Ndryshimet kushtetuese nuk janë tragjedi, thotë Osmani ndërsa Mickoski “kapet” para zyrave të BE-së në Shkup

Ndryshimet kushtetuese nuk nënkuptojnë tragjedi për shtetin, thotë kryediplomati i vendit Bujar Osmani, duke shpresuar që VMRO-DPMNE do t’i lë anash interesat partiake, do të reflektojnë dhe do të bëhen pjesë e këtyre ndryshimeve. Në “Click Plus” ministri Osmani mes tjerash shpjegoi se bullgarët tashmë janë në Kushtetutë, ndërsa e gjithë ajo që duhet të bëhet është që vetëm të emërohen me emër, transmeton Portalb.mk nga TV21.

“Në preambulë të Kushtetutës përmenden të gjitha komunitet 7 sa janë dhe 10 të tjerat. Me një vendim të gjykatës Kushtetuese për të analizuar se kush janë të tjerët do të del se të gjithë ata që janë numëruar në Kushtetutë janë të tjerët, që do të thotë se bullgarët tashmë janë në Kushtetutë nën të tjerët. Ne tani vetëm duhet ta formalizojmë diçka që është ekzistuese, aq është efekti i këtyre ndryshimeve kushtetuese”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Osmani shtoi se kur të kuptohet se çështja e ndryshimeve kushtetuese është vetëm teknike, do të reflektojnë edhe atë që janë kundër këtij procesi. Por zëdhënësja e opozitares VMRO-DPMNE-së Marija Miteva tha se qëndrimi i partisë është konsistent dhe i pandryshuar. Shprehet se kjo parti nuk do të votojë për ndryshimet kushtetuese.

“Ne në vazhdimësi apelojmë deri te Qeveria që të ndalojë së lëshuari në procese për të cilën nuk e kanë besimin nga qytetarët. Jemi të vetëdijshëm se 80% e qytetarëve të Maqedonisë janë kundër ndryshimeve kushtetuese, 60% prej tyre janë maqedonas. Ashtu që mbetemi në qëndrimin se ndryshime kushtetuese në këtë përbërje parlamentare nën diktatin e Bullgarisë nuk do të ndodhin”, deklaroi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMEN-së.

Megjithatë gjatë ditës se djeshme, në disa portale ka qarkulluar një foto e kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili është fotografuar duke hyrë në zyrat e Qendrës për informim të Bashkimit Europian në Shkup. Shkruhet se ky takim mund të ketë qenë për të diskutuar mbi procesin e ndryshimeve kushtetuese. Euroambasadori në vend Dejvid Gir pa treguar se për çfarë mund të jetë folur, tha se ai ka kontakte të rregullta me të gjitha  partitë në vend.

“Çështja për ndryshimet kushtetuese është vendim i pavarur që duhet ta ndërmarrë ky shtet. Ne flasim për të gjitha çështjet që janë relevante dhe me të gjitha palët e prekura, por edhe njëherë dua të mos hyj në detaje individuale për bisedimet që kemi me lider ose me anëtarë të tjerë të partive politike. Është e mjaftueshme ta them se duam ta shohim këtë shtet se si lëviz shpejt drejt BE-së”, pohoi Dejvid Gir, euroambasador.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq ka paralajmëruar se në periudhën e ardhshme Qeveria do të formojë grup pune ku do të debatohet për ndryshimet kushtetuese.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button