Ja kush janë ministrat e ri në Qeverinë e Maqedonisë

Qeveria e re e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk ofron shumë befasi sa i përket zgjidhjeve personale, VMRO-DPMNE ka preferuar që ekipin që fiton të mos e ndërrojë, duke bërë ndryshim vetëm te Ministria e Mbrojtjes(MM), të cilën kjo parti e riktheu pas. Nga viti 2011 me të drejtoi kuadri i BDI-sëTalat Xhaferi.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia e dytë, për nga rëndësia në qeveri, katër emra të ministrave të rinj. Në postet e njëjta, mbetet Fatmir Besimi dhe Musa Xhaferi. I pari është zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, ndërsa i dyti për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Është ndërruar edhe ministri i vetëm i Partisë Socialiste të Maqedonisë (PSM).

Në qeverisjen qendrore përveç Nikolla Gruevskit, do të vazhdojnë të ministrojnë Zoran Stavrevski, Gordana Jankullovska, Nikolla Todorov, Elizabeta Kançevska-Milevska, Mile Janakievski, të cilët shtypi i vendit, i ka quajtur luajalë të kryeministrit. Ministri i deritanishëm i Arsimit, Spiro Ristovski, në ministrinë e njëjtë do të jetë zëvendësministër. Postin ia lëshon ministrit të ri Abdilaqim Ademi, i cili në këtë pozitë vjen nga posti i ministrit të Ambientit Jetësor.

Kush janë ministrat e rinj?

Zoran Jolevski-Ministër i Mbrojtjes

Jolevski është emëruar ambasador i Maqedonisë në Shtetet e Baashkuara të Amerikës (SHBA) në mars të vitit 2007. Në nëntor të vitit 2008, është emëruar negociator kryesor i Qeverisë së Maqedonisë në negociatat me ndërmjetësim të Kombeve të Bashkuara për emrin me Greqinë. Jolevski është profesor i ekonomisë në Universitetin Evropian në Shkup. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 ka qenë shef i kabinetit të ish presidentit Boris Trajkovski dhe ka qenë këshilltar kryesor i Qeverisë për anëtarësim në Organizatën Botërore Tregtare (OBT). Jolevski ka qenë edhe shef i Projektit Rrethi Afarist Maqedonas, ndërsa nga viti 2004 deri në 2006, shef i projektit për harmonizim me Organizatën Tregtare Botërore. Në vitet 2004 dhe 2005 ka qenë shef i Fondacionit “Boris Trajkovski”. Ka qenë edhe nënkryetar i Komitetit për tregti, industri dhe zhvillim të ndërmarrjeve në Komisionin Ekonomik për Evropë, organ i OKB-së.

Adnan Jashari-Ministër i Drejtësisë

Jashari në këtë pozitë vjen në vend të ministrit Blerim Bexheti. Është doktor i shkencave juridike dhe profesor i lëmit së drejtësisë në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Në periudhën prej vitit 2002 deri në vitin 2011 ka qenë njëri deputetët më aktiv të BDI-së, i angazhuar për sferën ligjore. Ka qenë njëri ndër kandidatët më serioz për postin e rektorit të USHT-së, por këtë betejë e humbi nga profesori i Edukatës Fizike në USHT, Vullnet Ahmeti. Në postin e ministrit vjen nga dega e Gostivarit.

Bekim Neziri-Ministër i Ekonomisë

Në këtë pozitë vjen në vend të ministrit të deritashëm, Valon Saraçini.

Bekim Neziri pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Universitetin e Shkupit, ka diplomuar në Programin studimor të biologjisë dhe ka marrë titullin shkencor inxhinier i diplomuar i biologjisë. Arsimimin e tij e ka vazhduar në studimet pasuniversitare në Fakultetit Ekonomik në Shkup, ku pritet të mbrojë tezën e tij të magjistraturës me titull “Menaxhimi në sektorin publik”. Nga viti 2011 deri në vitin 2014, ka qenë drejtor i Fondit të Sigurimit Pensional-Invalidor të Maqedonisë. Ka punuar edhe në Agjencinë e Aviacionit Ajror Civil. Neziri një vit ka qenë zëvendësdrejtor në Drejtorinë e të Ardhurave Hyrave Publike të Maqedonisë dhe në Navigacionin e Maqedonisë (MANAV), në të cilin institucion ka qenë drejtor i Financave, Punëve Juridike, Planifikimit, Zhvillimit dhe Investimeve. Vjen nga dega e Shkupit, më saktësisht e komunës së Çairit.

Lirim Shabani-Ministër i Pushtetit Vendor

Lirim Shabani, në këtë post vjen nga dega e komunës së Likovës dhe do ta zëvendësojë Tahir Hanin. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në USHT, ndërsa më vonë ka specializuar në fushën e Menaxhmentit Shëndetësor dhe Farmaekonomisë në Universitetin e Shkupit. Ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ka qenë këshilltar shtetëror në qeveri.

Nurhan Izairi-Ministër i Ambientit Jetësor

Në këtë post zëvendëson Abdilaqim Ademin, i cili ka marrë pozitën e ministrit të Arsimit. Me profesion është arkitekt, ndërsa ka përvojë disavjeçare në byrotë arkitektonike në Maqedoni dhe Zvicër. Ka marrë pjesë në përgatitjen e projektit studimor për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit. NË dy vitet e fundit ka qenë zëvendësdrejtor i Komisionit për panda dhe nënkryetar i Bordit Mbikqyrës në Drejtorinë e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale të Maqedonisë. Vjen nga dega e Tetovës.

Mihaill Cvetkov-Ministër i Bujqësisë

Në këtë post vjen në vend të bashkëpartiakut të tij socialist, Lupço Dimovski, i cili është bërë deputet. Cvetkov do të jetë më i moshuari në qeveri, pasi ka 60 vjet. Në këtë pozitë vjen nga ajo e drejtorit të Hidrosistemit “Zletovica”. Është inxhinier i diplomuar i makinerisë dhe magjistër i robotikës. Pjesën më të madhe të jetës profesionale e ka kaluar në fabrikat që janë pjesë e Kombinatit të Xehetarisë.

Visar Fida-ministër pa portofol

Fida është pjesë e ekipit qeveritar, për të përforcuar zbatimin e politikës së thithjes së investimeve të jashtme. Pjesë e qeverisë bëhet, duke lënë pozitën e drejtorit kryesor ekzekutiv të Agjencisë për Thithjen e Investimeve të Huaja dhe promovim të importit. Këtë pozitë e mbante nga viti 2011. Vjen nga dega e Strugës.

Goran Mickovski-ministër pa portofol

Është ekspert financiar përkatësisht bankier me përvojë ndërkombëtare. Para zgjedhjes për ministër ka punuar në Londër, ku është i angazhuar në pozitën e këshilltarit për transaksione bankare investuese dhe strategjike në kompaninë Credit Suisse AG./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button