Strategjia e hazreti Omerit r.a. në përzgjedhjen e pasardhësit të tij

Omeri r.a. vazhdoi interesimin e tij për unitetin e ymetit dhe të ardhmen e tij deri në momentet e fundit të jetës së tij, pavarësisht nga ajo që në momentet e fundit të jetës vuante nga dhimbjet e plagëve të rënda. Nuk ka dyshim se ato momente ishin momente unike, me ç ‘rast shfaqet bindja e thellë e Omerit r.a. dhe sinqeriteti i tij i pashoq.

Ai shpiku një metodë të re e cila nuk qe e njohur më parë në zgjedhjen e halifit të ri.
Sigurisht ky hap ishte një dëshmi e prekshme dhe një shenjë e qartë e të kuptuarit të tij të thellë ndaj politikës së udhëheqjes së shtetit. I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., kishte kaluar para tij në botën tjetër dhe ai nuk kishte caktuar askënd pas tij si udhëheqës të pushtetit, me një tekst të qartë. Ndërsa kur Ebu Bekri r.a. kaloi në botën tjetër propozoi që pas tij të vinte në pushtet Omeri r.a.. Këtë propozim e bëri pas konsultimit të tij me sahabët e njohur. Kur Omerit r.a., duke qenë në shtratin e vdekjes, ju kërkua që ta propozoj një pasardhës pas tij, ai u mendua me kujdes dhe vendosi që të përdorte një metodë tjetër e cila do të ishte e përshtatshme për rrethanat e krijuara. Ai e dinte se i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., kur u largua nga kjo botë, të gjithë njerëzit e dinin epërsinë dhe vlerën e Ebu Bekrit ndaj të tjerëve, prandaj edhe mundësia e kundërshtimit ishte minimale, veçmas kur dihej se Pejgamberi a.s. edhe teorikisht, por edhe praktikisht kishte aluduar se më meritori pas tij, në udhëheqje, do të jetë Ebu Bekri r.a.. Ndërsa kur Ebu Bekri r.a. emëroi Omerin pasardhës, e dinte se të gjithë sahabët kishin bindjen se Omeri ishte më i fuqishmi dhe më i miri, që do ta mbante këtë përgjegjësi pas tij, kështu që ai e emëroi atë si pasardhës pasi u konsultua me sahabët e vjetër, dhe asnjëri prej tyre nuk ishte kundër mendimit të tij, gjë që u arrit konsensusi për zotimin ndaj Omerit r.a. si udhëheqës.
Sa i përket metodës së zgjedhjes së halifit të ri, të cilën e kishte menduar Omeri r.a., kjo metodë bazohet në parimin e Shurës-konsultimit të një numri të kufizuar. Ai i përcaktoi 6 persona nga sahabët-shokët e të Dërguarit të Zotit a.s.. Që të gjithë ata ishin kompetent dhe të përshtatshëm për të marrë përsipër çështjen e udhëheqjes, edhe pse mes tyre kishte dallime. Ai e specifikoi mënyrën dhe kohëzgjatjen e zgjedhjes, numrin e votave të mjaftueshme për të zgjedhur halifin, numrin e votave në kuvend, si dhe referencën se si të veprohet nëse numri i votave është i barabartë. Ai gjithashtu dha urdhrin që një grup ushtarakësh ta monitoronin procesin e zgjedhjeve në kuvend, në rast nevoje të ndërhyjnë ndaj atyre që shkelin rendin dhe konsensusin e grupit, si dhe të parandalojnë kaosin. Detyrë e tyre gjithashtu ishte edhe mos lejimi i askujt që të hyjë apo të dëgjojë se çfarë bëhet në këshillin për zgjedhjen e halifit.

Numri i sahabëve të cilët Omeri r.a. i përcaktoi që të jenë pjesë e Këshillit Konsultativ dhe emrat e tyre

Numri i sahabëve në kuadër të Këshillit Konsultativ ishte gjashtë. Ata ishin: Ali ibën Ebi Talibi, Osman ibën Afani, Abdurrahman ibën Avfi, Sead ibën Ebi Vekasi, Zubejr ibën Avami dhe Talha ibën Ubejdilah r.a. Ndërsa Seid ibën Zubejri, edhe pse ishte prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me Xhenet, hazreti Omeri r.a. nuk e futi në kuadër të Këshilli. Ndoshta këtë Omeri r.a. e bëri për shkak se Seidi ishte nga fisi i tij, dhe siç ka qenë e ditur, Omeri r.a. ishte shumë i kujdesshëm në këtë pikë dhe asnjëherë të afërmve nuk u jepte pozita udhëheqëse, edhe pse në mesin e tyre kishte njerëz mjaft kompetent dhe të zotët.

