Në kohë lufte në tokën evropiane, sistemi i alarmimit në vendin tonë nuk funksionon

Sistemi i lajmërimit dhe alarmimit në vendin tonë nuk është funksional. Nuk ka të dhëna se kur janë aktivizuar për herë të fundit sirenat për alarmim, por sipas personave përgjegjës, kjo ka ndodhur më shumë se 20 vjet më parë, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Kushtet e pasiguruara për paralajmërim të hershëm dhe identifikimin e rreziqeve ndaj sigurisë së qytetarëve ndikojnë në njoftimin me kohë të pjesëmarrësve në sistemin e menaxhimit të krizave, gjë që në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikon jetën dhe shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe të gjithë mjedisin jetësor, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pamjet nga Ukraina në të cilat shihet dhe dëgjohet se si në distancë ushtojnë sirenat duke paralajmëruar kështu rrezikun nga predhat dhe raketat kur Rusia filloi agresionin e saj kundër vendit u shpërndanë në mbarë botën. Një sistem të tillë alarmimi përdorin shumë vende, por jo vetëm për të paralajmëruar për rrezik nga një sulm ushtarak, por për të paralajmëruar për çfarë do rreziku për shëndetin dhe sigurinë e njerëzve apo qenieve të tjera të gjalla.

Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë sirena për paralajmërim, janë rreth 200 të tilla, por ka shumë gjasa që në rast rreziku ato të mos aktivizohen.
Në një kohë kur në territorin evropian po bëhet luftë – në Ukrainë, në vendin tone sirenat për alarmim nuk funksionojnë.

Gjatë kontrollimit të sistemit për parandalim dhe mbrojtje nga zjarret, revizorët zbuluan se Dekreti për Shenjat e Alarmimit nuk është i zbatueshëm sepse sistemi i alarmimit që është vendosur në vitin 1980 nëpërmjet sirenave të instaluara në territorin e të gjithë vendit, sot nuk është funksional.
Për njoftimin në kohë të pjesëmarrësve në sistemin e menaxhimit të krizave dhe të popullatës, dispozitat ligjore parashikojnë që Qendra e Menaxhimit të Krizave (QMK), si organ kompetent, të organizojë një sistem për lajmërim dhe alarmim.

Në vitin 2018 Qeveria miratoi Dekretin për shenjat e alarmimit, mënyrën dhe procedurat e alarmimit i cili i ka definuar shenjat e alarmimit me të cilat lajmërohet dhe alarmohet popullata nëpërmjet sirenave të instaluara. Këto shenja janë të unifikuara për të gjithë territorin e shtetit. Sipas Ligjit, për procedurat dhe mënyrën e përdorimit të sirenave vendos drejtori i QKM-së, ndërsa vendimi për kryerjen e alarmimit sillet mbi bazë të vlerësimit të ekzistimit të rrezikut.

“Me revizionin konstatuam se Dekreti është miratuar në vitin 2018, por nuk është i zbatueshëm, për shkak se sistemi i lajmërimit dhe alarmimit i cili daton nga viti 1980 nuk është funksional. Në të kaluarën ky sistem është vendosur me instalimin e sirenave në të gjithë territorin e vendit dhe nëpërmjet një studimi akustik është planifikuar të mbulohen të gjitha zonat e banuara. Personat përgjegjës informuan se për here të fundit sirena janë blerë në vitet 90 dhe nëpërmjet të tyre ka qenë i mundur transmetimi i fjalëve në distancë”, thuhet në Raportin Përfundimtar për Revizionin e Performancës së “Sistemit të menaxhimit me krizat dhe mbrojtjes nga zjarret“.

Për herë të fundit sirenat janë testuar para ndarjes së RSFJ-së

Sipas vlerësimit të personave përgjegjës të QKM-së, rreth 80 përqind e sirenave janë në gjendje të mirë, por për shkak të teknologjive të reja të komunikimit dhe mundësive të kufizuara për telekomandë, sirenat nuk funksionojnë, përveç se nëse bëhet aktivizimi individual i një sirene të caktuar. Kjo do të thotë se sirenat mund të ndizen vetëm nga afër, por jo edhe nëpërmjet një sistemi qendror në distancë.

