Tuberkulozi, ende i pranishëm në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut gjatë 15 vjetëve të fundit në vazhdimësi shënon ulje numri i të prekurve nga tuberkulozi, bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore. Megjithëkëtë shtojnë se kjo sëmundje ende mbetet e pranishme në vend.

Gjatë vitit të fundit në Maqedoninë e Veriut janë prekur nga tuberkulozi 141 persona.

Besnik Zeqiri, drejtor i Institutit për sëmundje të mushkërive te fëmijët, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga fillimi i vitit e deri më tani në Klinikën për fëmijë janë pranuar 11 fëmijë me këtë sëmundje.

“Gjatë pandemisë numri i pacientëve të pranuar në klinikë ishte më i vogël, pra gjatë asaj kohe ne kishim 5 deri 6 fëmijë të hospitalizuar me tuberkuloz brenda vitit.
Po nga ky vit, ne vetëm brenda tremujorit të parë kemi 11 fëmijë të hospitalizuar me tuberkuloz dhe 20 fëmijë të tjerë, të cilët janë në fazën latente të kësaj sëmundjeje”, bën të ditur Zeqiri.

Në fund të shkurtit betejën ndaj tuberkulozit e ka humbur edhe një foshnje 9-muajshe. Si rrjedhojë e komplikimeve me frymëmarrjen për shkak të sëmundjes së tuberkulozit në spital është trajtuar nëna e foshnjës, derisa pozitivë nga kjo sëmundje kanë rezultuar edhe babai dhe tre fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, por pa simptoma.

Avokati i Popullit ka bërë të ditur se me vetiniciativë ka proceduar hetimet për këtë rast për të kërkuar përgjigje rreth kushteve, kujdesit si dhe ushqyerjes së foshnjës 9-muajshe si dhe përkujdesjen nga ana e shërbimeve sociale.

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut theksojnë se vaksina, kontrollet e rregullta dhe mirëqenia sociale mbeten mbrojtja më e mirë nga tuberkulozi.

“Për fat ët keq kohën e fundit kemi njerëz që merren me dezinformata shmangin vaksinimin e fëmijëve – siç është grupi anti-vaksinë – dhe është shumë gabim pasi gjithmonë duhet të merren vaksinat”, thekson Zeqiri duke shtuar se faktor tjetër i shfaqjes së tuberkulozit mbetet fakti se Maqedonia e Veriut mbetet në grupin e vendeve ku ka më shumë familje që nuk kanë shtëpi por në ambiente të hapura që që paraet rezik ndaj ekspozimit të kësaj sëmundjeje.

Mjekët, gjithashtu, theksojnë rëndësinë e mjekimit me kohë dhe në mënyrë adekuate të tuberkulozit, pasi një i prekur me formë aktive të tuberkulozit, nëse nuk mjekohet, mund të infektojë 10-15 persona.

Ministria e Shëndetësisë thotë se vaksinat janë të sigurta

Vaksinimi kundër tuberkulozit është i detyrueshëm dhe vaksina e parë realizohet në maternitet, menjëherë pas lindjes së foshnjave derisa t’i mbushë dy muaj.

Ata fëmijë që për arsye të ndryshme nuk arrijnë ta marrin këtë vaksinë derisa t’i mbushin dy muaj, atë mund ta marrin deri në 12 muaj.

Autoritetet shëndetësore nuk kanë dhënë detaje për sa i përket përfshirjes së popullsisë me këtë vaksinë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë vaksinat janë të sigurta dhe se të gjitha vaksinat e importuara në vend posedojnë dokumentacion shoqërues që vërteton cilësinë e tyre. Ky dokumentacion vlerësohet në mënyrë plotësuese nga një ekspert në Institutin e Shëndetit Publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button