Mënyra e përzgjedhjes së kalifit

Ai i urdhëroi ata që të mblidhen në shtëpinë e njërit prej tyre dhe të konsultohen. Në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibën Omeri në cilësinë e këshilltarit, dhe nuk kishte asnjë lidhje me çështjen e votimit. Namazin ua falte Suhejb err-Rrumi të cilit Omeri r.a. i tha: “Ti je prijësi-imami i namazit në këto tri ditë.” Këtë, Omeri r.a. e bëri me qëllim, që asnjëri prej atyre të gjashtëve të mos jetë prijës në namaz, dhe një gjë e tillë të konsiderohet si përparësi ndaj tjerëve. Ndërsa Mikdad ibën Esvedin dhe Ebu Talha el-Ensariun i urdhëroi që ta monitorojnë zhvillimin e procesit zgjedhor.

Afati i zgjedhjeve ose i konsultave

Këtë afat e përcaktoi vetë Omeri r.a., dhe ishte tre ditë, duke llogaritur se është kohë e mjaftueshme për të arritur deri te një konsensus. Ai i porositi ata duke ju thënë: mos të vijë dita e katër e ju ende nuk e keni përcaktuar njërin prej juve udhëheqës.

Numri i votave të mjaftueshme për zgjedhjen e kalifit

Ibën Seadi përcjell me transmetim të saktë i cili thotë se Omeri r.a. i kishte thënë Suhejbit: “Falu namazin tri ditë, ky grup le të qëndrojnë në shtëpi, nëse arrijnë marrëveshje për njërin prej tyre, atëherë ai që i kundërshton le t’i hiqet koka.”
Omeri r.a. urdhëroi që të ekzekutohet ai i cili kundërshton grupin, prish unitetin e myslimanëve dhe fut përçarje mes tyre, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s.: “Kush paraqitet pranë jush duke qenë ju të bashkuar ndaj një personi, dhe dëshiron të prish unitetin tuaj dhe të shkaktoj përçarje, atëherë mbyteni atë.”(1)

Zgjidhja në rast të mospajtimit

Omeri r.a. i kishte porositur që në mesin e tyre të jetë edhe Abdullah ibën Omeri, i cili nuk do të ketë ndonjë ndikim në proces. Mirëpo Omeri ju tha atyre: “Nëse vini në pozitë ku tre janë për njërin, ndërsa tre janë për tjetrin, atëherë merreni mendimin e Abdullahut dhe përzgjidheni nga grupi për të cilin përcaktohet Abdullahu. E nëse edhe me këtë nuk pajtoheni, atëherë përzgjidheni nga grupi në të cilin është Abdurrahman ibën Avfi, të cilin e kishte cilësuar si njeri të mençur duke thënë: Abdurrahmani është njeri i mençur, mendimet e tij janë të matura, ka mbrojtje nga Zoti prandaj dëgjojeni.”

Një grup ushtarakësh monitorojnë zgjedhjet dhe parandalojnë kaosin

Omeri r.a. kishte kërkuar nga Ebu Talha duke i thënë: “ O Ebu Talha, nuk ka dyshim se Zoti xh.sh. e ka ndihmuar këtë fe përmes jush, andaj përzgjedh pesëdhjetë burra nga mesi i ensarëve dhe përkujdesuni ndaj këtij grupi derisa ta zgjedhin njërin prej tyre.”
Ndërsa Mikdad ibën Esvedit i kishte thënë: “Kur të më varrosni, atëherë tuboni këtë grup njerëzish në një shtëpi derisa ta zgjedhin njërin prej tyre.”

Omeri r.a. bashkoi ndërmjet metodës së caktimit dhe moscaktimit të pasardhësit

Me këtë metodë Omeri r.a. bashkoi ndërmjet metodës së caktimit të udhëheqësit, siç kishte vepruar Ebu Bekri r.a., dhe mes metodës së moscaktimit të udhëheqësit, siç kishte vepruar Pejgamberi a.s.. Ai përcaktoi gjashtë persona dhe kërkoi prej tyre që të konsultohen dhe në fund ta zgjidhnin njërin prej tyre.

