Menaxher apo Lider?

Shpesh na ndodh të ngatërrojmë udhëheqjen me menaxhimin. Kur flasim për liderët zakonisht nënkuptojmë menaxherët dhe anasjelltas, kur u drejtohemi menaxherëve ne i konsiderojmë ata si liderë. Por jo domosdoshmërish një udhëheqës mund/duhet t’i ketë të dyja.

Dilemat e tipit Menaxher vs Lider tashmë janë të njohura dhe të elaboruara mjaft në botën e biznesit dhe jo vetëm. Studime, analiza, debate të shumta janë zhvilluar në këtë temë. Duke u nisur nga kjo, ajo që nuk arrij ta kuptoj është se përse disa, këtu ju referohem sidomos atyre që mbajnë poste të larta udhëheqëse, nuk bëjnë dallimin. Dhe pikërisht këtë do përpiqem ta bëj tani

Do e nis me thënien  e Piter Druker, atij që e konsiderojnë themeluesin e menaxhmentit modern, ajo që të del ndër të parat kur “guglon” në këtë temë :

“Management is doing things right; leadership is doing the right things.”

Sipas tij menaxhimi është TË BËSH GJËRAT SI DUHET, kurse lidership është TË BËSH GJËNË E DUHUR.

Ky në fakt është thelbi i asaj që bën diferencën. Ndryshe thënë, menaxheri fokusohet te procesi, ndërsa Lideri te njerëzit. I pari tenton të arrijë qëllimet nëpërmjet pushtetit që ka, kurse lideri ka tjerër qasje – influencim, inspirim, pa imponim.

Menaxheri është i orientuar drejt rezultatit, finales. Ai shfrytëzon autoritetin formal, atë që ja jep detyra për të komanduar stafin që të kryejë detyrat e caktuara. Zakonisht perceptohet si komandanti apo “boss-i”. Menaxherët zakonisht janë të drejtpërdrejtë, urdhërojnë, kontrollojnë,  duan disiplinë, shpejtësi dhe rezultate. Në fakt ata i bëjnë gjërat si duhet – ndjekin procesin e menaxhimit që ka të bëjë me vendosjen dhe vlerësimin e prioriteteve, vendimet e punësimit dhe shkarkimit, vendimet e kompensimit, gjëra të tilla.

Nga ana tjetër, lideri është më shumë një vizionar , trajner (coach) apo edhe një udhërrëfyes shpirtëror. Liderët posedojnë pasion, fuqi dhe vullnet për të arritur qëllimet afatgjata. Ata inkurajojnë, frymëzojnë, motivojnë ata përreth tyre dhe shohin potencialin te të tjerët. Sfidojnë status quo-në dhe përpiqen të bëjnë ndryshime pozitive për organizatën.  Ndihmojnë në rritjen profesionale të ekipit dhe sigurojnë që të gjithë të jenë në të njëjtin drejtim. Një lider i vërtetë pra, BËN GJËNË E DUHUR.

Sipas ekspertëve, termi “menaxher” është një titull, kurse “lider” paraqet një qëndrim apo “state of mind”. Të qenit menaxher nuk është parakusht për të qenë një lider efektiv, por liderët efektivë shpesh janë menaxherë të suksesshëm. Në praktikë, titulli i menaxherit përcakton fushëveprimin e rolit, kurse ndikimi në ekip varet nga aftësitë drejtuese apo të liderit.

Për të pasur një organizatë të shëndetshme dhe një ekip të mirë, ju duhen të dyja. Niveli menaxherial në fakt determinon se sa “menaxher” apo “lider” duhet të jetë udhëheqësi . Si menaxher, ju mbështetni anëtarët e ekipit gjatë punës së përditshme dhe inkurajoni ata të bëjnë punën sa më mirë (psh. mbikëqyrësit, shefat e seksioneve, njësie, menaxherë zyre që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me punonjësit). Si lider, ju duhet tu krijoni punonjësve pasqyrën e madhe në mënyrë që anëtarët e ekipit të mund të kuptojnë vizionin e kompanisë. Këtu ju referohem “top” menaxherëve, drejtorëve ekzekutiv etj, atyre që përcaktojnë kahjen e kompanisë, krijojnë vizionin dhe misionin e saj. Menaxherët taktikë (niveli i mesëm) nga ana tjetër duhet të posedojnë nga aftësi nga të dyja kategoritë.

Pra, sa më lartë në hierarkinë menaxheriale, aq më shumë, një lider duhet të jetë udhëheqësi dhe anasjelltas . Dhe kjo duhet pasur parasysh kur bëhet zgjedhja e safit udhëheqës të një kompani.

Por të dy pozicionet janë kyçe për një ekip efektiv dhe një vend pune bashkëpunues. Pavarësisht a jeni menaxher, lider apo të dyja, të mësuarit për të bërë dallimin midis tyre mund t’ju ndihmojë të zhvilloni aftësi për secilin.

Në fund të ditës “Nuk bëhet fjalë për para. Bëhet fjalë për njerëzit që keni, si i udhëhiqni dhe sa merrni.” (Steve Jobs)

Nga: Natyra Dika-Krluku 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button