A mund të lindë parajsa nga ferri?

Nesër (18 mars 2023), nën përkujdesjen e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, Jozef Borell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav  Lajçak, do të takohen në Ohër kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçiq, për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mdërmjet dy shteteve dhe për t’u dakordësuar për pranimin, ndoshta dhe nënshkrimin, e propozimit të panegociueshëm evropian, që ka në qendër formimin i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Veriun e Kosovës.

Takimi në fjalë, që mund ta dëmtojë pariparueshëm sovranitetin e Kosovës shtet, vin si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013 nga kryeministrat e asokohshëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit.

Kjo, natyrisht, nuk është pritur t’i ndodhë Kosovës pas planit të dhimbshëm të Ahtisarit, që e shndërroi vendin në eksteritore mijërahektarëshe kishash e manastiresh serbe, pa çka se, gjer në konvertimin e shqiptarëve në islam, një pjesë e tyre ishin faltore të shqiptarëve katolikë dhe ortodoksë.

Tani më janë bërë publike 11 nenet e Planit evropian për marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shumica prej të cilëve mund ta bëjnë Kosovën një OJQ të madhe. E them këtë, sepse parësia aktuale serbe e dalur nga nënsjetullat e Kasapit të Ballkanit, mund t’i pranojë pro forma favoret që nuk i gëzon asnjë pakicë kombëtare në rruzullin tokësor. Jo rastësisht, pas çdo takimi me diplomatët evropianë dhe amerikanë, Vuçiqi deklaron të kundërtën e asaj që e thotë në takimet me ta, duke u betuar përpara opinionit serb se nuk do ta pranojë kurrë shtetësinë e Kosovës. Kjo dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për zgjidhjen paqesore dhe të përhershmë të marrëdhënieve me Kosovën, pavarësisht të dhënës se statusi i serbëve të Veriut të Kosovës nuk do të ketë asgjë mangut nga bashkëkombasit e tyre në Republikën serbe të Bosnjës. Këte e dinë të gjithë ata që e njohin historinë e politikave serbe. E dinë edhe ata që e ndihmuan Kosovën në luftën e fundit, që aktualisht, në përpjekje për të penguar shpërthimin e një konflikti të ri luftarak në Ballkan, i cili do t’i shkonte për shtati Rusisë, mund të cënojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Do të doja ta kem gabim, por druaj se edhe pas krijimt të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të funksionojë si shtet më vete, më e lidhur me Serbinë se me Kosovën, situata do të përkeqësohet edhe më keq, sepse qëllimi i vërtetë i politikës serbomadhe nuk ka të bëjë me të drejtat gjoja të munguara të  serbëve në Veriun e Kosovës, po me aneksimin e Trepçës, Ujmanit dhe Brezovicës, për të cilat flasin, shkruajnë dhe bëjnë propaganda në stilin:

  • Trepça është e domosdoshme për mbijetësën e serbëve të Veriut të Kosovës e Metohisë.
  • Trepça është e një rëndësie jetike dhe të jashtëzakonshme për Serbinë.
  • Ujmani është çështje e ekzistencës së serbëve të Kosovës dhe Metohisë.
  • Ujmani është mbijetesa dhe zhvillimi ynë.
  • Pa Ujmanin nuk do të ekzistonim fare.
  • Prishtina përpiqet nën rogoz ta shkëpusë nga Serbia Trepçën, Ujmanin dhe Brezovicën.
  • Pronari i vetëm i Brezovicës është Republika e Serbisë…

Deklaratat e këtilla luftënxitëse janë të përditshme, sepse pushtuesi i deridjeshëm i Kosovës dhe jo vetëm nuk është i interesuar për paqe dhe jetë të qetë me fqinjët, veçmas jo me shqiptarët e urryer patologjikisht. Gjasat për të ndryshuar gjërat duken të pakta, por, le të shpresojmë se mund të lindë parajsa nga ferri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button