Mediat serbe tentojnë ta implikojnë edhe EULEX-in në akuzat ndaj PK-së

Politikanët serbë, deklaratat e të cilëve i kanë transmetuar edhe mediat e afërta me pushtetin në Beograd, u janë rikthyer akuzave ndaj autoriteteve të Kosovës, për kinse keqtrajtim të komunitetit serb në veriun e populluar me shumicë serbe, transmeton SBunker.

Më 8 mars 2023, Kosovo Online publikoi shkrimin me titull “Anëtarët e ROSU-së rrahën dy të rinj serbë në fshatin Joshanicë afër Leposaviqit”.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë, ROSU, në fshatin Joshanicë afër Leposaviqit, kanë ngacmuar dhe lënduar të rinjtë serbë Ll.Gj. (23) dhe Gj.M. (24), të cilët jetojnë në atë fshat. Ata ndodhen në repartin e kirurgjisë në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut dhe gjendja e tyre po monitorohet, por tani për tani ndihen mirë”, thuhet në lajmin e publikuar në ”Kosovo Online”. Për rastin, në artikull janë paraqitur edhe deklarimet e mjekut kujdestar, Nikola Radojçiq, sipas të cilit “në repart janë pranuar dy pacientë me lëndime në kokë. Mirëpo pas ekzaminimit, diagnostikimit dhe konsultimit me psikiatër, ata janë liruar.”

Ky rast mobilizoi serbët lokalë në veri, të cilët protestuan me pretendimin se Policia e Kosovës po i vazhdon keqtrajtimet ndaj këtij komuniteti. Ata e përsëritën kërkesën që PK-ja t’i reduktojë patrullimet në atë pjesë, “sepse kjo po i bën të ndihen të pasigurt”.

Pjesëmarrës në protestë ishte edhe i ashtuquajturi kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, i cili cyti masën duke thënë se “burimi i të gjitha problemeve në këtë komunë, por edhe në veri të Kosovës, është policia speciale, e drejtuar nga Albin Kurti”.

Me narracion të njëjtë reagoi edhe e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, duke deklaruar se “policët e kombësisë shqiptare nuk kanë çfarë të kërkojnë në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe se prania e tyre është e paligjshme dhe drejtpërdrejt në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”.

Image

Mediat serbe kanë transmetuar edhe qëndrimin e dy prindërve që pretenduan se fëmijët e tyre u rrahën nga PK-ja, teksa paralajmëruan se “nëse Policia vazhdon t’i trajtojë si banditë, atëherë do të detyrohen ta radikalizojmë protestën”.

Madje, “Informeri” shkoi më larg duke implikuar edhe Misionin e EULEX-it përmes artikullit se kinse “babai i njërit nga të rrahurit ka kontaktuar me këtë mision dhe se fëmijët e tyre janë marrë në pyetje për disa orë”.  Por, Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë e ka demantuar pretendimin se ata e kanë konstatuar rrahjen dhe se kanë vizituar dy të lënduarit.

‘EULEX-i nuk i ka vizituar dy personat që pretendohet se janë rrahur nga Policia e Kosovës, as ndonjë staf i EULEX-it nuk ka ’konstatuar’ se dy personat janë rrahur nga Policia e Kosovës. Ajo që në të vërtetë ka ndodhur është se më 8 mars, këshilltarit të lartë të policisë veriore të EULEX-it iu afrua një person para ndërtesës së Komunës në Leposaviq, i cili pretendoi se djali i tij dhe një shok i tij ishin rrahur nga Policia e Kosovës”.

Protesta e serbëve u pasqyrua edhe nga mediat shqiptare si  Gazeta ExpressMetro Gazeta, Kosovo Live. Për dallim prej mediave serbe, portalet në gjuhën shqipe i kanë cilësuar pretendime akuzat për keqtrajtimin e dy serbëve, meqë as organet e rendit nuk i kanë sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Kësisoj, pas publikimit të lajmit, PK-ja ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet me qëllim të verifikimit të informacionit. Por, sipas tyre, ky pretendim i serbëve nuk është raportuar në institucionet kompetente.

”Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre”, thuhet në sqarimin e PK-së.

Image

Kjo nuk është hera e parë që politikanët serbë e disa media hedhin akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për kinse qëllimin e saj që t’i dëbojë serbët nga Kosova, madje të përfshijnë edhe instanca të tjera duke nxjerrë konkludime që nuk mbështeten në burime zyrtare, vendore apo ndërkombëtare.

Repost, Partner Disklejmer, baner, disclaimer, disinfohub, partner, partneritet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button