Maqedonia në vitin 2023: Nëse dëshiron të udhëtosh, duhet patjetër të shkosh deri në stacion që të blesh biletë

Blerja online nëpër shtetet evropiane kursen para nëse bileta blihet pak kohë para udhëtimit, ndërsa udhëtari është i sigurt se do të niset në kohën e dëshiruar. Në kohë reale mund të ndiqet se sa vonon ardhja e autobusit ose trenit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Shkup, mëngjes i zymtë i së shtunës në muajin shkurt. Tre shokë kanë planifikuar një udhëtim njëditor deri në Shtip dhe shkojnë te Stacioni i autobusëve ndërqytetar. Në sportelin e shitjes së biletave zbulojnë se transportuesi konkret ka vendosur që atë ditë në vend të autobusit të dërgojë furgon, e kështu në vend që të shiten 50 bileta, mund të shiten vetëm 15 bileta. Shokët blejnë bileta për vete, ndërsa pas vetes lënë qytetarë që nuk mund të blejnë bileta sepse nuk ka vende të lira. Do t’u duhet të presin edhe dy orë të tjera deri në nisjen e ardhme, e nëse në atë orar është transportues i një kompanie tjetër, mbase do t’u duhet të paguajnë edhe biletë më të shtrenjtë. Kjo është vetëm një nga përvojat e shumta të shfrytëzimit të transportit ndërqytetar në vendin tonë, të cilat i përjetojnë qytetarët e Maqedonisë.

Në vitin 2023, në një vend evropian nuk mund të blihet biletë për udhëtim me autobus ose me tren online, të shihet sa vende të lira ka në dispozicion për udhëtim, e as të kontrollohet në ndonjë ueb faqe apo aplikacion nëse vonohet dhe sa kohë i duhet që të arrijë mjeti i tyre transportues. Udhëtarët duhet paraprakisht të shkojnë deri në stacion që të blejnë biletë nëse duan të jenë të sigurt se do të udhëtojnë në orën e dëshiruar, ndërsa emër abstrakt mbetet mundësia për ta paguar biletën më lirë nëse udhëtari vendos që ta blejë atë disa ditë më parë.

Shërbimet digjitale në transportin e Maqedonisë janë në pikën zero, pjesa më e madhe e transportuesve dhe stacioneve të autobusëve në vend nuk kanë as ueb-faqen e tyre për të parë rendin e qarkullimit, ndërsa në vendet evropiane tashmë vite me radhë një pjesë e autobusëve dhe transportuesve hekurudhorë funksionojnë nëpërmjet shitjes online të biletave.

Shërbime digjitale sipas vullnetit të transportuesve dhe stacioneve

Ueb faqja e Stacionit të Autobusëve në Shkup funksionon nga aspekti i kontrollimit të rendeve të qarkullimit, por për momentin nuk ka mundësi për blerje online të biletave. Nuk mund të shihet nëse ndonjë autobus gjatë nisjes për ndonjë destinacion të caktuar do të vonohet. Përvoja online me këtë stacion autobusësh është e shkëlqyer, në krahasim me për shembull, stacionin e autobusëve në Shtip, i cili fare nuk ka ueb faqe. Në Prilep, stacioni i autobusëve ka ueb faqen e vetë me rend të publikuar të qarkullimit, por opsioni “Rezervo biletë” nuk funksionon.

Meta.mk parashtroi pyetje deri te stacionet e autobusëve në Shkup dhe Prilep, si dhe deri te transportuesi me autobusë “Roman” nga Prilepi. Nga “Rule Tursi” i Shkupit informojnë se transporti gjatë kohës së pandemisë së COVID-19 ka qenë në restrikcione prej 90% dhe për këtë shkak nuk është investuar në faqe të tillë, ndërsa kompanitë transportuese mezi kanë mbijetuar.

“Për momentin është duke u përpunuar dhe është në fazë përfundimtare faqja për shitje elektronike të biletave e cila pas një periudhe të shkurtër provë do të funksionojë, shpresojmë për kënaqësinë e udhëtarëve”, informojnë nga “Rule Turs”, dhe shtojnë se për lëshimin e të njëjtës në përdorim qytetarët do të informohen me kohë.

Nga “Rule Turs” sqarojnë se faqja e tyre që do të lëshohet në përdorim deri në fund të këtij muaji, qytetarëve do ju ofrojë mundësi ta ndjekin lëvizjen e autobusëve të kompanisë së tyre në kohë reale, por nuk mund të përgjigjen për autobusët e transportuesve të tjerë.

Sa i përket mundësisë për blerjen e biletave online kohë të caktuar para udhëtimit me çmime më të lira, në krahasim me blerjen e tyre direkt para udhëtimit, nga “Rule Turs” sqarojnë se për ato kjo përvojë nuk është e njohur. Me kompanitë nga BE-ja me të cilat ato bashkëpunojnë, nuk kanë përvojë ku çmimi i biletës varion në bazë të asaj se në çfarë periudhe para udhëtimit është blerë e njëjta.

