Xhaxhai i studentes: Mbesa nuk u vetëhodh, dyshojmë se e vranë

Kujtim Belba: Nuk vuante nga depresioni dhe nuk mbeti në provim

Familja e studentes Iris Belba, e cila u hodh nga Sky Tower në Tiranë, dyshon se vajza është vrarë. Deklarata është bërë nga xhaxhai i Irisit, Kujtim Belba, vëllai i të atit të së ndjerës, Dashnorit, i cili e ka cilësuar si të pavërtetë edhe atë çka është thënë nga të afërm të tjerë të 22-vjeçares dhe nga shoqet e saj, që kanë deklaruar për media të ndryshme se Irisi vuante nga depresioni. Ai shpreh indinjatë dhe zhgënjim për mënyrën sesi kjo çështje është trajtuar nga institucionet e drejtësisë, që sipas tij nuk i kanë kontaktuar e pyetur. Ndërkohë, Kujtim Belba kërkon që të kryhet një hetim më i hollësishëm dhe që familjarëve të Irisit t’u vihet në dispozicion videoja që sipas tij do të nxjerrë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Mund të tregoni sesi e mësuat atë që kishte ndodhur?

Atë ditë, pak minuta pasi ndodhi ngjarja, na kanë lajmëruar në telefon dhe u nisa për në Tiranë së bashku me vëllain tim, Dashin, babanë e Irisit. Kjo ka qenë ngjarja më e rëndë që i ka ndodhur ndonjëherë familjes sonë dhe na ra si bombë. Jemi shokuar, jemi tronditur pa masë. Askush nga ne nuk e kishte menduar ndonjëherë se mund të ndodhte ndonjë gjë e tillë. Atë ditë Irisi kishte dalë nga shtëpia rreth orës 13.45. Ne e kemi marrë lajmin e kobshëm vetëm 25 minuta më vonë, rreth orës 14.10. Ajo kishte dalë si çdo ditë tjetër për të shkuar në shkollë pasdite. Kishte për të marrë ca materiale që i duheshin për mësimet. I kishte thënë nënës së vet, ishte veshur e bërë gati dhe pasi ishte përshëndetur më të ëmën kishte dalë.

Ju ka thënë gjë nëna e Irisit për gjendjen e saj?

Absolutisht asgjë. Madje Alda edhe këto ditë po thotë: “si më iku vajza ashtu, aq e qeshur, aq e lumtur”. Dukej shumë e gjallëruar ashtu siç ishte Irisi në çdo ditë të jetës së saj.

Shoqet e Irisit thonë se ajo ka pasur probleme me një provim. Si është e vërteta?

Nuk e di çfarë po thoni! Ku e vuante Irisi këtë gjë. Ajo ishte një vajzë e mbushur me energji pozitive dhe përherë ishte optimiste. Nuk e gjunjëzonin kurrë atë provimet. S’e kishte problem fare këtë gjë. Ajo mësonte shumë dhe shkolla ishte diçka e lehtë për të. Madje, ajo ishte në vitin e fundit për ekonomik dhe duke qenë se i pëlqente sfidat e ishte kërkuese ndaj vetes kishte filluar edhe juridikun. Ajo ishte shumë e mirë në të dyja degët që studionte.

Po me çfarë lidhet vendimi i mbesës për vetëflijim?

Unë s’di dhe nuk e kuptoj pse duhet ta quajmë vendim të vajzës atë që ka ndodhur kur ende nuk e ka thënë fjalën e saj drejtësia. Kjo është e para që doja të sqaroja, tjetra; dua të sqaroj për të gjithë që ta dinë, se Irisi e linte provimin kur merrte nëntë, pasi donte që herën tjetër të merrte notën maksimale, 10-n. S’ka pasur kurrë ajo probleme për notë kaluese, asnjëherë. Nuk kishte asnjë mundësi që ajo të ndodhej në një situatë të tillë, pasi kishte kapacitete më të larta sesa bashkëmoshatarët e saj.

Pra, sipas jush, ajo nuk ka pasur shqetësime, nuk ka vuajtur nga depresioni ashtu siç është thënë nga të afërm apo të njohur të tjerë të familjes Belba?

Irisi me depresion? Jo, asnjëherë s’ka pasur depresion. Kaq duhet ta kuptoni, se nëse do të kishte pasur shenja të tilla, ne do ta kishim kuruar, sepse i kishim të gjitha mundësitë që ta trajtonim si duhej vajën nga ana shëndetësore. Nuk e di nga kanë dalë këto supozime.

Mund të na tregoni diçka rreth jetës që bënte Irisi?

