Kosovë, protestë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Partia Socialdemokrate në opozitë protestoi të shtunën para qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar siç thanë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, transmeton Zëri i Amerikës (VOA).

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj akuzoi kryeministrin Albin Kurti për siç tha dorëzim para kërkesave për t’i dhënë më shumë autonomi komunitetit serb në Kosovë, sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Ajo që po i ndodh Kosovës është e qartë autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë dhe po ashtu autonomi ose zona të veçanta që kanë karakter eksterritorial rreth kishave dhe manastireve ortodokse”, tha Molliqaj.

Kosova dhe Serbia u pajtuan javën e kaluar të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Në plan parashihet që të zbatohen edhe të gjitha marrëveshjet e arritura nëpër vite ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe.

Partitë opozitare e kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti se përmes marrëveshjes ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë me Serbinë ndërsa ka pranuar një autonomi shtesë për serbët e Kosovës, duke vënë theksin te koncepti “vetëmenaxhimi” që është në pikën e shtatë të marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se koncepti “vetëmenaxhim” që është përfshirë në marrëveshjen e arritur në Ohër nuk ka të bëjë me vetëqeverisjen dhe as vetadministrim, ndërsa theksoi se ka marr garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në themelimin e tij do të përfshihen kufizimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Marrëveshja e 18 marsit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mirëpritur në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore ndërsa po bëjnë thirrje në zbatimin e marrëveshjes, që pritet të përfshihet edhe si kriter për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button