Është arritur marrëveshje pa nënshkrim mes Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk zbatohet do t’u bllokohet rruga eurointegruese

Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimin e marrëveshjes, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënies mes tyre. Si pjesë e këtij aneksi, janë përkushtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjet dhe të zbatojnë obligimet e tyre përkatëse në mënyrë ekspeditive dhe në mirëbesim. Kështu u deklarua, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Jozep Borrell në konferencën për shtyp, pas negociatave maratone prej 12 orëve në Ohër, njofton Portalb.mk.

“Synimi i sotëm ishte që të pajtoheshin se si të zbatoheshin marrëveshjet e nënshkruara.  Nuk është se ka qenë gjë e lehtë, në vende dhe formate të ndryshme me qëllimin për të tejkaluar dallimet midis palëve”, tha Borrell.

Ai tha se “për zbatimin e nenit 7-të, Kosova është pajtuar që të fillojë, menjëherë, negocimin me dialogun e lehtësuar nga BE për të vendosur rregullimet dhe përgatitjet, një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunave në Kosovë, palët janë pajtuar gjithashtu për të miratuar deklaratën mbi personat e pagjetur të negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si çështje urgjente”.

Josep Borrell
Josep Borrell

“Fillimisht kemi propozuar një aneks më ambicioz, më të detajuar. Fatkeqësisht palët nuk kanë arritur pajtim në atë version më të detajuar. Marrëveshja konsiderohet e miratuar, me një deklaratë që do të publikohet. Përkundër faktit që një tekst më ambicioz është propozuar në fillim. Ajo mbi të cilën janë dakorduar palët, do të bëhet pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre përkatës drejt BE-së. Për ta bërë më konkrete, do të fillojmë punën menjëherë që formalisht të përfshijmë amendamentet”, shoti Borrell.

Të dyja palët do të obligohen për këtë marrëveshje që do të jetë pjesë e rrugëtimin në BE, shtoi Borrell.

“Ne me forcë do t’u kërkojmë zbatimin e marrëveshjes. Mospërmbushja e tyre do të vijë me pasoja. Do të kenë përfitime të konsiderueshme nga kjo marrëveshje. Dialogu nuk është vetëm për Kosovën e Seribisë. Ky dialog duhet të shihet në një kontekst shumë më të gjerë aktual gjeo-politik me qëllimin e ruajtjes së sigurisë dhe paqes. Të hënën ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen dhe liderët e BE-së do të takohen të enjten dhe të premten, në Këshillin e BE-së do t’i njoftoj për këto bisedime.”, shtoi Borrell.

Vuçiq: Asociacioni i komunave do të krijohet sipas asaj që është nënshkruar

Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se plani i implementimit të propozimit evropian parashihet në disa afate. Sipas tij, fillimisht do të formohet një komision i përbashkët monitorimi që do të raportohet pas 30 ditësh, e që, sipas tij, do të nisë punën me Asociacionin e pastaj me personat e pagjetur.

Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq

Ai ka thënë se çështja e Asociacionit është e nënshkruar dhe se “kjo duhet të realizohet”.
“Nuk mund të zgjedhësh atë që pëlqen, dhe të marrësh atë që të pëlqen. Është dokument i nënshkruar. Ju e keni nënshkruar, mu për këtë ju duhet ta realizoni. Është një rregull shumë konkret”, ka thënë ai pas takimit me Kurtin në Ohër.

Sipas tij, megjithatë “asgjë s’ka përfunduar sonte”.

Albin Kurti: Marrëveshja është njohje defakto, Vuçiq po i ik nënshkrimit

Ne erdhën në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë për zbatimin, kemi arritur marrëveshje publike. Pala tjetër, njëjtë si në takimin në Bruksel më 27 shkurt, po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes. I takon BE-së për ta bërë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshëm. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas negociatave 12 orëshe në Ohër me palën serbe, me ndërmjetësim të BE-së.

“Sa i përket aneksit, do të publikohet në ueb-faqen e BE-së. Aty do ta lexoni dhe kuptoni edhe çka ka edhe çfarë s’ka”, shtoi Kurti.

Albin Kurti
Albin Kurti

“Pala tjetër po ik pasi që do ta bënte ligjërisht të obligueshme, ishim më 27 shkurt të gatshëm, por edhe sot. Marrëveshja bazë, është njohje defakto mes Kosovës dhe Serbisë. Ka edhe shumë gjëra aty, por sot mund të themi se kemi edhe aneksin edhe zbatimit përcjellës”, tha Kurti.

Në lidhje me çështjen e asociacionit, ai tha se është çështje e “vetëmenaxhimit të komunitetit joshuimicë serbëve apo pakicës serbe në Kosovë, dhe natyrisht që ne do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta që edhe serbët në Kosovë që të mos kenë asnjë cenim apo diskriminim”.

Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.

Pas rundit të dialogut të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit, zyrtari i lartë amerikan tha se arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike, transmeton REL.

“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha ai.

Kur u pyet se pse liderë e Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruan marrëveshjen, Escobar tha i beson mekanizmit të Bashkimit Evropian për zbatimin e aneksit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U jam falënderues partnerëve tanë evropianë që na sollën në këtë pikë dhe jam mirënjohës edhe ndaj dy liderëve që kishin guximin politik për të arritur atë që arritën sonte”, tha Escobar.

Ndryshe, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, gjegjësisht përfaqësuesin e tyre Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së Jozep Borrell, në Ohër kanë diskutuar 12 orë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Në cilësinë e vëzhguesit, kanë marrë pjesë edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ishte nikoqir i ngjarjes dhe para fillimit të bisedimeve ka realizuar takime ndaras me palët. Në Ohër ishin edhe edhe presidenti Stevo Pendarovski, Ali Ahmeti dhe përfaqësues të lartë të Qeverisë së RMV-së

22.00 – Përfundoi takimi në Vuçiq – Kurti

Rundi i bisedimeve mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar, bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Pas përfundimit të këtij rundi bisedimesh, pritet që të ketë një deklaratë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

21.10 – Vazhdojnë bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, liderët e Kosovës dhe Serbisë, kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’u rikthyer sërish pas një pauze.

Takimet në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën në orën 10:30.

Fillimisht, Kurti dhe Vuçiq, zhvilluan takime veç e veç me ndërmjetësuesit evropianë dhe më pas nisi takimi trepalësh, ku palët diskutuan për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Më herët gjatë ditës, takimi trepalësh u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pauze.

16.50 – Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ndërprerë. 

14.50 – Kanë përfunduar takimet e ndara të Kurtit dhe Vuçiqit me përfaqësuesit e BE-së, vijon takimi i përbashkët

Kanë përfunduar takimet e ndara në Ohër të përfaqësuesve evropianë me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës.

Përfaqësuesi i lartë Josep Borrell dhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, mëngjesin e sotëm fillimisht janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e më pas edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas rendit të ditës, pas takimeve të veçanta do të ketë një takim të përbashkët në të cilin do të marrin pjesë Kurti, Vuçiq dhe përfaqësuesit evropianë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Liderët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti, po diskutojnë në Villa Biljana në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e BE-së.

12.45 – Ahmeti në Ohër: Shpresoj për marrëveshje, le të verbohen ata që nuk ia duan të mirën paqes, stabilitetit dhe sigurisë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se shpreson që takimi i sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq në Ohër, me ndërmjetësim të BE-së dhe përfaqësim të SHBA-së, të sjellë marrëveshje mes dy vendeve. Ai tha se sytë e të gjithëve sot janë të drejtuar nga Ohri, ndërkaq ata të cilët nuk duan paqen, stabilitetin dhe sigurinë le të verbohen.

I pyetur se çka nëse sot nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Ahmeti tha se ai shpreson se do të ketë marrëveshje.

“Unë nuk i takoj kampit të skeptikëve dhe të dëshpëruarve, unë shpresoj për një marrëveshje që do të arrihet”, tha Ahmeti i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani .

Ai tha se si proces përfundimtar, Kosova duhet të shkojë përpara drejt njohjes ndërkombëtare, përfundimtare si shtet dhe të integrohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Kjo që bëhet sot është në të mirë të dy vendeve, të qytetarëve dhe Kosovës dhe Serbisë. Serbia duhet të reflektojë dhe duhet të hapërojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nuk mund të ketë një Serbi brenda Evropës, pa i stabilizuar marrëdhëniet në të gjitha fushat me Kosovën””, shtoi Ahmeti.

Ndryshe, Ahmeti sot ka pasur takime me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësuesin e BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Gabriel Eskobar.

“Inkurajova Kryeministrin Kurti për epilog pozitiv të dialogut mbi parimet e proklamuara të njohjes së ndërsjelltë nga ndërmjetësuesit e BE-së që kanë qëllimin e sinqertë të ruajtjes së stabilitetit dhe ardhmërinë evropiane të mbarë Ballkanit Perëndimor”, shrkuan Ahmeti për takimin me Kurtin.

“Mendoj që në Ohër, tanimë kanë zbarkuar Shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjithë sytë e opinionit paqedashës dhe liridashës janë sot në Ohër, por mos harrojmë që edhe sytë e të gjithë keqbërësve dhe mosdashjes së paqes dhe stabilitetit, sigurisë dhe pajtimit në Ballkanit Perëndimor, edhe ata sy sot janë në Ohër dhe ata sy nuk e dëshirojnë një përparim të sotëm. Prandaj, unë jam ithtar i asaj që sot të ketë përparim dhe le të verbohen të gjithë ata të cilët nuk ia duan të mirën paqes, stabilitetit dhe sigurisë”, tha Ahmeti i cili qëndron në Ohër, duke shprehur mbështetje pa rezervë për dialogun.