Dekreti i vitit 2018 parasheh që QMK si organ kompetent të kryejë kontrolle dhe testime të rregullta të sirenave të sistemit të vetëm të alarmimit. Megjithatë, nuk dihet saktësisht se kur janë aktivizuar për herë të fundit këto sirena, ndërsa dhe autoritetet përgjegjëse kujtojnë se kjo ka ndodhur më shumë se njëzet vjet më parë.
“Deri në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të, një herë në javë bëhej testim i rregullshmërisë së sistemit. Por për shkak të, do thoshim, një momenti psikologjik – për shkak të shqetësimeve të qytetarëve të traumatizuar nga luftërat në rajonet e ish-RSFJ-së, këto testime u ndërprenë. Me kalimin e kohës, për shkak të pensionimeve dhe daljeve nga puna për arsye të tjera, personeli që e bënte këtë tani nuk punon më në QKM,”, thanë për Meta.mk nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.

Që nga pavarësia e shtetit, por edhe gjatë periudhës së sistemit të mëparshëm shoqëror kur jetonim në kuadër të një shteti më të madh të përbashkët të republikave jugosllave, pjesë të sistemit të alarmimit gradualisht u bënë jofunksionale dhe u shuan.

“Konkretisht, me kalimin e transmetimit të komunikimeve të Telekomit nëpër qytete nga “bakri në fibra optik”, në dekadën e parë të shekullit të 21-të, sistemet komanduese për aktivizimin në distancë të sirenave një nga një u vjetruan dhe u bënë jofunksionale. Disa nga sirenat ishin të vendosura në çatitë e kompanive që tani nuk ekzistojnë më, kështu që edhe ato sirena janë jashtë funksionit. Sot mund të konstatojmë se pjesa për aktivizimin në distancë të sirenave është tërësisht jofunksionale dhe sirenat ekzistuese mund të aktivizohen personalisht nga vendi i ndodhjes së tyre”, thonë nga QKM.

Nga QMK sqarojnë se sistemi është ndërtuar në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, sipas nevojave dhe mundësive të asaj periudhe me studimet e nevojshme akustike, përhapjes së atëhershme të qyteteve dhe karakteristikave të ndërtesave për banim dhe punë.

“Sot, ai sistem ashtu siç ka qenë i dimensionuar dhe i bërë nuk do të ishte në gjendje t’u përgjigjet detyrave (qytetet janë zgjeruar, dritaret kanë akustikë të ndryshme dhe gjëra të ngjashme fizike dhe teknike në mjedisin ku jetojnë njerëzit)”, sqarojnë nga Qendra për menaxhimin e krizave.
Nga atje shtojnë se tani nevojitet një modernizim me sisteme të reja optike për komandim ose alternative me radio sisteme ose me ndonjë mënyrë tjetër të rrjeteve virtuale. Por se për momentin nuk ka fonde për një sistem të ri dhe modern.

“Dy vite më parë, nga ana e ekipit menaxhues ekzistues në krye me drejtorin Stojançe Angellov, Qeveria dhe publiku në mënyrë transparente u informuan për nevojën e modernizimit të plotë të Sistemit të Alarmimit, por për momentin nuk ka mjete financiare për një gjë të tillë. Qendra e Menaxhimit të Krizave në mënyrë të pashmangshme, strategjike dhe transparente monitoron tendencat moderne për alarmimin e popullatës në rast rreziku, duke pasur parasysh se edhe ai sistem i përmirësuar dhe i ri i alarmimit mund të inkorporohet në Numrin Evropian të Urgjencës E-112”, thonë nga QKM-ja.

Në pritje të një sistemi të ri, për rrezik do paralajmërojmë mediat dhe “aktorët përgjegjës në shoqëri”
Në pyetjen se si do të paralajmërohej popullata në rast rreziku në kushtet e mosfunksionimit të sistemit të alarmimit, nga QKM-ja u përgjigjën se alarmimi është vetëm një nga mënyrat e paralajmërimit të hershëm.

