Debat i ALPI-t: Digjitalizimi i universiteteve është i domosdoshëm

Universiteteve të Maqedonisë u mungojnë platformat gjithpërfshirëse digjitale dhe aplikacionet e licencuara që do të mirëmbahen rregullisht dhe do të jenë në dispozicion të të gjithë studentëve dhe profesorëve. Atje ku përdoren shërbimet digjitale, studentët janë të kënaqur nga përvojat. Profesorët, nga njëra anë, e mbështesin ligjërimin me prani fizike (live), ndërsa studentët preferojnë mësim hibrid. Kjo është një pjesë e konstatimeve në analizën “Transformimi digjital në arsimin e lartë – perspektivat e të rinjve”, të botuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), autor i të cilës është Bojan Kordallov nga Instituti për Menaxhim të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IMMPE), transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Konstatimet e analizës u prezantuan në eventin e mbrëmshëm “Reformat digjitale për arsim të lartë bashkëkohor – perspektivat e të rinjve”, në organizim të Institutit për Udhëheqje të Avancuar Politike – IUAP, mbështetur nga IRI.

Në sesionin e parë të eventit folën përfaqësues të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), Universiteti “Goce Dellçev”- Shtip (UGD) dhe Universitetit të Evropës Juglindore (Universiteti i EJL).

Prorektorja për mësimdhënie në UKM, Hristina Spasevska, theksoi se digjitalizimi është proces i shtrenjtë dhe se UKM-ja shërbimet dhe sistemet ekzistuese digjitale tani i mirëmban me resurse vetanake. Shtoi se ka nevojë që sistemet të azhurnohen vazhdimisht me qëllim që të mbeten relevantë dhe të jenë në hap me ndryshimet.

“Digjitalizimi nuk është proces i lirë – kërkon jo vetëm që ta bleni softuerin, por edhe diçka më shumë – të keni kuadro dhe profesorë profesionalë dhe të përgatitur. Ne e dijmë se sa e vështirë është që t’i mbajmë në administratë informaticientët që punojnë për rrogë, me siguri të gjithë Universitetet e kanë këtë problem. Për fat kemi fakultete që na e dorëzojnë të gjithë platformën dhe të gjithë këtë e zhvillojmë me resurse vetanake, edhe financiare edhe njerëzore. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se pas një periudhe të caktuar këto mjete do të duhet të ndërrohen me të reja. Nëse në arsimin e lartë nuk ndërtojmë një koncept të qëndrueshëm të avancimit të digjitalizimit, atëherë nuk kemi arritur asgjë. Mjetet çdo ditë ndryshojnë, e gjithë kjo kërkon buxhete të mëdha dhe dedikim të vazhdueshëm ndaj digjitalizimit”, theksoi Spasevska në debat.

Prorektorja për shkencë pranë UGD-së, Zdenka Stojanovska, theksoi se digjitalizimi është i nevojshëm jo vetëm për shkak të funksionimit të rregullt të universiteteve, por edhe që ato të jenë më të hapur dhe më të kapshëm. UGD-ja është shembull pozitiv ku edhe proceset arsimore dhe ato administrative janë plotësisht të digjitalizuara.

“Studentët tanë nuk e dijnë se çfarë domethënë të presësh te sportelet e administratës me orë të tëra ose të presësh rradhë në bankë për pagesa. Kemi parë se kjo është mënyrë e funksionimit të rregullt jo vetëm si digjitalizim, por edhe si qasje deri te informacionet dhe përmirësim i komunikimit”, theksoi Stojanovska.

Edhe Stojanovska nënvizoi se gjatë digjitalizimit më i rëndësishëm është faktori njeri dhe prandaj është e nevojshme që të bëhet një strategji nacionale për profesionet si ai i informaticientëve.

“Ja, do të bëhet dhe do të implementohet një sistem, por teknologjitë informatike çdo javë ecin para, e jo më për dhjetë vite. Nëse nuk kemi se kush ta ndjekë atë, e ne nuk jemi të popullarizuar – cili informaticient do të kishte ardhur të punojë në universitet kur ato qysh prej vitit të tretë të studimeve marrin ofertë që të punojnë si freelancer-ë? Askush nuk do të punojë për ndonjë shumë simbolike. Kur të bëhet një strategji nacionale dhe të digjitalizohet arsimi, do të ketë dobi për të gjithë sistemin e të gjithë arsimit, e jo kështu në mënyrë individuale kush si të gjindet e kush çfarë të marrë. Nuk duhet të ndjekim hapin e njëri tjetrit”, theksoi Stojanovska.

Se ka nevojë për menaxhim të largimit të informaticientëve të rinj u dakordua edhe dekani i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore pranë Universitetit të EJL-së – Tetovë, Xhemal Zenuni. Ai theksoi se nevojitet bashkëpunim midis institucioneve shtetërore dhe universiteteve.