Konsulta nuk ishte vetëm në mesin e të gjashtëve

Omeri r.a. ishte i vetëdijshëm se konsulta nuk do të realizohej vetëm në mesin e gjatë personave të cilët i kishte përcaktuar, mirëpo ajo do të përfshijë edhe shumë mendime të njerëzve të tjerë në Medine rreth përcaktimit të halifit, për atë, ai iu dha afat tre ditë. Gjatë kësaj periudhe ata kanë mundësi që të konsultohen, të marrin mendime të ndryshme dhe në fund të vijnë deri te një mendim unik se kush është më meritori për ta udhëhequr shtetin. Kjo ngase në Medine ishin shumica e sahabëve, dhe myslimanët që ishin jashtë Medinës ishin pasues të tyre kur ata ishin kompakt për një mendim, sepse deri në atë kohë, viti 23 hixhrij, Medina ishte vendi i sahabëve sepse shumica e sahabëve të vjetër ishin aty dhe Omeri r.a. i kishte urdhëruar ata që t’i qëndrojnë afër dhe mos të shpërngulen në provincat të cilat ishin çliruar.

Këshilli Konsultativ si organi më i lartë politik

Omeri r.a. ia besoi Këshillit Konsultativ përzgjedhjen e kalifit nga mesi i tyre. Është me rëndësi të potencohet me këtë rast se asnjëri prej anëtarëve të Këshillit Konsultativ

nuk e kishte refuzuar këtë vendim të cilin e kishte marrë Omeri r.a.. Gjithashtu as sahabët e tjerë nuk kishin shfaqur asnjë kundërshtim ndaj këtij vendimi. Këtë e themi duke u mbështetur në tekstet të cilat i kemi në duart tona. Ne nuk dimë që në atë kohë është prezantuar ndonjë mendim apo alternativë tjetër e zgjedhjeve. Ose të ketë ndodhur ndonjë kundërshtim në momentet e fundit të jetës së Omerit r.a. ose pas vdekjes së tij. Mirëpo të gjithë njerëzit e kishin pranuar një propozim të tillë, duke llogaritur se një veprim i tillë është në të mirë të të gjithëve. Në rrethanat tona ne mund të themi se Omeri r.a. kishte përzgjedhur një organ të lartë politik, detyra e të cilit ishte zgjedhja e kryetarit të shtetit, ose halifit. Këtë sistem të ri kushtetues të cilin e kishte propozuar Omeri r.a. me mençurinë e tij nuk bie në kundërshtim me parimet esenciale të cilat i ka vendosur feja islame, veçmas asaj që ndërlidhet me Këshillin Konsultativ.
Në këtë mënyrë Omeri r.a. e përfundoi jetën e tij. Atë nuk e shpërqendroi fatkeqësia e cila e goditi, e as agonia e vdekjes që të kujdeset për rregullimin e punëve të myslimanëve. Ai vendosi një sistem të drejtë konsultimi që askush nuk i parapriu. Ne nuk kemi aspak dyshim se parimi i konsultimit është i bazuar në Kuran dhe në traditën teorike dhe praktike të Pejgamberit a.s.. Ajo që bëri Omeri, ishte të specifikonte metodën me të cilën do të zgjidhte halifin dhe të kufizonte një numër të caktuar në mesin e tyre, e këtë nuk e bëri i Dërguari a.s., e as Ebu Bekri r.a. I pari që e bëri këtë ishte Omeri dhe ishte ide e qëlluar, ishte metoda më e mirë dhe më e përshtatshme për gjendjen e sahabëve në atë kohë.

1. Në disa libra të historisë potencohet se Omeri r.a. e ka urdhëruar këtë grup që të ulen dhe të konsultohen për çështjen e zgjedhjes së halifit. Ju ka thënë se nëse pesë prej tyre janë dakord për njërin dhe një kundërshton, atëherë atij që kundërshton t’i hiqet koka, gjithashtu nëse katër prej tyre janë të një mendimi dhe dy kundërshtojnë atyre dyve t’ju hiqet koka. Këto transmetime nuk janë të sakta. Janë transmetime të shpifura, të cilat i ka transmetuar Ebu Mihnefi i cili i përket sektit “Imamij” të shiave.

Dr. Ali es-Sallabij
Përktheu nga gjuha arabe: Mr. Vedat Shabani
Burimi: https://www.aljazeera.net/ blogs/16/12/2021

Burimi: Islamgjakorava.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button