ANALIZË: Për çfarë shpenzuan më së shumti komunat në vitin 2022 – dominojnë shpenzimet për rroga! (Infografik)

Një pjesë e madhe e komunave në vitin 2022 kanë shpenzuar më pak se sa kishin planifikuar, ndërsa rrogat dhe kontributet kanë pjesën më të madhe të shpenzimeve. Edhe zërat për shërbimet me kontratë dhe punësime të përkohshëm nuk janë të parëndësishëm. Vazhdimi i dytë i analizës javore ekonomike të Portalb.mk i përfshin shpenzimet e komunave për të cilat i publikuam të dhënat për të hyrat.

Përveç rrogave dhe kontributeve, shuma milionëshe edhe për faturat për shërbimet komunale.

Shpenzimet totale të komunës së Haraçinës në vitin 2022 arritën në 2 milionë euro. Pjesa më e madhe e parave, 1,3 milionë euro, janë për rroga dhe kontribute dhe 16.500 euro të tjera për kompensime. Zëri i radhës më i madh janë pagesat për faturat e shërbimeve komunale në vlerë prej 142 mijë euro dhe po aq janë shpenzuar për “objekte të tjera ndërtimore”.  Komuna, vitin e kaluar ka paguar gati 80 mijë euro për shërbime kontraktuale dhe 52 mijë euro për punësime të përkohshme.

Vitin e kaluar komuna e Gostivarit ka shpenzuar 18,1 milionë euro. Në anën e shpenzimeve, zëri më i lartë janë rrogat dhe kontributet në vlerë prej 12,1 milionë euro. Zëri tjetër më i madh është “objektet tjera ndërtimore”, përmes të cilit janë shpenzuar 1,3 milionë euro, ndërsa për punësime të përkohshme janë shpenzuar 374 mijë euro. Për faturat e shërbimeve komunale, për ngrohje dhe transport janë paguar gati 1,1 milionë euro.  Në bazë të shërbimeve kontraktuale janë paguar 802 mijë euro.

Shpenzimet e komunave
Shpenzimet e komunave

Shpenzimet totale të komunës së Dibrës vitin e kaluar ishin në vlerë prej gati 5,3 milionë euro. Për pagesën e rrogave dhe kontributeve janë shpenzuar pak më shumë se 3,6 milionë euro, ndërsa për punësime të përkohshme 19.200 euro. Për objektet tjera ndërtimore janë paguar 194 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar kjo komunë ka paguar gati 380 mijë euro për shpenzime komunale dhe transport. Vitin e kaluar përmes zërit “blerje automjetesh” janë shpenzuar 236.100 euro.

Komuna e Kërçovës vitin e kaluar shpenzoi pak më shumë se 13 milionë euro. Rrogat dhe kontributet kanë peshën më të madhe me 8,4 milionë euro, ndërsa 122 mijë e 500 euro të tjera janë paguar për kompensime. Vitin e kaluar kjo komunë ka paguar më shumë se 1,1 milionë euro për faturat e shërbimeve komunale, për transport dhe ngrohje. Në bazë të shërbimeve kontraktuale janë shpenzuar 616.000 euro, ndërsa për objekte të tjera ndërtimore, 567.000 euro. Kjo komunë ka shpenzuar 48 mijë e 500 euro përmes zërit “blerje automjetesh”. Një zë më domethënës në vlerën prej 836 mijë eurosh janë “transferimet e ndryshme”.

Komuna e Strugës vitin e kaluar ka realizuar shpenzime në vlerë prej 16,8 milionë euro. Gati 10,2 milionë euro janë shpenzuar për rroga dhe kontribute dhe 175.600 të tjera për kompensime. Zëri i radhës më i madh janë objektet e tjera ndërtimore, për të cilat janë paraqitur shpenzime në vlerë prej 1,8 milionë euro. Në vitin 2022, kjo komunë ka shpenzuar gati 1,4 milionë euro për faturat e shërbimeve komunale, për ngrohje dhe transport, ndërsa për punësimet e përkohshme, 79.500 euro. 602 mijë euro janë shpenzuar përmes zërit “transferime të ndryshme”, kurse 590 mijë euro për shërbime kontraktuale.

Shpenzimet e përgjithshme buxhetore të komunës së Tetovës vitin e kaluar arritën në 24,7 milionë euro. Kjo komunë ka shpenzuar 16,3 milionë euro për rroga dhe 294 mijë euro të tjera për kompensime. Zëri tjetër më i madh janë “shërbimet kontraktuale” për të cilat janë paguar 1,9 milionë euro, kurse për punësime të përkohshme, 251 mijë euro. Vitin e kaluar kjo komunë ka paguar gati 1,6 milionë euro për shërbime komunale, transport dhe ngrohje.  Përmes zërit “objekte të tjera ndërtimore” janë shpenzuar 1,1 milion euro.

Komuna e Çairit vitin e kaluar ka realizuar shpenzime në vlerë prej gati 13,6 milionë euro. Vitin e kaluar për pagesën e rrogave dhe kontributeve janë shpenzuar 7,8 milionë euro, ndërsa për kompensime janë shpenzuar 129 mijë euro. Një shumë prej 1,5 milionë eurosh është shpenzuar për shërbime komunale, ngrohje dhe transport. Për shërbime kontraktuale janë shpenzuar afro 1,1 milionë euro, ndërsa për punësime të përkohshme 167 mijë euro. Nëpërmjet zërit “transferime të ndryshme” janë shpenzuar 209.600 euro. Një shumë e konsiderueshme prej 941.000 eurosh është paguar për riparime dhe mirëmbajtje të vazhdueshme.

Të dhënat për të ardhurat dhe shpenzimet janë siguruar nga Ministria e Financave, nëpërmjet llogarive përfundimtare për vitin 2022 të njësive të vetëqeverisjes lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button