fbpx

Bombardues rusë i afrohen Kalifornisë

Avionët luftarakë amerikanë kanë ndërprerë bombardues rusë në brigjet e Alaskës dhe Kalifornisë gjatë këtij muaji, në ato që mund të konsiderohen si incidentet e fundit mes një serie përplasjesh ajrore mbi Paqësor.

Sipas zyrtarëve amerikanë të Mbrojtjes, katër bombardues të distancave të largëta “Tu-95 Bear-H”, të shoqëruar nga një anije çisternë, fluturuan mbi Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore amerikane, një zonë që i kalon 200 miljet nga brigjet e Amerikës së Veriut deri në Alaskë, ku ata hasën pengesën e avionëve luftarakë amerikanë “F-22”.

Dy prej bombarduesve rusë u tërhoqën dhe u drejtuan për nga Perëndimi, ndërsa dy të tjerë morën drejtimin për nga Jugu dhe u identifikuan më pas nga avionët luftarakë amerikanë “F-15”, vetëm 50 milje nga brigjet e Kalifornisë.

Kapiten Jeff Davis, një zëdhënës i Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, tha se ishte hera e parë që avionët amerikanë kapnin avionë ushtarakë rusë në brigjet e Kalifornisë, që prej 4 Korrikut 2012.

Zëdhënësi i Pentagonit, Kolonel Steve Warren, tha se besohet që avionët rusë të ishin me një mision stërvitor. Davis tha se ata ishin brenda të gjitha të drejtave të tyre gjatë fluturimit.

“Ata ndoqën të gjitha protokollet, madje ishte një përballje tepër profesioniste mes të dyja palëve”, tha ai. “Nuk pati asgjë mes veprimeve të tyre, që të ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.

Avionët rusë nuk kanë hyrë kurrë në territorin amerikan, i cili është zgjeruar me ligj ndërkombëtar me 13,8 milje (apo 22,2 km) nga brigjet amerikane.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close