Ajo bënte një jetë normale, do të thosha një jetë të mirë. Vëllai im, Dashnori, u ka plotësuar gjithmonë gjithë kushtet si Irisit, ashtu edhe të vëllait të saj. Edhe pushimet verore i bënte ose në Greqi te vëllai tjetër i yni, pra tek xhaxhai tjetër, ose në Gjermani te të afërmit e tjerë. Irisi ka bërë një jetë që shumë vajza në moshën e saj mund ta ëndërrojnë. Ajo dukej gjithmonë e lumtur dhe të bënte të ndiheshe mirë kur ishe pranë saj. Ndërkohë, me sa di unë, shoqe të ngushta në universitet, në Tiranë nuk kishte. Ajo vazhdonte miqësinë me shoqet, me të cilat mbaroi maturën këtu në Fier. Ajo ishte një vajzë që e dinte se çfarë donte dhe dinte t’i zgjidhte shoqet me kujdes. Nuk di të ketë pasur as ndonjë lidhje intime. Madje kur e pyesnim ne ose i thoshim duke qeshur ndonjë fjalë, ajo na thoshte se nuk i interesonte kjo çështje.

Po ndonjë konflikt në familje…?

Jo, s’ka pasur asnjëherë probleme të tilla. Ata e kanë zgjedhur vetë njëri-tjetrin dhe kanë shkuar shumë mirë gjithmonë. Këtë harmoni ata e përcillnin edhe te dy fëmijët e tyre.

Po vëllai juaj, Dashnori, pësoi infarkt kur mësoi lajmin?

Jo, nuk është e vërtetë që pësoi infarkt. Këto janë spekulime të kota. Kuptohet që nuk është mirë se është lënduar sa më s’ka për vajzën që nuk e ka më pranë.

Ju dyshoni që ajo nuk është vetëhedhur nga lartësia?

Nuk mendoj se ajo ka dashur të ikte nga kjo botë. Ajo e donte jetën më shumë se të gjithë dhe kishte më shumë arsye se gjithë të tjerët që të gëzonte. Irisi kishte gjithçka që donte. Askush nuk mund të thotë apo të mendojë se ajo iku se deshi. Ne si familje dyshojmë që Irisin dikush e ka hedhur, nuk mendojmë se ajo u hodh vetë. Prandaj ne kërkojmë nga drejtësia të hetojë siç duhet e të na japë një rezultat të qartë mbi gjithë ngjarjen.

Pse dyshoni se e kanë hedhur?

Ne e njihnim mirë vajzën tonë. Ajo kishte tjetër temperament. Kishte personalitet e karakter të fortë. Ishte vajzë që dinte kush ishte dhe dinte ku do të shkonte. Ajo kishte ëndrra, të cilat ia tregonte nënës së vet. Synonte shumë në jetë dhe këto i kërkonte t’i arrinte me punë. Ne këto dy ditë, duke dëgjuar ato që dëgjuam në media, hapëm librat dhe sendet e saj. Kemi gjetur vetëm konspekte e leksione, shënime shkolle e gjithçka që e karakterizon një njeri të shkolluar. Nuk gjetëm asnjë shënim ku ajo paralajmëronte se vuante nga diçka apo donte të largohej nga kjo botë. Prandaj ne duam të zbardhet e vërteta, se kush na e hodhi Irisin nga lartësia.

Keni ndonjë fakt që ju të dyshoni këtë që po thoni?

Sot kanë kaluar katër ditë që nga ngjarja dhe në derën tonë s’ka ardhur asnjë polic, asnjë hetues, asnjë prokuror, askush. Të vetmit që po interesoheni jeni ju, askush nuk është interesuar deri tani për qëndrimin dhe mendimin tonë. Si mund të artikulohet vetëvrasje kur çështja është ende në hetim. Shteti duhet të flasë e të tregojë të vërtetën. Duam të na sigurojnë materialet filmike sepse ambienti ruhet me kamera. Edhe teknikisht Irisi nuk mund ta kalonte rrjetën. Ishte dy metra e lartë rrjeta. Ajo nuk ka qenë ndonjë vajzë që merrej me sport e që mund ta kapërcente rrjetën pa asnjë problem. Këto janë faktet që ne dyshojmë se ajo nuk mund të jetë vetëvrarë. Deri tani s’na është dhënë as përgjigjja e autopsisë, jemi ne që duhet ta dimë të parët.

Çfarë kërkoni nga shteti?

Kërkojmë që të zbardhen gjithë rrethanat që çuan në vdekjen e Irisit. Në një njoftim paraprak të policisë thuhej se njërës nga shoqet i kishte thënë vajza jonë që do të vetëvritej. Ku e kanë atë vajzë? Pse nuk na e tregojnë edhe ne? Çfarë janë këto që thuhen. E vërteta duhet zbardhur, nuk duhet mbuluar. Jo të thuhet rruga më e shkurtër se u vetëvra, ne jemi të bindur se ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë. Shteti dhe institucionet e drejtësisë të gjejnë fajtorët! (Gazeta Shqip)

Lajme të ngjashme

Back to top button