“IT sektori është një sektor global dhe ne gjendemi në konkurrencë me botën ku sigurisht rrogat janë shumë më të larta nga ato ajo që i ofrojmë ne. Mendoj se largimi i informaticientëve të rinj kërkon masa urgjente për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe duhet të ndërmarrim masa në shtet që ato të qëndrojnë këtu dhe të japin kontributin e tyre për zhvillimin. Qeveria nuk duhet të ketë vetëm resurse të përgjithshme, por edhe resurse njerëzore. Kjo duhet të bëhet në bashkëpunim midis institucioneve dhe universiteteve”, tha Zenuni.

Masa urgjente për digjitalizim të arsimit në interes të studentëve kërkuan edhe përfaqësuesit e të rinjve të cilët folën në debatin e dytë.

Foto: Instituti për Menaxhim të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IMMPE)

Përfaqësuesja e ALPI-t dhe moderatorja e debatit për të rinjtë, Arta Qerimi, theksoi se nevojitet mbështetje për të rinjtë që i inicojnë proceset e digjitalizimit dhe më shumë përkushtim nga institucionet për kërkesat, nevojat dhe angazhimet e të rinjve.

Zëvendës kryetari i Qytetit të Shkupit, Aleksandar Trajanovski, tha se digjitalizimi është një valë që i kap të gjithë institucionet dhe të gjithë shoqërinë.

“Pikërisht kjo analizë na ndihmon të shohim se cilët janë indikatorët dhe fokus grupet ku më shumë duhet të përqëndrohemi”, tha Trajanovski.

Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) tha se të rinjtë kanë kërkesa pragmatike – digjitalizim të plotë dhe promovim më të madh të mësimit hibrid.

“Ne si të rinjë nuk duam që kur të vijë shkurti dhe do të duhet ta regjistrojmë semestrin, të humbim tre orë para sporteleve të administratës, sepse si studentë kemi njëqind probleme, epritja para sporteleve nuk duhet të jetë një nga ato”, tha Hodai.

Të rinjtë u dakorduan se në vendin tonë numër i madh i studentëve studiojnë në programe nga fusha e shkencave informatike dhe kjo e dhënë duhet të shfrytëzohet për përmirësimin e gjendjes me digjitalizimin.

Kryetari i Parlamentit Studentor Universitar në UKM (PSU UKM), Sllavço Temellkovski, shtoi se në tregun e punës nuk ka deficit, por egziston një suficit i IT kuadrove.

“Nëse UKM-së i duhet dikush që do ta mirëmbajë atë sistem, e flasim se digjitalizimi është i rëndësishëm, atëherë është e logjikshme që të paguhet një shumë më e lartë për atë të punësuar se sa për të punësuarit e tjerë për atë vend pune. Nëse duhet të ndahen 90.000 apo 120.000 denarë, do të ndahen dhe vetëm ashtu do të dëshmojmë se digjitalizimi është i rëndësishëm për ne”, theksoi Temellkovski.

Demir Demiri nga Parlamenti Studentor Universitar në UEJL-së tha se digjitalizimi i këtij universiteti privat funksionon mirë dhe se ai proces nuk ka fund, por vazhdimisht azhurnohet dhe përmirësohet.

Edhe kryetarja e Parlamentit Studentor Universitar të UGD-së, Sara Denkova, e cilësoi universitetin në të cilin studion si “më i digjitalizuari” sa i përket qasjes që e kanë studentët.

“Çdo student, pa dallim se nga vjen, ka mundësi që prej në shtëpi të bëjë edhe vërtetim të regjistrimit të semestrit. Ka mundësi për qasje deri te indeksi elektronik, kemi zhvilluar e-bibliotekë. Edhe gjatë pandemisë kishim mundësi të pandërprerë që ta menaxhojmë të gjithë atë situatë”, theksoi Denkova.

Analiza e IRI konstaton se është i domosdoshëm investimi në pajisje kompjuterike dhe të tjera, internet cilësor dhe se transformimi digjital nuk guxon të shndërrohet në privilegj, por duhet të ofrojë mundësi për të gjithë. Hulumtimi i përfshiu të tre universitetet – UKM, UGD dhe UEJL dhe tek të gjithë është konstatuar se mungon qasje digjitale deri te burimet shkencore dhe publikimet.

Iniciativa e të rinjve që ka për qëllim të verifikojë se deri ku është procesi i digjitalizimit në arsimin e lartë u ndërmor nga përfaqësuesit e të rinjve të gjeneratës së parë të ALPI-t – Arta Qerimi, Bojan Nikovski, Hilall Beqiri, Aleksandar Trajanovski, Naum Lekoski dhe Evgenija Janakieska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button