Muaji i observimit

Mbrëmë me fëmijët në shtëpi lexuam një tregim të bukur që quhej “Bota e çudirave”. Ishte një tregim shumë i bukur i shkruar nga Thomas Berry që reflektonte mbi mënyrën se si njeriu e ka vendosur veten e tij në qendër të gjithçkasë, e ka trajtuar gjithë botën dhe planetin tonë si diçka në shërbim të tij dhe e ka ekzagjeruar eksploatimin e natyrës dhe njerëzve të tjerë gjer në atë masë sa që e ka vendosur gjithë racën njerëzore në rrezikun e zhdukjes. Lajtmotivi kryesor i këtij tregimi është se njeriu i preokupuar me veten e tij, me egon e tij dhe me mendimin se gjithçka duhet t’i shërbejë atij, ka harruar të shikojë. Po pra, të shikojë me vëmendje atë që ndodh rreth tij, me natyrën, me planetin, dhe me gjithçka që ai e ka shpallur të tij, duke përfshirë këtu edhe njerëzit tjerë.

Ky preokupim i madh me vetveten trajtohet në mënyra të ndryshme në të gjitha religjionet dhe mësimet spirituale, e në veçanti në religjionin islam, ku ata që janë vërtet spiritualë e kuptojnë një herë e mirë që egoja është armiku më i madh i njerëzimit.

Muaji i Ramazanit që sapo ka filluar duhet të jetë pikërisht luftë ndaj egos. Ky muaj duhet të na i hapë sytë që të shohim më mirë, më qartë dhe më thellë. Gjatë këtij muaji duhet të observojmë botën që na rrethon, të merremi me të tjerët, para vetes, të mundohemi t’i shohim nevojat e dikujt tjetër, dhe ti vendosim ato para nevojave tona. Por nuk e di sa do të arrijmë që vërtet të shohim e të observojmë përtej shikimit sipërfaqësor. Mendimi se i dimë të gjitha dhe se kemi zgjidhje për çdo gjë na ka verbuar gjer në atë masë sa vërtet të mendojmë se jemi qendra e universit. E megjithatë nuk jemi, jemi një pikë e vogël dhe e padukshme në multiversin ku vetëm marrëzia nuk ka kufi.

Sërish shumica prej nesh do t’i kalojnë ditët të preokupuar me atë se çfarë do hamë për darkë, cili restorant ofron menynë më të mirë, dhe sa plot duhet të jetë tavolina e iftarit që të duket bukur në Instagram. Edhe një proces spiritual si agjërimi arrijmë ta transformojmë në diçka që lidhet pikërisht me ne, me barkun tonë të uritur për ushqim dhe me egon tonë të uritur për vëmendje.

Është vështirë të kërkojmë që në këtë muaj të reflektojmë thellësisht për rolin tonë në këtë planet dhe në gjithësi. Mund të duket jashtë kornizave tona, mund të duket e paarritshme dhe e parealizueshme. Por të paktën mund të kërkojmë nga vetja që gjatë këtij muaji të reflektojmë më shumë për njerëzit që na rrethojnë dhe të mundohemi t’i kuptojmë më mirë ata. Të mundohemi për shembull t’i kuptojmë ata që janë në telashe e nuk flasin për këtë. Ka shumë të tillë rreth nesh, me probleme të mëdha të cilat nuk duan t’i shpallin sepse nuk ndihen komod me vëmendjen që mund t’u kushtohet. Kemi gjithandej njerëz që përballen me vështirësi në familjet e tyre, në karakterin e tyre dhe në shoqërinë e tyre.

Të mundohemi t’i kuptojmë e t’u ndihmojmë gjatë këtij muaji të solidaritetit. Të mundohemi t’i kuptojmë më shumë fëmijët tanë, të arrijmë të kuptojmë çfarë ëndrrash kanë ata dhe ku e shohin veten e tyre, çfarë i mundon dhe si mund t’ju ndihmojmë. Ndoshta ndonjëherë jemi vet ne ata që i mundojnë fëmijët me kërkesat tona pa fund. Ndoshta ndonjëherë i mundojmë edhe prindërit tanë me pritshmëritë tona të mëdha. Ndoshta thjesht kemi nevojë për ta parë më mirë njëri tjetrin, për të shikuar përtej asaj që shihet nga jashtë, për të depërtuar në zemrën e dikujt dhe për të bërë një bisedë të thellë dhe jo sipërfaqësore.

Kemi nevojë të gjithë për pak më shumë njerëzi, solidaritet, empati dhe mirëkuptim. Le ta shohim njëri tjetrin këtë muaj, por le ta shohim ashtu siç është vërtetë, e jo siç duam të jetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button