SEMAFORI

Askush s’dëshiron të frymojë negativisht qoftë edhe në shkrime, ngase në natyrën e njeriut është që të shpërfaqë gjëra që janë pozitive, të mira, të bukura. Por, praktika dhe përditshmëria jonë, gjërat që i shohim me sy e i dëgjojmë me veshë flasin se kemi marrë teposhtëzën në shumë sfera të jetës.  Korpusi i keqësisë dita ditës po shkon duke u fuqizuar.

Një ditë rutinë e kthimit nga puna dhe semafori në hyrje të vendbanimit tonë. Shenjëzimi trerrathësh i trafikut në ngjyrën e kuqe. Ndalemi siç e do rendi dhe normat e komunikacionit. Mbi 90 % i shoferëve në këtë hapësirë shqiptarë. Dy shirita: njëri për të kthyer në të majtë, tjetri, drejt, për në Tetovë. Dhe nga ana e djathtë e jona hyrje dy-tri veturash në të kuqe. Edhe me të ndezur të portokalltës dhe më pas të jeshiles, vetura që nga shiriti paralel na e presin rrugën, kalojnë “si në bahçe të babës”, s’iu bëhet vonë se s’kanë të drejtë të bëjnë këtë veprim. Nxehesh prej brenda por e ke kot, sepse ky akt përsëritet vazhdimisht, çdo ditë, sa herë që kalojmë atypari. Logjikojmë e pyesim: ku shpejtojnë këta njerëz, ç’siklet kanë që s’durojnë disa sekonda a një minutë më tepër që të kalojnë siç i ka hije një njeriu të qytetëruar? Ku mbetet kultura dhe mirësjellja në trafik?

Një gjë që të habit është se kundërvajtje trafiku bëjnë edhe njerëz me targa të huaja, TG, ZH, të Gjermanisë, të Austrisë, Italisë… Thua bëjnë kundërvajtje të këtilla atje: sipas të gjitha gjasave ‘jo’. Këta janë gastarbeiterët tanë që në vend që të na mbajnë leksione të mirësjelljes, na pasqyrojnë sekuenca të gjenit të tyre ballkanik, na i verifikojnë cenet, na i arsyetojnë ‘gabimtarët’ tanë përmes sjelljeve të tyre. Zotni nuk të bën as vendi ku jeton e as vetura që vozit por sjellja që shfaq.

Është shumë e çuditshme se edhe në zona të tjera të qytetit (Shkupit) dhe në qytete të tjera shoferët që shkelin të kuqen e semaforit zakonisht vozisin marka makinash BMW, Mercedes Benz, Volkswagen, Audi. Në të shumtën e rasteve, shoferë të këtyre brendeve ose parakalojnë pa rend, në vizë të vazhdueshme, nga ana e majtë, dy vetura përnjëherë, në të dyja anët, kthejnë në murin e padukshëm ndarës të mbjellur park, dalin në dy shiritët e anës tjetër në formën U, i bëjnë pistë rrugët tona ku gravitojnë edhe fëmijë që shkojnë në shkollë. Së paku neve, nuk na ka ndodhur që ndonjë veturë  e markave Citroën, Peugeot, Toyota, Mazda, Dacia të bëjë gafe apo skandale të këtilla të trafikut. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se bashkëqytetarët tanë joshqiptarë, të cilët me shumicë vozisin makina jogjermane dhe “jo të shpejta” dinë si të sillen në rrugë, kanë kulturë më të lartë të respektimit të rregullave të caktuara nga autoriteti, ndërsa ne krekosemi me çmimin e makinës dhe me shkeljen e rregullave, me vozitjen tepër të shpejtë, madje edhe në zona banimi është krim. E kjo është për të qarë.

Semafori ky simbol i dëshpërimit me nivelin tonë, me nivelin kulturor që kemi, me mendësinë që s’ndryshon ndonëse vitet ecin. Hajde të rinjtë t’i arsyetojmë, po për njerëzit në moshë çka të themi? Zot, na jep bukë e mend më shumë! Dhe kulturë trafiku.

E kjo e fundit nënkupton mënyrat se si shoferët e trajtojnë njëri-tjetrin në kuadër të një mjedisi të trafikut, cilësinë e edukatës së shoferëve. Me të ndërlidhet edhe kultura e sigurisë në trafik (traffic safety culture) që te ne është një ‘tokë e panjohur’. Sipas Sigþórsson dhe Einarsson (2023) ndër tiparet e kulturës së dobët të trafikut janë egoizmi, padëgjueshmëria qytetare, sjellja e papërgjegjshme, mungesa e kujdesit, qasja multitask (të bërit më shumë punë në të njëjtën kohë) gjatë grahjes, sjellja agresive, pezmatimi i heshtur etj. Kurse ndër cilësitë e kulturës së mirë të trafikut janë qetësia, respekti, përgjegjësia, vozitja defensive, konsiderata, durimi, observimi në trafik… Vendet e qytetëruara, kanë aprovuar deklarata (si ajo Tylösandit, Suedi, 2007) ku theksohet se çdokush ka të drejtë që t’i shfrytëzojë rrugët pa kërcënime për jetën apo shëndetin e vet, ka të drejtë për mobilitet të sigurt dhe të qëndrueshëm, për sistem transporti pa kërcënime për jetën dhe shëndetin e të tjerëve, për përmirësim sistematik dhe të vazhdueshëm në siguri. Norma bazike e etikës së trafikut është: Mendo për veten por edhe të tjerët! Krimi nuk bëhet vetëm me armë zjarri, bëhet edhe me këmbëzën/pedalen e gazit!

Sipas të dhënave të OBSH-së (2016) Shqipëria ka një shkallë të lartë të vdekshmërisë në trafik, 15.1 në 100.000 qytetarë, afër me Kolumbinë (16.8), Guajanën (17.3), Nikaraguan (15.3), dhe shumë më tepër se sa Norvegjia (2), Suedia dhe Zvicra (2.2), Slovenia (4.9). Sipas këtyre të dhënave Maqedonia me shifrën 9.4 është gjithashtu larg vendeve me moral apo me edukatë të lartë trafiku.

Nëse nuk shpërfaqim kulturë në komunikacion përveç dëmeve psikike, fizike, materiale që shkaktojmë, e prishim edhe imazhin tonë, vetëorientalizohemi, u japim të drejtë të tjerëvë që të na llogarisin si “fis”, si “montanjerë”, “njerëz të malit”, të na përshkruajnë edhe me shumë epitete të tjera negative.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button