Gjukanoviç në garë për mandatin e tretë, një grua dhe një influencer synojnë postin e presidentit

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi do të mbahen të dielën më 19 mars. Në garë për kreun e shtetit janë shtatë kandidatë, të cilët janë kryesisht figura të njohura të skenës politike, me përjashtim të influencuerit Jovan Raduloviç, shkruan Anadolu.

Në garën zgjedhore marrin pjesë kandidatët, tashmë të njohur për publikun, kreu aktual i shtetit Milo Gjukanoviç, një nga liderët e FD Andrija Mandiç dhe deputetja e PSD-së Draginja Vuksanoviç-Stankoviç ndërsa për herë të parë do të garojë lideri i demokratëve Aleksa Beçiq, lideri i Malit të Zi të Bashkuar, Goran Daniloviç, një nga liderët e Lëvizjes “Evropa Tani” Jakov Milatoviç dhe influenceri Jovan Raduloviç.

Gjukanoviç në garë për mandatin e tretë

Gjukanoviç hyn në garën presidenciale nga pozita e kreut të shtetit dhe liderit të opozitës PDS (Partia Demokratike e Socialistëve), e cila humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2020. Ai tashmë ka mbajtur postin e presidentit të Malit të Zi për dy mandate. Madje, ka qenë edhe kryeministër i Malit të Zi gjashtë herë.

Në moshën 29-vjeçare, ai u zgjodh kryeministër për herë të parë në vitin 1991, kur Unioni i tij i Komunistëve u emërua Partia Demokratike e Socialistëve.

Nga pozita e kryeministrit ai udhëhoqi lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi, e cila u rinovua në vitin 2006. Të njëjtin pozicion e mbajti në vitin 2010 kur Mali i Zi filloi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe në vitin 2017 kur u anëtarësua në NATO.

Kandidati i FD Mandiç

Në garë për president të Malit të Zi është edhe njëri nga drejtuesit e FD (Frontit Demokratik), Andrija Mandiç. Ai ishte kandidat për president në vitin 2008. Për vite me radhë, FD-ja e tij mbrojti tre qëllime politike – tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, largimin e Malit të Zi nga NATO dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat Mali i Zi i vendosi në vitin 2014 në kuadër të ndjekjes së kursit të politikës së jashtme të BE-së.

Ai është i afërt me Kishën Ortodokse Serbe ndërkaq mbështetje publike për zgjedhjet i ka dhënë presidenti i entitetit në Bosnjë e Hercegovinë, Republika Sërpska, Milorad Dodik.

Mandiç, së bashku me liderin tjetër të FD-së, Milan Knezheviç, u akuzuan në rastin e “grusht shtetit” për përgatitjen e dhunshme të ndryshimit të qeverisë në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Në procedurën e shkallës së parë u dënuan me burgim, të cilat u anuluan nga Gjykata e Apelit, ndërsa çështja është kthyer në rigjykim.

Beçiq dhe Milatoviç

Aleksa Beçiq hyn në garën zgjedhore si kryetar i demokratëve, një nga partitë fituese në zgjedhjet e gushtit 2020, pas së cilës u zgjodh kryetar i Parlamentit dhe u shkarkua 16 muaj më vonë.

Beçiq edhe pse i ri, prej kohësh është në skenën politike. Ai ishte anëtar i Partisë Popullore Socialiste për një dekadë, të cilën e braktisi në vitin 2015 dhe themeloi demokratët.

Jakov Milatoviç është një nga liderët e Lëvizjes “Evropa Tani”, një parti joparlamentare, të cilën e themeloi me kolegun e tij Milojko Spajiç. Milatoviç dhe Spajiç janë ish-ministra në qeverinë e Zdravko Krivokapiçit. Milatoviç, i cili në atë qeveri mbulonte resorin e ekonomisë, së bashku me Spajiçin filluan programin e reformës tatimore “Evropa Tani”, sipas të cilit partia u emërua më vonë.

Në bazë të këtij programi i rritën pagat, minimalen nga 222 në 450 euro ndërsa mesataren nga 530 në 670 euro. Këto lëvizje u sollën atyre popullaritet mes qytetarëve ndërsa ekonomistët paralajmëruan se ky program i shkakton dëme arkës së shtetit dhe mund ta çonte Malin e Zi drejt “skenarit grek”.

Vuksanoviç-Stankoviç, e vetmja grua në garën zgjedhore

Deputetja e PSD (Partia Social Demorartike), Draginja Vuksanoviç-Stankoviç është e vetmja femër në garën zgjedhore për kreun e shtetit. Ajo ishte tashmë kandidate e partisë së saj në zgjedhjet e vitit 2018, kur fitoi rreth 8 për qind të votave në raundin e parë. Ajo njihet si një nga deputetet më aktive në Parlament ndërsa ishte edhe kryetare e partisë së saj.

Goran Daniloviç, kandidat për kryetar të shtetit, është lider i Malit të Zi të Bashkuar. Bëhet fjalë për një parti që mbledh kryesisht qytetarë të orientuar pro-serbë. Prej disa mandatesh është deputet në Parlamentin e Malit të Zi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button