Eksperti Zekiri edhe sot para gjykatës, avokatët e “Durmos” akuzojnë avokatin e shoferit për zvarritje

Avokatët e të akuzuarve sot u përplasën me njëri tjetrin në lidhje me pyetjet e drejtuara ndaj Zekirija Zekirit, anëtar i ekipit të ekspertëve që e kanë punuar superekspertizën makinerike të autobusit të “Durmo Turs” i cili më 13 shkurt të vitit 2019-të u aksidentua dhe humbën jetën 16 persona dhe 37 të tjerë u lënduan. Zekiri, për të dytën seancë radhazi po merret në pyetje, fillimisht nga prokurori, pastaj edhe nga avokatët, pasi që paraprakisht disa seanca mungoi për arsye shëndetësore, për çka dhe u anuluan disa seanca, raporton Portalb.mk.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Gjatë seancës së sotme, pyetje ndaj Zekirit ka parashtruar, Lupço Micevski, avokat i të akuzuarit të gjashtë, gjegjësisht shoferit të autobusit të aksidentuar Trifun Manoillovski.

Avokatët e përfaqësuesve të kompanisë, mes tyre, Ruzha Tomeska, Velo Kadiev, por edhe Sasho Dukovski, mbi dhjetë herë janë ankuar te gjykatësja për pyetjet e Micevskit ndaj Zekirit, për arsye se sipas tyre, avokati Micevski i përsërit pyetjet, por edhe jep konstatime.

Zotëri Zekiri, ju keni thënë se nuk e keni parë videon e kontrollit teknik të autobusit më 2 korrik 2018-të pasi që videot nuk hapen. Prej ku i keni marrë fotografitë”, e pyeti Micevski, Zekirin.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca.. Eksperti Zekirija Zekiri. Foto: Suad Bajrami
Eksperti Zekirija Zekiri. Foto: Suad Bajrami

Zekiri u mendua për disa minutave, për çka kolegu i tij nga ekipi ngriti dorën për t’u përgjigjur, megjithatë, gjykatësja tha se duhet fillimisht Zekiri të jap përgjigje, dhe pastaj nëse duhet plotësim mund të marrë fjalën.

“Fotografitë janë prej materialeve që i kemi marrë nga procesverbalet”, u përgjigj Zekiri.

Pas përgjigjes së tij, gjykatësja ia tha fjalën kolegut të Zekirit, i cili tha se megjithatë, fotografitë janë nxjerrë si “skrin-shot” nga video, nëpërmjet një telefonit të vjetër, por video gjithsesi nuk ka mundur të shihet si video.

Avokati Micevski më tej shtoi: “Ju insistoni duke thënë vazhdimisht se këtë incizim s’e keni parë pasi që aty shihet se nuk është bërë kontrolli për sistemin e drejtimit, sistemi për frenim, timoni dhe instrument-tabela, ndërkaq aty shihen 4 të akuzuarit”.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Zekiri u përgjigj: “Ne themi në ekspertizë se autobusi nuk është në rregull dhe kjo nuk është kontestuese”.

Micevski iu drejtua Zekirit me fjalët: “Ju e dini se janë kontrolluar frenat e autobusit dhe kanë qenë të parregullta”. Ndaj çka reaguan avokatët e përfaqësuesve të “Durmo Turs”, të cilët u ankuan te gjykatësja që të mos japë konstatime, për çka gjykatësja nuk e lejoi pyetjen.

Avokati Micevski u ndalua edhe te një pjesë e dëshmive të dëshmitarëve të cilët kanë dhënë deklarata para gjykatësve, por shumica e pyetjeve nuk u lejuan nga gjykatësja, pasi që avokatët e përfaqësuesve të “Durmo Turs” vazhdimisht ankoheshin me shpjegimin se pyetjet përsëriten, apo ka konstatime.

Micevski, i rikujtonte Zekirit pjesë të deklaratave të dëshmitarëve, nëpërmjet të cilave pretendonte të tregonte se para goditjes së autobusit në bankinë, ka pasur një problem teknik, si pasojë e së cilës dhe autobusi e ka humbur kontrollin.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Ekspertët e Byrosë për Ekspertiza që e kanë bërë "superekspertizën", foto: Suad Bajrami
Ekspertët e Byrosë për Ekspertiza që e kanë bërë “superekspertizën”, foto: Suad Bajrami

“Deklaratat e dëshmitarëve i kemi lexuar dhe thuajse të gjitha janë të njëjta. Ato që na janë dashur i kemi përdorur”, tha Zekiri, të cilën e përsëriti mbi 10 herë, ndaj pyetjeve të cilat nuk lejoheshin nga gjykata, pasi që avokati Micevski përsëritej dhe brenda pyetjes jepte konstatime për ekspertizën dhe ekspertët.

Gjykatësja Diana GruevskaIlievska, rikujtoi se ka pasur reagim nga drejtori i Byrosë për Ekspertiza se ekspertët po degradohen dhe nënçmohen.

Njëri prej avokatëve të “Durmo Turs”, Lavdrim Seferi gjithashtu theksoi se me përsëritjen e pyetjeve dhe konstatimet në pyetje, po zvarritet procesi gjyqësor.

“Nëse dikush e zvarrit procesin gjyqësor, ajo është mbrojtja e të akuzuarit të gjashtë. Pyetjet s’kanë të bëjnë me superekspertizën. Tanimë dy seanca po parashtron pyetje me qëllim, dukshëm që ta hetojë ekspertin. E lus gjykatësen që t’i pret pyetjet e këtilla dhe t’i lejojë vetëm ato thelbësore”, tha avokati Seferi.

Reagime të ngjashme patën edhe avokatët, Ruzha Tomeska, Velo Kadiev, por edhe Sasho Dukovski, duke thënë se avokati Micevski po parashtron disa herë të njëjtat pyetje dhe po jep konstatime.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Në seancën e kaluar, eksperti Zekirja Zekiri, në dëshminë e tij para gjyqit kategorikisht mohoi se dikush ka ndërhyrë tek ai që të ndikojë në epilogun e superekspertizës.

Palët kanë qëndrime të kundërta në lidhje me deklaratën e Zekirit.

Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit. Avokati i shoferit të autobusit, përveç se e konteston përgatitjen profesionale, ai pretendon se janë bërë lëshime thelbësore. Në ndërkohë, avokatët e përfaqësuesve të “Durmo Turs”, deklaratën e ekspertit e vlerësojnë të drejtë, duke vlerësuar se të gjitha pyetjeve u është përgjigjur siç duhet. Familjarët e viktimave, sot u ankuan se deklarimet e ekspertit Zekiri nuk ishin të qëndrueshme dhe se kishte ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët qëndronin pranë tij.

“Durmo Tours” konsiderohet në opinion si kompani e afërt me BDI-në në pushtet dhe të gjitha bllokimet dhe zvarritjet e mëparshme në këtë proces gjyqësor, pretendohet se janë në drejtim që të gjithë fajin t’ia bartin vetëm shoferit, ndërkaq të anulohet defekti eventual teknik i autobusit që u përmbys papritur, duke shmangur përgjegjësinë penale për pronarët e kompanisë.

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të dhe vazhdon të zvarritet. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button