Në bisedë telefonike pas dërgimit të pyetjeve me e-mail, nga ana e Transportuesit me autobusë të Prilepit “Roman” na thanë se nuk kanë mundësi të aplikojnë shitje online të biletave, duke shtuar se shitja e biletave duhet patjetër të shkojë nëpërmjet të stacionit të autobusëve të Prilepit.

Nga stacioni i autobusëve të Prilepit Pellagonija Bus për meta.mk thonë se përpunimi i një faqeje për shitjen e biletave kushton afër 50.000 euro, gjë që si ndërmarrje nuk kanë mundësi ta paguajnë vetë si investim. Nga stacioni kanë përgatitur një projekt me një studim fizibiliteti për një nga thirrjet e Fondit për inovacione, por nuk kanë arritur të fitojnë mjete për këtë ide.

“Një faqe e këtillë e centralizuar ekziston qysh në vitin 2014 dhe quhet http://e-avtobuska.mk/
dhe është e financuar nga ana e të gjithë stacioneve të autobusëve në RMV. E njëjta faqe nuk funksionon edhepse është e paguar nga të gjithë stacionet e autobusëve me nga 300.000 denarë dhe ka mbështetjen e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve”, thotë Borçe Çupetreski nga Stacioni i Autobusëve Prilep.

Ai konfirmon se ekzistojnë faqe që janë të interesuara të japin shërbime për shitje online të biletave, por çmimi i shërbimit që ato e kërkojnë është tepër i lartë dhe jo real.

“Nëse ne kemi 10 përqind të vlerës së biletës, nuk mund të kushtojë shitja elektronike 10 përqind e biletës ose i gjithë fitimi ynë. Atëherë si do të financohemi ne dhe si do t’i mbulojmë të gjitha shpenzimet”, shton ai. Nga ana e Stacionit të autobusëve Prilep thonë se planifikojnë të aplikojnë shërbim për shitje online të biletave, e cila për momentin po përgatitet teknikisht dhe në mënyrë softuerike, por edhe shtojnë se janë të detyruar të shesin një pjesë të pronave të tyre që ta financojnë projektin.

Çupetreski shton se stacioni i autobusëve është vetëm ndërmjetësues gjatë kryerjes së veprimtarisë së transportit, ndërsa transportuesit vetë e caktojnë çmimin e biletave. Gjithashtu, kompanitë transportuese do të duhej të jenë të detyruar që të vendosin sisteme GPS nëpër autobusë, që të mund të sigurohen informacione mbi lëvizjen e autobusëve në kohë reale për udhëtarët.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk thonë se ueb-faqja e-autobuska.mk si një platformë e unifikuar e cila shërben për rezervim dhe blerje online të biletave të autobusit, nuk është në pronësi të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e as Ministria nuk është e autorizuar (detyruar) për hostimin dhe mirëmbajtjen e këtij ueb-portali.

Hekurudha në “gjumë të thellë”

Në ueb faqen e transportuesit të vetëm hekurudhor në vend – Hekurudhat e RMV-së- Transport, jo vetëm që nuk ka mundësi për blerje online të biletave dhe nuk është e mundësuar ndjekja e lëvizjes së trenave në kohë reale, por edhe rendi aktual i qarkullimit nuk është i korrigjuar në pajtim me gjendjen reale të mosqarkullimit të trenave drejt Kërçovës, Koçanit, Prishtinës dhe Kumanovës. Udhëtarët mund të marrin informacion se cili tren do qarkullojë vetëm nëse paraqiten në telefon në stacionin hekurudhor ose nëse shkojnë vetë në stacion. Edhe blerja e biletave të trenit mund të bëhet vetëm në stacionet hekurudhore ose te konduktori i trenit.

Edhe deri te Hekurudhat e RMV-Transport parashtruam pyetje mbi atë se kur dhe nëse planifikojnë të aplikojnë shitje online të biletave dhe kur do të mund ta aplikojnë mundësinë e faqes për ndjekjen e vonesave të trenave në kohë reale online, por nuk morëm përgjigje për pyetjet e parashtruara.

Do të ndryshohet ligji që të mundësohen shërbime digjitale

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk e pranojnë se ka mangësi të caktuara në segmentin e rezervimeve dhe blerjeve online të biletave nga ana e stacioneve të autobusëve.

“Ju njoftojmë se për momentin jemi në proces të përgatitjes së një Ligji të ri për transport në komunikacionin rrugor, në të cilin do të aplikohen shumë risi me qëllim të përmirësimit të kushteve për kryerjen e transportit të udhëtarëve në qarkullimin e brendshëm dhe ndërkombëtar si dhe qasje më të madhe deri të informatat me karakter publik nga ana e qytetarëve, duke përfshirë edhe rezervimet dhe blerjen online”, informojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Transportit sqarojnë se në nenin 33, paragrafin 1 të Ligjit për transportin në qarkullimin rrugor (LTQRR) qëndron se biletat e transportit ekskluzivisht shiten nëpërmjet sistemit të unifikuar elektronik me pagesë elektronike të biletave.

