Jakov Milatoviq do të sfidojë Gjukanoviqin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi

Ekonomisti tridhjetë e shtatë vjeçar dhe lideri i lëvizjes “Evropa tani”, Jakov Milatoviq, do ta sfidojë Milo Gjukanoviqin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, që do të mbahen më 2 prill. Presidenti aktual fitoi më shumë vota se Milatoviq në raundin e parë të djeshëm, 35.2% kundrejt 29.2% dhe i treti Andrija Mandiq (19.3%) tashmë u ka bërë thirrje votuesve të tij që ta mbështesin Milatoviqin në dy javë, transmeton Portalb.mk.

Ndërsa kryeministri aktual Dritan Abazoviq tha se partia e tij Lëvizja qytetare URA do ta mbështesë Milatoviqin.

Milatoviq ka punuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku në vitin 2018 është graduar kryeekonomist, ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2022 ka mbajtur postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e kryeministrit paraprak Zdravko Krivokapiq. Pas rënies së kësaj qeverie, ai formoi lëvizjen “Evropa tani”, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore u sulmua në Cetinje.

Gjukanoviq tha se nuk i frikësohet kundërshtarit dhe se pret fitore në raundin e dytë.

“Në raundin e parë arritëm atë që donim, fitova më shumë se 120 mijë vota. Ky është një avantazh serioz ndaj kundërshtarit”, tha Gjukanoviq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button