Rumania ka emëruar përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor

Rumania ka emëruar përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, si shprehje e interesimit për proceset e përgjithshme në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot ka zhvilluar takim me të dërguarin special të Rumanisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Adrian Davidoiu, i cili ndodhet për vizitë pune në vendin tonë dhe përshëndeti vendimin, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të bisedimeve ishin negociatat e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, procesin e reformave dhe mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike të Rumanisë në këtë kontekst. Është bërë një rishikim edhe për ndryshimet e planifikuara kushtetuese, të cilat do t’i forcojnë më tej kapacitetet demokratike të shtetit dhe shoqërisë sonë.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për sfidat e kryesimit të OSBE-së dhe u prezantuan aktivitetet e deritanishme gjatë kryesimit tonë me Organizatën në vitin 2023. U diskutua edhe për kryesimin e ShBA-Karta e Adriatikut, si dhe përgatitjet për kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore, i cili fillon në korrik.

Në takimin e fundit të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, u theksua se gjetja e një zgjidhjeje për çështjet e hapura është thelbësore për të gjithë rajonin, ndërsa vendimi për mbajtjen e bisedimeve në Ohër paraqet njohje të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button