U mbajt trajnim treditor në temë “Lufta kundër dezinformatave dhe verifikimi i fakteve”

Dhjetëra të rinj nga rajoni Jugperëndimor dhe Rajoni i Pellagonisë morën pjesë në trajnimin treditor për luftë kundër dezinformatave dhe verifikimin e fakteve, që u mbajt në Strugë nga data 22 deri më 24 mars. Trajnimi u organizua nga Fondacioni Metamorfozis bashkë me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (International Center For Journalists – ICFJ), raporton Portalb.mk.

Trajnues ishin tre gazetarë, kryeredaktori i Vërtetmatësit, Vlladimir Petreski, redaktorja e Meta.mk, Meri Jordanovska dhe John Greenberg nga shërbimi amerikan për verifikimin e fakteve, Polifact.

Trajnimi përfshinte një kombinim të teorisë dhe punës praktike, duke filluar nga mënyrat se si përhapen dezinformatat dhe propaganda, si dhe për atë se nga vjen dukuria bashkëkohore e narrativave dezinformative. Pastaj u ndanë shembuj të njoftimeve të rreme në Maqedoninë e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në trajnim u fol edhe për mënyrat dhe rregullat e përgjithshme për zbulimin e deklaratave dhe njoftimeve për të cilat mund të bëhet verifikim i fakteve, ndërsa u shpjegua edhe metodologjia dhe teknikat e verifikimit të fakteve.

Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe kishin për detyrë të gjejnë deklaratën e duhur për të cilët mund të bëhej verifikim i fakteve.

Trajnimi përfshinte edhe informim në lidhje me përmbajtjet më të përhapura të cilat përmbajnë dezinformata, por edhe u dhanë rekomandime për atë se si mund të mbrohen gazetarët nga shpërndarja e informacioneve jo të plota, keqdashëse, të manipuluara dhe nga burime jo të besueshme. Gjithashtu, u ndanë dhe u testuan më shumë mjete të provuara që përdoren gjatë verifikimit të fakteve.

Trajnuesit i kushtuan mjaft vëmendje edhe shembujve të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, që është vepër penale. U shpjeguan edhe bazat e sistemit të vetërregullimit të mediave. Për fund, si pjesë e punës në grup pjesëmarrësit kishin për detyrë të krijojnë konturat e një verifikimi të fakteve.

Të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata për përfundimin me sukses të trajnimit.

This slideshow requires JavaScript.

Përndryshe ky event është pjesë e Programit “Gazetari për gjeneratën e re: Programi për trajnim mediatik“ i Fondacionit Metamorfozis në partneritet me Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ), ndërsa është realizuar me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.

Ky është trajnimi i dytë nga gjithsej katër trajnime që do të mbahen në kuadër të këtij programi, i cili ka edhe një element garues. Konkretisht, pjesëmarrësit më të mirë të katër trajnimeve do të kenë mundësinë të jenë praktikantë në njërën nga tri mediat në kuadër të Fondacionit Metamorfozis, Meta.mk, Portalb.mk dhe Vistinomer.mk. Dy prej tyre do të shkojnë në një vizitë studimore njëjavore në SHBA të organizuar nga ICFJ.

Të rinjtë nën moshën 29 vjeçare që janë nga Rajoni Juglindor dhe Rajoni i Vardarit së shpejti do të mund të regjistrohen në trajnimin e tretë të radhës në kuadër të programit me temë Gazetaria e bazuar në të dhëna dhe vizualizimi i të dhënave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button