Pendarovski u takua me Kurtin, Vuçiqin dhe përfaqësuesit e BE-së: Zgjidhja mund të ndihmojë në stabilizimin e përhershëm të rajonit

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Ohër ka pritur në takim përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian Josep Borel, presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në sesion punues të negociatave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë nën patronazhin e BE-së, njofton Portalb.mk.

“Presidenti Pendarovski konsideron se është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo seancë pune e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të mbahet në Ohër, sepse është shenjë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka treguar sjellje jotipike ballkanike në vitet e kaluara dhe funksionon si një demokraci e vërtetë multietnike, e cila është e rrallë dhe në korniza më të gjera. Ne e perceptojmë këtë si një njohje të asaj që është arritur në periudhën e kaluar dhe një nxitje për forcat politike të brendshme për të vazhduar me reformat evropiane, në mënyrë që ne të bëhemi sa më shpejt një anëtar i plotë dhe formal i Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej, në kumtesë thuhet se negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme rajonale, zgjidhja e së cilës mund të ndihmojë në stabilizimin e përhershëm të rajonit dhe integrimin e tij më të shpejtë evropian dhe euroatlantik.

Ndryshe, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, gjegjësisht përfaqësuesin e tyre Miroslav Lajçak, sot në Ohër do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Në cilësinë e vëzhguesit, merr pjesë edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button