Nxitja e zhvillimit ekonomik

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me ulje të zhvillimit. Përkundër shpresave se do të kenë rritje, lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë, ngadalësimi i rritjes globale, pandemia dhe shumë faktorë tjerë i trazuan edhe ashtu ekonomitë e brishta të rajonit. Inflacioni që nuk ndalet përshkak të mungesës së prodhimit dhe hapësirës prodhuese ekonomike, e bën të vështirë që të kemi një zhvillim të sigurtë ekonomik.

Sipas Bankës Botërore, në bazë të performancës së parë në vitin 2021, nivelet e punësimit arritën nivelet më të larta historike në disa vende deri në mesin e vitit 2022. Shkalla e papunësisë në Ballkanin Perëndimor ra në nivelin më të ulët historik prej 13.5 përqind deri në mesin e vitit 2022. Po ashtu, sipas “The Sustainable Development Goals Report 2022”, pandemia COVID-19 ka zhdukur më shumë se katër vjet përparim në uljen e varfërisë dhe gjithnjë sipas raportit, 93 milionë njerëz u varfëruan më shumë në vitin 2020.

Pavarësisht konflikteve, krizës së refugjatëve nga Lindja dhe Ukraina, pandemisë, me rëndësi është që shtetet e prekura nga kriza dhe ato të Ballkanit Perëndimor të kenë një strategji të zhvillimit ekonomik. Mos të harrojmë se planifikimi ka për qëllim ekonominë kombëtare dhe individin dhe ka për synim rezultatin në disa fusha si p.sh. rritjen e numrit të vendeve të punës, një jetë më të mirë për qytetarët, kushte më të mira për shtresën e varfër dhe të mesme, hapjen e bizneseve të reja, shitjen e prodhimeve vendore, rritjen e numrit të punëtorëve të kualifikuar etj etj.

Siç dihet, qeveritë e rajonit shumë pak kanë bërë për uljen e varfërisë dhe të hapjes së vendeve të punës dhe aspak në rritjen e numrit të punëtorëve të kualifikuar. Mungesa e tyre po vërehet nga ankesat e kompanive dhe ndërmarrjeve të vogla në Maqedoni të Veriut (MV) dhe në Shqipëri. Në ndërkohë, e gjithë situata është e lidhur me ikjen e fuqisë punëtore vendore nga Ballkani drejt shteteve të BE-së, përshkak të ligjeve të ashpra, kushteve të papërshtatshme, pagave të ulta dhe pasigurisë. Dhe jo vetëm kaq. Kur jemi tek pagat e ulta dhe pasiguria, mund të themi se janë një ndër faktorët kryesorë të ikjes së kapitalit njerëzorë jashtë vendit. Askush nuk ka besim në institucionet publike dhe as më pak në sektorin privat.

Natyrisht se me këtë largim të fuqisë punëtore dhe me standard të ultë, nuk do të kemi rritje dhe zhvillim ekonomik në rajon dhe as në Maqedoninë të V. Përkundrazi, ekonomi më të keqe mund të presim në Maqedoni të V. në vitet që vijnë. Ekonomia e një shteti që varet nga importi, donacionet e huaja dhe grantet prej organizatave ndërkombëtare, natyrisht se nuk mund të zhvillohet, pasi qëndron me injeksionet e jashtme, dhe kur pa masë bën shpenzime të kota qeveritare, atëherë rritja ekonomike bëhet e paparishikueshme dhe e vështirë. Faktor tjetër ka qenë korrupsioni me dekada dhe politikat qeveritare që i nënvizuam më lartë.

Në këtë drejtim Kongresi Amerikan ndërmori një nismë e quajtur si “Nisma për zhvillim, dhe prosperitet demokratik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor”- (2022), e cila kërkon të zgjerojë ndihmën teknike për zhvillimin e strategjive kombëtare kundër korrupsionit. “Korrupsioni është një ndër pengesat kryesore të zhvillimit të ekonomisë dhe degëve tjera të industrisë së lehtë”, thuhet në propozim ligjin amerikan. Gjithashtu aty theksohet se “promovimi i marrëdhënieve më të forta ekonomike, qytetare dhe politike midis vendeve në Ballkanin Perëndimor do t’u mundësojë vendeve të tilla të përdorin më mirë burimet ekzistuese dhe të maksimizojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre ekonomike duke rritur tregtinë në mallra dhe shërbime midis vendeve të tjera në rajon”.

Sipas Kongresit, efktiviteti i nismave ekzistuese të bashkëpunimit rajonal, të tilla si nisma e “Ballkanit të Hapur” dhe “Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor”, duhet parë në funksion të zhvillimit ekonomik. Përveç SHBA-së edhe BE-ja para dhe pas pandemisë ka derdhur miliona euro në pesë shtetet e Ballkanit për të përmirësuar ekonomitë. Me rëndësi është që të krijohet një ambient dhe bazë e mirë për zhvillim thelbësorë ekonomik. Ndryshe do të dukemi më keq se vendet e treta dikur, e që tash janë në një shkallë më të mirë ekonomike dhe zhvillimore se Ballkani Perëndimor.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button