Barbok – Kovaçevski: Partitë politike ta kenë në plan të parë procesin e euro-integrimeve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Analena Barbok, njofton Portalb.mk.

“Është përcjellë një mesazh i qartë dhe konkret se Gjermania qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut për hapin e ardhshëm të vendit tonë në integrimet evropiane. Njëkohësisht shprehet pritshmëria që kjo çështje strategjike për vendin dhe rajonin të jetë në krye të të gjitha subjekteve politike në vend. Theksohet se është e një rëndësie thelbësore për kontekstin e përgjithshëm gjeopolitik, që i gjithë rajoni të vazhdojë të ecë në rrugën e integrimit evropian. Dhe në këtë drejtim është mirëpritur roli i kryeministrit Kovaçevski dhe i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si faktor i dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thonë nga Qeveria.

Kryeministri Kovaçevski e përshëndeti ardhjen e ministres Barbok në një moment tjetër të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ne bëmë një hap historik dhe filluam negociatat për anëtarësimin në BE në korrik 2022, që shënoi fillimin e një faze cilësore të re në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, pas 17 vitesh marrje të statusit kandidat dhe pas sfidave të shumta në rrugën drejt anëtarësimi në BE me mbështetjen aktive të Gjermanisë, e cila ishte veçanërisht e rëndësishme gjatë presidencës gjermane të BE-së në vitin 2020. Sot e kemi përsëri atë mbështetje dhe është e një rëndësie të madhe sepse Gjermania gëzon reputacion të madh dhe respekt të thellë te qytetarët tanë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Në takim u theksua rëndësia e Procesit të Berlinit si forcë lëvizëse e bashkëpunimit rajonal në nivelin më të lartë dhe si iniciator i planeve të veprimit për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendën e Gjelbër.

Barbok – Pendarovski kanë biseduar mes tjerash edhe për ndryshimet kushtetuese

Analena Barbok sot u takua edhe me presidentin Stevo Pendarovski.

“Në takim u bisedua për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet dy vendeve, partneritetin në NATO, OKB dhe OSBE, aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon dhe ndryshimet kushtetuese. Presidenti Pendarovski vlerësoi se Gjermania është një nga aleatët më të afërt dhe mbështetësit më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën integruese drejt BE-së dhe autoritetet gjermane kanë treguar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vendit tonë dhe rajonit për tre dekada”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në kumtesë, gjithashtu thuhet se presidenti Pendarovski ka shprehur pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme të fuqishme për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Takimi Osmani – Bеrbok: Ju presim që së bashku të ulemi në tavolinën e BE-së

Ministrja Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, sot, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Bisedimet ndërmjet dy ministrave u fokusuan në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, me ç’rast Osmani iu referua zbatimit të agjendës së BE-së si investim ardhmërinë europiane të vendit.

“Gjermania vazhdon të jetë një nga promotorët më të fuqishëm të integrimit evropian të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që merr edhe vendi ynë.  Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm historik. Ta marrë fatin në duart e saj dhe të ecë me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë, gjatë së cilit viti 2030 është një qëllim ambicioz, por edhe i arritshëm, ose përsëri të hyjë në rishikim dhe ngecje.  Perspektiva reale për gëzimin e katër lirive – për mallra, kapital, shërbime dhe fuqi punëtore –  edhe gjatë negociatave duhet t’i mobilizojë të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të çojë drejt dinamikës së re ekonomike”, theksoi Osmani.

Barbok - Osmani
Barbok – Osmani

“Maqedonia e Veriut e njeh rëndësinë e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe për këtë qëllim do të investojë kapacitetet e saj politike dhe administrative në drejtim të zbatimit të agjendës evropiane. Njëherit, si partner i besueshëm i BE-së dhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të vlerave dhe parimeve, në ndërkohë presim më shumë përfitime praktike dhe rezultate të prekshme që dalin nga procesi i anëtarësimit”, nënvizoi Osmani.

Ministrja gjermane, Berbok e konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësi për gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për t’u ballafaquar me sfida serioze, si ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të një rëndësie të madhe për të vazhduar procesin e negociatave me qëllim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Bearbok: Vendi i RMV-së është në BE, të mos i tradhtojmë pritshmëritë e qytetarëve

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Barbok para se të arrijë në Shkup ka deklaruar se pret që kalkulimet partiake të lihen mënjanë kur të vendoset për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, rapoton DW. Barbok sot realizon takime me kreun e shtetit dhe opozitën në përpjekje për t’i dhënë shtysë ndryshimeve kushtetuese me të cilat bullgarët dhe komunitetet e tjera duhet të përfshihen në Kushtetutë.

“Vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, ashtu si partnerët tanë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Këtë e kemi treguar realisht, më së voni me fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në në korrik të vitit 2022”, tha Berbok para se të nisej për në Shkup.

Rrezik dhe shans

Ajo thotë se pritjet e shumicës së madhe të qytetarëve në vend nuk duhet të zhgënjehen.

“Shpresat dhe pritshmëritë e mëdha që njerëzit në Maqedoninë e Veriut kanë për procesin e anëtarësimit janë për ne një mundësi dhe një rrezik në të njëjtën kohë: rrezik, sepse ne mund të humbim qytetarët e Maqedonisë për Evropën, nëse, si BE i tradhëtojmë pritshmëritë e tyre pavarësisht progresit dhe lëshimeve të dhimbshme që kanë bërë në 17 vitet e fundit. Shans, sepse të gjithë pjesëmarrësit në procesin e zgjerimit të BE-së e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë: për të ardhme në familjen evropiane, për rajon me mirëqenie dhe paqe të qëndrueshme, për vetëvendosje”.

Nga MPJ-ja gjermane, para vizitës, vlerësuan se Maqedonia e Veriut është “vend kyç” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se qëllimi kryesor i vizitës së Berbokut është zhbllokimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese. Këtë e bëri të ditur edhe Berbok në deklaratë.

Pa kalkulime politike

“Mund ta kuptoj mirë se për momentin të gjitha çështjet për identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën e dikujt po diskutohen me zemër dhe pasion në Maqedoninë e Veriut, kjo as tek ne nuk është ndryshe dhe është e natyrshme kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, si ndryshimi i Kushtetutës.

Por përvoja tregon: në situata të tilla ia vlen të lëmë mënjanë kalkulimet partiake-politike, të udhëhiqemi nga një synim i qartë dhe të luftojmë vendosmërisht në atë drejtim.

Mbështetja e gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Kushtetutës do të dërgojë sinjal jo vetëm për vetë vendin, por edhe për të gjithë rajonin: ne absolutisht dëshirojmë të hyjmë në BE dhe po bëjmë gjithçka që është e nevojshme nga ana jonë”, tha shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok para vizitës në Shkup.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier vizitoi Maqedoninë e Veriut në nëntor 2022, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në qershor të vitit të kaluar, kancelari Olaf Scholz bëri vizitë njëditore në vend.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button