektin e parandalimit të dhunës me bazë gjinore.

Për rolin e mediave flet edhe Konventa e Stambollit, e cila është ratifikuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018. Duke marrë parasysh rolin e medias në çrrënjosjen e stereotipeve gjinore, Konventa inkurajon median të marrë masa për të nxitur ndryshimet në modelet sociale dhe kulturore të sjelljes së grave dhe burrave, me qëllim – zhdukjen e paragjykimeve dhe të gjitha praktikave të tjera që bazohen në idenë e inferioritetit të grave ose të roleve stereotipike gjinore.

Këto detyrime janë përkthyer në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ku tregohet funksioni parandalues ​​i medias, duke ndërmarrë masa promovuese për ndërgjegjësimin për të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, promovimin e barazisë gjinore dhe eliminimin e stereotipeve gjinore.

Roli i mediave është i një rëndësie të veçantë, si në raportimin e tyre për rastet dhe aktualizimin e problemit të dhunës me bazë gjinore, por edhe në mënyrën e prezantimit të tyre në raportet mediatike. Gjithashtu, media ka një rol të rëndësishëm në procesin e mbledhjes së të dhënave për rastet e dhunës me bazë gjinore, veçanërisht për femicidet. Duke pasur parasysh se në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka statistika zyrtare për numrin e femicideve, raportimet e mediave janë shpesh informacionet e para për rastet e dhunës.

Të dhënat e vetme jozyrtare për femicidet në vend janë të dhënat e mbledhura nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë në këtë fushë, të cilat shumë shpesh marrin informacionet e para për rastet përmes raportimeve në media.

Femicidi në media

Një nga analizat e femicideve nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje tregon se mediat përdorin gjuhë faktike, sensacionale dhe të pandjeshme gjinore në raportimet e tyre, pa bërë një analizë më të thellë të rasteve dhe pa kuptuar nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për problemin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vrasjen e grave si një aspekt i këtij lloji dhune.

Në një sondazh të fundit të Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore, u konstatua se duke sensacionalizuar femicidet dhe duke mos përdorur terminologjinë e duhur për këtë lloj vrasjeje, media demonstron pandjeshmëri ndaj viktimave dhe vetëm kontribuon në forcimin e stereotipeve gjinore. Në të njëjtën kohë, në një pjesë të madhe të raportimeve mediatike, mungon referenca për vrasjen si formë e dhunës me bazë gjinore dhe kompleksitetin e saj si problem shoqëror, si dhe informacion për veprimet e institucioneve.

Në këtë drejtim, edhe analiza për Femicidin në mediat maqedonase, të cilën e realizuam në shkurt të këtij viti me Institutin për Studime të Komunikimit, vuri në dukje kapacitetin shqetësues të ulët të mediave për të njohur apo identifikuar femicidin, si formën më të rëndë të dhunës me bazë gjinore. Qëllimi i kësaj analize ishte të përcaktonte se si pasqyrimi mediatik i rasteve të femicideve, si forma më e rëndë e dhunës me bazë gjinore, ndikon në vazhdimësinë e stereotipeve gjinore.

Nëpërmjet një analize të pothuajse 300 raportimeve gazetareske për femicidet në 6 muajt e fundit, u konstatua se media nuk e njeh fare dimensionin gjinor të vrasjeve dhe as nuk merr parasysh fenomenologjinë e femicideve, veçanërisht faktin se shumica e këtyre vrasjeve kryhen nga partnerë ose të afërm meshkuj, në banesën ku jeton viktima.

Të dhënat nga analiza konfirmojnë përdorimin e gjuhës sensacionale, veçanërisht kur krijohen tituj, për të tërhequr një numër më të madh lexuesish, shumë shpesh duke përdorur tituj clickbait, të cilët janë të pandjeshëm ndaj thelbit të çështjes dhe minimizojnë dhunën.

Përdorimi i terminologjisë së papërshtatshme nga vetëm një media mbart rrezikun e përhapjes së saj në raporte të tjera mediatike që shumë shpesh kopjojnë raportet dhe të njëjtat arrijnë një audiencë më të gjerë. Gjithashtu, raportimet mediatike nuk bëjnë korrelacion mes femicideve dhe aspektit institucional, pra nuk marrin fare parasysh rolin e institucioneve në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna, veçanërisht nëse dihet se mosbesimi në institucione është një nga faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e pamjaftueshëm të këtyre rasteve.

Është veçanërisht e rëndësishme që përmes raportimeve gazetareske për rastet e femicideve janë konstatuar shkelje të disa parimeve të raportimit etik, si mosidentifikimi i burimit të informacionit, plagjiaturë, mospërfillja e privatësisë së personit, si dhe prania e sensacionalizmit gjatë raportimit për aksidente dhe raste tragjedish familjare.

Analizat e deritanishme të dhunës me bazë gjinore në Maqedoni tregojnë për vetëdijen e pamjaftueshme të mediave për rolin e tyre dhe fuqinë që kanë për të parandaluar rastet e dhunës, si dhe për të krijuar një shoqëri më të barabartë gjinore.

Ndoshta pyetja se pse media mbetet ende prapa në këtë fushë, duhet t’i nënshtrohet një analize të mëtejshme, gjë që nuk do të thotë se do të kishin një arsye të justifikuar për mënyrën se si e bëjnë punën e tyre. Ekzistojnë parime të raportimit etik, të cilat qartazi nuk i respektojnë kur bëhet fjalë për raportimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht të femicideve.

Si fillim, ne mund t’i quajmë punët me emrat e tyre të vërtetë. Nuk quhet dramë familjare, por femicid.

Burimi: Respubllica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button