fbpx

Hooper: Jam i befasuar me rolin e Vetëvendosjes

Ish-diplomat amerikan, James Hooper, me përvojë në Lindjen e Mesme dhe Ballkan, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ka thënë se krijimi i menjëhershëm i koalicionit qeverisës opozitar ka qenë i papritur. Megjithatë, ai thotë se tani duhet të respektohen dispozitat e kushtetutës, ndërsa ka theksuar se ky vendim i krijimit të këtij koalicioni është bërë nga vetë shqiptarët, pa ndërhyrje të diplomatëve të huaj. Thotë se nuk ka pritur që Vetëvendosja të luante një rol të tillë.

“Në radhë të parë dua të përgëzoj popullin dhe autoritetet e Kosovës që organizuan zgjedhje që u vlerësuan si të lira e të drejta. Kritikat ishin të pakta dhe zgjedhjet u cilësuan si një hap i madh përpara. E papritura e këtyre zgjedhjeve ishte formimi i menjëhershëm i një koalicioni. Tani duhet të respektohen dispozitat e kushtetutës. Nuk u pa ndonjë ndërhyrje nga diplomatë amerikanë ose të huaj tjerë, nuk pati manovra politike pas skene për qeverinë, gjithçka u bë nga vetë shqiptarët. Një e veçantë tjetër është se Vetëvendosja doli mirë dhe duket se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, por do ta mbështesë atë. Unë nuk e prisja që Vetëvendosja të luante një rol të tillë”, ka thënë Hooper për Zërin e Amerikës.

Hooper ka thënë se përshkallëzimi i retorikës dhe një lloj tensioni është më se normal, për sa kohë nuk del jashtë kontrollit.

“Unë nuk jam ekspert i Kushtetutës për zgjedhjet, por ajo duhet të respektohet, përndryshe Kosova rrezikon të humbasë gjithë vlerësimin pozitiv për fushatën e lirë dhe të drejtë të zgjedhjeve. Presidentja duhet të ushtrojë autoritetin e saj dhe t’i japë të drejtën e formimit të qeverisë palës që i takon me kushtetutë dhe në se ka nevojë për këshillën e Gjykatës Kushtetuese, atëherë duhet t’i drejtohet asaj. Unë mendoj se kjo është një ditë e re për Kosovën, është shumë pozitive dhe do ta përmirësojë imazhin e saj, për sa kohë që tensionet dhe lufta politike se kush do ta marrë mandatin nuk del jashtë kontrollit”, ka shtuar më tej ai.

Ish-diplomati amerikan, James Hooper ka thënë se kosovarët janë të aftë vetë dhe nuk kanë nevojë të mëtejshme për një ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar.

“Demokracia atje është më e pjekur. Mënyra si u zhvillua fushata zgjedhore dhe shpejtësia me të cilën u formua koalicioni, flet për një nivel pjekurie demokratike që është mbresëlënës. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i lënë udhëheqësit e Kosovës të vendosin dhe ta drejtojnë vetë procesin”, ka theksuar Hooper.

Në lidhje me krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë, Hooper ka thënë se nuk beson se do të mund të tronditet vendi në rast se kosovarët respektojnë përfundimet e hetimeve dhe ata që paditen të shkojnë para gjykatës.

“Rreziku do të lindë, nëse ndonjë figurë politike e akuzuar, do të përpiqet të mbrohet me flamurin e patriotizmit dhe t’i shmanget gjykatës. Unë nuk do të kisha preferuar këtë formë, por ai që akuzohet, duhet të jetë i përgatitur të përballojë shijen e hidhur dhe të shkojë para gjykatës për t’iu nënshtruar procesit. Kosova është një vend i vogël, që varet nga marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar dhe nuk mund të rrezikojë t’i prishë ato duke i rezistuar kësaj nisme të komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër kryeprokurori amerikan John Clint Ëilliamson është një njeri me integritet të lartë, shumë serioz, i pakorruptueshëm, që nuk do akuzojë individë për të cilët hetimet e gjata të kryesura prej tij nuk kanë nxjerrë prova të mjaftueshme”, është shprehu ai.

“Kryeministri Thaçi ka disa anë të forta, ai nuk mendon lokalisht, ai e kupton si funksionon udhëheqja, si funksionon komuniteti ndërkombëtar dhe ai bashkëpunon me të në këtë nivel të gjerë. Nëse koalicioni do të formojë qeverinë e ardhshme, ai duhet të lëvizë me shpejtësi dhe të krijojë imazhin që di të merret me problemet në nivel ndërkombëtar. Unë jam për shembull i shqetësuar, nga këmbëngulja e vazhdueshme e Albin Kurtit për ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si një kusht për mbështetjen e qeverisë së re. Ky do të ishte një gabim shumë i madh. Kosova dhe Serbia jetojnë pranë njëra-tjetrës dhe duhet të kenë marrëdhënie sa më konstruktive, që të jetë e mundur. Dialogu duhet ushqyer e forcuar që situata të mos përkeqësohet. Pra cilado qoftë forca që do të qeverisë Kosovën duhet ta çojë dialogun përpara”, ka shtuar Hooper.

AI thotë se nuk e di se ç’do të ndodhë me qeverinë e re, “por nëse zoti Thaçi do të zëvendësohej nga koalicioni, nuk është herët për të, që të fillojë të mendojë për trashëgiminë e tij”.

“Ai duhet të hedhë një hap pas dhe të mendojë se sa ka bërë për vendin, para lufte, gjatë negociatave, dhe më pas, për të siguruar pavarësinë. Pas lufte ai nuk u zgjodh kryeministër, siç pritej, dhe doli në opozitë. Ajo që mësoi ishte disiplina e të qenit në opozitë, ai mësoi si të ishte udhëheqësi i një partie në opozitë dhe si të luajë rolin e një opozite besnike, kjo ndikoi mbi të dhe ai doli prej saj si një politikan më i mirë, më i pjekur, dhe një udhëheqës më i mirë. Duhet mësuar nga mënyra si ai është sjellë me komunitetin ndërkombëtar. Nuk është e lehtë të merresh me Shtetet e Bashkuara, nuk është e lehtë të merresh me shtetet evropiane, është një veprimtari e përhershme manovrimesh dhe balancash dhe kushdo që do të vijë në pushtet, kushdo që do ta zëvendësojë, në se do të zëvendësohet, do ta provojë se sa e vështirë është kjo”, është shprehur ish-diplomati amerikan.

Në lidhje me përfshirjen e shqiptarëve në luftimet në Siri, James Hooper thotë se kjo gjë është shqetësuese, si për Kosovën, për Shqipërinë apo Maqedoninë. /Telegrafi/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close