Itali, për 24 orë kanë mbërritur mbi dy mijë emigrantë të parregullt

Ka shkuar mbi 2.000 numri i emigrantëve të parregullt të cilët kanë mbërritur në 24 orët e fundit në Itali duke kaluar Mesdheun, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e agjencisë italiane ANSA thuhet se vazhdojnë ardhjet e emigrantëve në ishullin Lampedusa e cila është pika më e afërt e Italisë me Afrikën.

Dje në ishull me 43 anije dhe gomone mbërritën 1.778 emigrantë të parregullt ndërsa 267 emigrantë të tjerë në natën që lidh ditën e premte me të shtunën të cilët u shpëtuan dhe u sollën në brigjet e ishullit nga anijet e Rojës bregdetare italiane dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Në të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Italisë, vihet në dukje se për periudhën 1 janar – 23 mars nga deti në Itali kanë mbërritur 20.379 emigrantë të parregullt, ndërkohë që kjo shifër për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë 6.518.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka tërhequr vëmendjen mbi situatën kritike financiare në Tunizi dhe ka deklaruar se 900 mijë persona rrezikojnë të kalojnë nga Afrika në Evropë.

Problemi i migrimit të parregullt në Mesdheun Qendror

Vitet e fundit është vërejtur lëvizje intensive në fluksin e migrimit të parregullt drejt Evropës dhe rrugëve të migrimit të parregullt në Mesdheun Qendror.

Në ditët kur kushtet e motit dhe të detit janë të mira, në Mesdheun Qendror intensifikohen lëvzijet e migrimit.

Emigrantët e parregullt që bëjnë thirrje për ndihmë nga deti, shpëtohen në përgjithësi nga organizatat e shoqërisë civile evropiane në vend të punonjësve shtetërorë evropianë. OJQ-të në fjalë, për shkak të dështimit të vendeve anëtare të BE-së për të siguruar një “strehë të sigurt” kanë vështirësi në evakuimin e emigrantëve të parregullt që shpëtojnë herë pas here.

Ndërsa vendi i parë ku mbërrijnë për herë të parë emigrantët të cilët mund të kalojnë Mesdheun vetë ose që shpëtohen, është në përgjithësi ishulli Lampedusa e cila është pika më e afërt e Italisë me Afrikën e Veriut.

Për shkak të përmbytjes së varkës ose mungesës së ajrit dhe ujit si pasojë e mbipopullimit në varka, shumë emigrantë të parregullt humbin jetën çdo vit teksa përpiqen të kalojnë Mesdheun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button