“Shitja online është e definuar në këtë nen, por nuk është definuar se kush e përgatit faqen për shitjen e biletave, kush është bartës i autorizimit, dhe gjithashtu nuk është paraparë mënyra dhe pamja e faqes për shitjen e biletave online”, thonë për Meta.mk nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.

“Në vitet e kaluara gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese në terren është konstatuar mosrespektim i nenit 33 paragrafi 1 të LTQRR-së me çka janë ndjekur procedura kundërvajtëse të cilat ende janë në vijim pranë gjykatave kompetente”, shtojnë nga ky inspektorat.

Në lidhje me ndryshimet eventuale të këtij ligji, nga Inspektorati për Transport nga riadresuan te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, gjegjësisht në Sektorin e komunikacionit rrugor.

Si funksionon Evropa me blerjen online të biletave?

Që të japim një shembull pozitiv të blerjes online të biletave, e zgjodhëm ueb faqen e Student Agency në Çeki. Kjo kompani private shet bileta autobusi dhe hekurudhore, ndërsa në internet mund të blihen edhe me muaj më parë. Me vetë futjen e destinacionit të nisjes dhe atij përfundimtar të udhëtimit në formën online, i fituam opsionet për udhëtim midis Pragës dhe Bërnos për në maj të vitit 2023.

Screenshot nga kërkimi i biletave online në ueb faqen e Student Agency

Siç mund të shihet nga rezultati i kërkimit, për çdo nisje në veçanti me autobus ose tren ka informata mbi çmimin e biletës, numrin e vendeve të lira në mjetin transportues, si dhe informata mbi biletat e shitura. Edhepse janë të të njëjtit transportues, çmimet e biletave variojnë ne varësi të datës së nisjes.

Për shkak se Çekia mund të duket e largët sipas shkallës së zhvillimit të këtij shërbimi digjital, Meta.mk u përpoq të sigurojë online biletë hekurudhore nga “Srbija Voz” në Serbi. Duke futur pikën e nisjes dhe destinacionin final të udhëtimit, si dhe datën e udhëtimit, fituam qasje deri të të gjitha nisjet midis Beogradit dhe Novi Sadit. Me zgjedhjen e trenit të caktuar, faqja automatikisht të çon te pagesa elektronike e biletës.

Screenshot nga kërkimi i biletave online në ueb-faqen e Srbija Voz.

Shembuj të këtillë të ngjashëm me informacione për blerje online të biletave, numrin e ulëseve të lira, çmimin e biletës dhe ndjekjen e vonesave eventuale të mjeteve transportuese ka shumë nëpër vendet evropiane, ndërsa një pjesë e tyre paraqesin një përvojë pozitive si antipod të gjendjes së Maqedoni.

Bus2Go si shembull i suksesshëm në Maqedoni

Aplikacioni Bus2Go është shembull i rrallë në Maqedoni, nëpërmjet të cilit qytetarët në 18 muajt e kaluar kishin mundësi të blejnë bileta online për udhëtim me autobus në vend dhe jashtë shtetit.
“Oferta momentale në dispozicion përfshin mbi dhjetë transportues dhe linja dhe rreth 100 bileta të ndryshme të mundura. Në këtë fazë pilot, pjesa më e madhe e përdoruesve tonë janë udhëtarë të huaj që udhëtojnë nëpër vendin tonë”, thotë për Meta.mk Afet Musliji, bashkëthemelues i aplikacionit Bus2Go.

Ato janë në kontakt edhe me transportuesit e tjerë vendorë, të cilët nuk janë pjesë e platformës së tyre online. Nga Bus2Go presin që tu bashkëngjitenmoni edhe më shumë transportues me linja ndërkombëtare, por edhe e pranojnë se bisedimet me transportuesit e linjave vendore janë më të vështira dhe më të ngadalshme.

“Bileta udhëtimi për një linjë dhe kohë të caktuar shiten nëpërmjet sportelit nga më shumë se një kompani, pa një sistem të centralizuar dhe të përbashkët për rezervime nëpërmjet një mënyrë paraprakisht të rregulluar. Stacionet e autobusëve janë biznese të veçanta të cilat të hyrat kryesore i kanë nga shitja e biletave në sportele. Që të digjitalizohet sektori dhe të përmirësohet shërbimi ndaj përdoruesve, nevojitet një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe një model që do t’i kyçë dhe do t’i lidhë të gjithë lojtarët në këtë sistem”, thotë Musliji.

Nga Bus2Go shtojnë se shërbimi online për blerjen e biletave ka shumë përparësi, midis të cilave është shërbimi më i mirë ndaj udhëtarëve, por edhe që transporti publik të bëhet më atraktiv për qytetarët. Gjithashtu, kompanive transportuese me blerjen online të biletave u mundësohet optimizim i shërbimeve nëpërmjet planifikimit dhe shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve për transportin e udhëtarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button