Edhe pse vitin 2022 e mbyllën me fitim, NP “Parkingu i Qytetit” kërkoi që Komuna t’ia paguajë borxhet (Infografik)

Pas disa viteve me rezultat final në humbje, Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” Tetovë vitin 2022 e mbylli me fitim prej 4.390.746 denarëve. Megjithatë, kjo ndërmarrje kërkoi që Komuna të ja paguajë borxhet për taksën komunale për tre vitet e kaluara në vlerë prej mbi 10 milionë denarësh me qëllim që mjetet e fituara ndërmarrja t’i përdor për shlyerjen e borxheve tjera të saj, shkruan Portalb.mk.

NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë në vitin 2022 ka realizuar të hyra prej 45,091,312 denarëve. Të dalat e përgjithshme janë 40,700,566 denarë. Ndërsa rezultati është pozitiv në shumë prej 4,390.746 denarë.

Arlinda Berisha, nga NP “Parkingu i Qytetit” sqaroi se kjo ndërmarrje në fund të vitit 2022 ka menaxhuar me 1048 vend parkingje, në krahasim me vitin 2021 ku ka pasur 764 vend parkingje, ku i bie se në vitin 2022 janë shtuar edhe 284 vend parkingje te reja. Gjatë vitit 2022, numri i veturave të bllokuara ka qenë 7.419, atyre të mënjanuara nga merimanga 4.805. Ndërsa numri i biletave të shitura është 21 mijë, kurse numri i sms porosive është 490,050.

Për dallim nga viti 2022, në vitin 2021 ndërmarrja e parkingjeve doli me rezultat negativ në humbje prej 6.100.101 denarëve.

Raporti financiar i NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë për vitin 2021 dhe 2022. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht se ndërmarrja vitin e përmbylli me rezultat pozitiv, nga kjo ndërmarrje kërkuan që Këshilli Komunal të ua shlyejë borxhin për taksën komunale (12% e të hyrave të përgjithshme vjetore) për tre vitet e kaluara që shkon në vlerë prej 10.996.081 denarë.

Borxhi i NP “Parkingu i Qytetit” për taksën komunale. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Këshilli Komunal, si themelues i NP “Parkingu i Qytetit” miratoi vendimin që të ja shlyejë ndërmarrjes borxhin e taksës komunale për tre vitet e kaluara, në vlerë prej 10.996.081 denarësh.

Ndërkaq, sa i përket fitimit prej mbi 4 milionë denarësh, ndërmarrja e parkingjeve tha se mjetet e fituara do të shfrytëzohen për mbulimin e borxheve tjera nga vitet paraprake. Ku për këtë, Këshilli i Komunës dha pëlqim.

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga BDI, Sali Elmazi theksoi se sipas analizave të tij ka mospërputhje mes raportit të punës dhe atij financiar të ndërmarrjes për vitin 2022. Mirëpo nga ndërmarrja i sqaruan aspektet teknike ekonomike, se si kjo qëndron dhe se nuk ka mospërputhje në raporte.

Përndryshe, sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm në Tetovë gjatë vitit 2022 është 6.373, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 4.432.

Dënimet për parkim të paligjshëm në Tetovë në vitin 2022. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dënimet për parkim të paligjshëm në Tetovë në vitin 2022. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se Komuna e Tetovës nuk arriti ta realizojë në tërësi planin për krijimin e parkingjeve në vitin 2022. Sipas planit vjetor të prezantuar në janar të vitit të kaluar ishin të parapara që deri në fund të vitit 2022 të krijohen 3,090 vende të reja parkimi, por gjatë kësaj periudhe u realizuan vetëm 284, apo vetëm 7 përqind. Sipas komunës, plani nuk është realizuar në tërësi për shkak të vështirësive që kanë hasur. Kaosi në trafik mbetet i pranishëm.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar 2022, Komuna e Tetovës planifikonte që deri në fund të vitit të rriste numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate.

Ky plan ishte i ndarë në pesë faza, numri i planifikuar i vend-parkimeve zonale ishte 410, të mbyllura 790 dhe në garazhet në kate 1,890. Ndërsa deri në fund të vitit planifikoheshin 3,090 vende të reja parkimi në qytet. Ky plan nuk u realizua ashtu siç u paralajmërua sipas fazave dhe afateve kohore. Portalb.mk e ka ndjekur këtë projekt dhe ka raportuar për të gjitha fazat.

Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura, ajo e shërbimit merimangë. 

Ndërkaq sa u përket garazheve në kate dhe parkingjeve të mbyllura, të njëjtat sipas komunës do fillojnë të ndërtohen gjatë këtij viti.

Ndryshe, numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës sipas MPB-së është mbi 32 mijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button