12.00 – Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se janë të fokusuar në finalizim të marrëveshjes Kosovës – Serbi e jo në nënshkrime. Escobar është në Ohër oku po merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim çtë marrëdhënieve]. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi”, ka thënë Escobar në intervistë për “Radio Evropën e Lirë”.

Escobar është takuar me Kurtin më herët sot, ndërsa pritet të takohet edhe me Vuçiqin.

Escobar i pyetur pse është e rëndësishme të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi në mars, ka thënë se ka disa arsye.

“E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, tha Escobar.

Escobar ka thënë se Vuçiq ka nisur bisedë në Serbi se si duhet të duket marrëdhënia Kosovë – Serbi në të ardhmen.

“Dhe, duhet të them që të dyja palët janë duke e marrë seriozisht këtë përgjegjësi. Kështu që, unë shpresoj se do të arrijmë një aneks të finalizuar për një marrëveshje për normalizim sot”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se nuk duhet fokusuar në nënshkrim të ndonjë dokumenti, por në finalizim.

11,30 – Pendarovski u takua me Kurtin, Vuçiqin dhe përfaqësuesit e BE-së: Zgjidhja mund të ndihmojë në stabilizimin e përhershëm të rajonit

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Ohër ka pritur në takim përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian Josep Borrell, presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në sesion punues të negociatave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë nën patronazhin e BE-së.

“Presidenti Pendarovski konsideron se është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo seancë pune e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të mbahet në Ohër, sepse është shenjë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka treguar sjellje jotipike ballkanike në vitet e kaluara dhe funksionon si një demokraci e vërtetë multietnike, e cila është e rrallë dhe në korniza më të gjera. Ne e perceptojmë këtë si një njohje të asaj që është arritur në periudhën e kaluar dhe një nxitje për forcat politike të brendshme për të vazhduar me reformat evropiane, në mënyrë që ne të bëhemi sa më shpejt një anëtar i plotë dhe formal i Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Më tej, në kumtesë thuhet se negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme rajonale, zgjidhja e së cilës mund të ndihmojë në stabilizimin e përhershëm të rajonit dhe integrimin e tij më të shpejtë evropian dhe euroatlantik.

10:45 – Kurti dhe Vuçiq u takuan me Kovaçevskin: Dialogu i rëndësishëm për paqen në rajon

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar në Ohër takim kokë më kokë me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, të cilët do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të raporteve mes dy Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kovaçevski përshëndeti pjesëmarrjen e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe për propozimin aktual evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri Kovaçevski edhe një herë rikonfirmon mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë drejtim. Kovaçevski dhe Kurti ranë dakord që veprimet ushtarake dhe mosmarrëveshjet karakteristike për Ballkanin njëherë e përgjithmonë duhet t’i përkasin të shkuarës dhe rajoni të shkojë drejt përparimit, fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një ekonomie të fortë që do të thotë një standard më i mirë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin Kovaçevski Kurti.

“Kryeministri Kovaçevski përshëndeti pjesëmarrjen e Serbisë në bisedimet në Ohër dhe shprehu kënaqësinë e tij që me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është i mundur një dialog i hapur, i cili ka një rëndësi të madhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe që do të jetë një hap përpara drejt rrugës evropiane të rajonit. Kryeministri Kovaçevski dhe presidenti Vuçiq u pajtuan se paqja jo vetëm në të dy vendet, por edhe në të gjithë rajonin është e rëndësishme dhe dialogu është i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve. Kovaçevski dhe Vuçiq theksuan se integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është interes politik, i sigurisë dhe ekonomik i BE-së”, thuhet në njoftimin për takimin Kovaçevski – Vuçiq.

Kovaçevski paraprakisht kishte takim edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së.

This slideshow requires JavaScript.

10.00- Deklaratë e Kurtit para takimit

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.

09.00 – Ohri në pritje të Kurtit dhe Vuçiqit

Propozimi evropian, i cili, është pranuar më 27 shkurt nga të dyja palët, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë deri në zgjidhjen përfundimtare çështjes Kosovë Serbi. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk parasheh njohje reciproke. Diplomatët janë deklaruar se momentalisht kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme.

Dokumenti ka gjithsej 11 nene, duke përfshirë zotimin e palëve për t’i respektuar marrëveshjet e deritanishme mes dy vendeve si dhe të mos e pengojnë njëra tjetrën në integrime.

Serbia kërkon që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare ta përfshijë edhe njohjen reciproke.

Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar që në vitin 2011.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button