“Ne kemi një sistem për zbulimin e hershëm të zjarreve në mjedis të hapur dhe është plotësisht funksional dhe funksionon në një platformë përmes internetit në mënyrë të ngjashme si sistemi i Bashkimit Evropian. Mënyra tjetër e paralajmërimit të hershëm që praktikohet vazhdimisht në vendin tonë është metoda me shkëmbim të vazhdueshëm të të dhënave dhe njoftimeve për rreziqe të caktuara natyrore në një hapësirë dhe kohë të caktuar, që realizohet bashkë dhe përmes mediave, si aktorë përgjegjës në shoqëri. ”, thonë nga QKM.

Në Dekret, në rast emergjence dhe në rast rreziku, parashihet që përmes sirenave të alarmimit të transmetohet një sinjal rreziku, por duke qenë se ato nuk funksionojnë, qytetarët do të marrin një telefonatë ose një mesazh në celularin e tyre, pas çka do duhet të kyçin radio dhe televizionet e tyre dhe të presin njoftime dhe rekomandime nga QKM-ja.

“Radiot, televizionet, gazetat ditore, mediat elektronike (portalet) dhe operatorët e rrjeteve dhe shërbimeve elektronike publike me kërkesë të Qendrës, njoftimet apo rekomandimet në rast rreziku dhe rreziku të mundshëm për gjësendet, shëndetin dhe jetën e popullatës nga fatkeqësi elementare -natyrore, fatkeqësi tekniko-teknologjike ose aksidentet industriale ose rrezikimit të drejtpërdrejtë të sigurisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë publikohen sipas mundësive të tyre teknike”, thuhet në nenin 21 të Dekretit për shenjat e alarmimit.

Përndryshe, sipas Platformës Kombëtare për Zvogëlimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, sipas së cilës është hartuar Plani i Veprimit për periudhën 2022-2024, është i domosdoshëm rindërtimi i të gjithë sistemit të alarmimit, sigurimi i funksionalitetit dhe modernizimi i tij, duke përfshirë metoda moderne të komunikimit me përdorimin e telefonave, internetit dhe rrjeteve sociale.

Sipas vlerësimit fillestar të QMK-së, vlera e këtij aktiviteti do të ishte rreth 25 milionë denarë, ose sipas revizorëve, mjete që do të ishin më shumë se 12 përqind e mjeteve financiare në dispozicion të institucionit.

Mirëpo, nuk dihet se kur do mund të modernizohej sistemi i alarmimit.

“Varësisht nga dinamika e zbatimit të projektit për përmirësimin e Numrit Evropian të Urgjencës E-112 (faza e dytë dhe e tretë) do ketë mundësi edhe për ndërtimin e një sistemi për alarmim krejtësisht të ri. Meqenëse bëhet fjalë për një qasje komplekse me përcaktim të nevojave të reja (disa studime – studime akustike, studime sipas rreziqeve dhe të ngjashme në lidhje me këtë temë), mundësive të alarmimit, teknikës së nevojshme bashkëkohore dhe personelit të trajnuar, sinqerisht mund të përgjigjemi se çdo afat për një datë për përfundim në këtë pikë do të ishte arbitrar”, përfundojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.

Meta.mk kontaktoi me disa profesorë universitarë – ekspertë të sigurisë dhe mbrojtjes civile, ekspertë të menaxhimit të krizave, por asnjëri prej tyre nuk deshi të komentojë për mosfunksionimin e sirenave të alarmimit.

Në ndërkohë revizorët paralajmërojnë se kushtet e pasiguruara për paralajmërim të hershëm, ndjekje të gjendjes, identifikim të dukurive dhe proceseve që përbëjnë rrezik dhe kërcënim për sigurinë e qytetarëve, ndikojnë në njoftimin në kohë të pjesëmarrësve në sistemin e menaxhimit të krizave dhe të popullatës, posaçërisht në rastet kur rreziqet dhe kërcënimet janë të përmasave më të mëdha, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikojnë jetën dhe shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe të gjithë mjedisin jetësor.

Maqedonia e Veriut është vendi më i sigurt nga vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi në nëntor ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski. Sipas Indeksit Global të Paqes, vitin e kaluar kemi qenë një ndër 36 vendet më të sigurta në botë.

Dhe përderisa mundësitë për një sulm ajrore, terrorist ose bërthamor janë të vogla, fatkeqësitë elementare – natyrore dhe fatkeqësitë e tjera janë të paparashikueshme, ndërkohë që rreziku i shfaqjes së tyre është gjithmonë i pranishëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button