Debat: Provimet ende i paraqesim me fletëparaqitje të printuara, mjetet digjitale në procesin mësimor janë diçka e rrallë

Për tu regjistruar në fakultet dokumentet pranë administratës së fakultetit duhet t’i dorëzosh si kopje në letër, për t’ju nënshtruar provimit tek profesori duhet të kesh edhe fletërparaqitje në letër, ndërsa për të nxjerrë një biletë autobusi pa pagesë duhet të çosh një vërtetim të printuar se je student. Nga ana tjetër, përdorimi i mjeteve digjitale në procesin mësimor është diçka e rrallë, ndërsa diskutimet që u zhvilluan kohëve të fundit kryesisht kishin të bënin me atë nëse do kemi libra digjitalë në format PDF ose të printuar në letër, që është tema më pak e rëndësishme për diskutim. Këto ishin vetëm disa nga konstatimet e debatit të djeshëm për të rinj “Digjitalizimi në arsim” i organizuar nga Fondacioni Metamorfozis e që u mbajt në “Public Room”, transmeton Meta.mk.

Për atë se deri ku është digjitalizimi në arsimin e lartë, sidomos në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), në debat foli Prof. d-r. Hristina Spasevska, prorektore për arsim pranë UKM-së.

Foto: Meta.mk

Ajo fillimisht theksoi se UKM-ja dallon nga universitetet e tjerë, sepse universitetet e tjerë kanë gjithsej aq studentë sa ka studentë vetëm në një nga fakultetet më të vegjël në UKM. Spasevska theksoi se UKM-ja ka 28 njësi, mbi 25.000 studentë dhe nga 3.000 deri më 4.000 profesorë, përfshirë këtu ata që nuk janë në këshillat arsimore-shkencore, që do të thotë se paraqet një sistem kompleks për digjitalizim.

Pandemia e COVID-19 ndikoi që për një periudhë prej rreth 10 ditësh të duhet t’i pështaten mënyrës së mësimit në distancë, ndërsa përfitimet e mësimit online tashmë janë evidente dhe prorektorja Spasevska mendon se do të përdoret edhe në të ardhmen, sidomos kur ftohen të ftuar nga jashtë vendi për të marrë pjesë në mësim.

Ajo tha se korona e ka detyruar UKM-në që shumë shpejt të mendojnë për një digjitalizim të plotë, duke shtuar se gjithë atë që e kanë bërë deri më tani e kanë bërë me burime financiare dhe teknike të universitetit.

UKM-ja në fillim të vitit 2021 kanë marrë vendim për të pasur një koncept për digjitalizim në të gjitha fushat dhe se kanë një plan se si do të zhvillohet digjitalizimi, theksoi prorektorja Spasevska.

Ajo theksoi se krahas mësimit në Teams, studentët kanë kërkuar edhe një sistem për mësim online, kështu që universiteti më i vjetër ka punuar shumë me burime vetanake për ta bërë plotësisht funksional sistemin iLearn, i cili tashmë është i pranuar dhe përdoret në 7 fakultete në kuadër të UKM-së.

Krahas iLearn Spasevska foli edhe për platformën iKnow të UKM-së e cila ekziston tashmë dhjetë vite. Buxheti për krijimin e kësaj platforme ka qenë mbi 1 milion euro. Për momentin ky sistem nuk do të ndryshohet, por do të avancohet, ndërsa vetë platforma është idejuar që të paraqesë një indeks elektronik. Megjithatë, prorektorja Spasevska tha se për shkak të rrezikut nga hakerimi dhe për shkak të ligjeve për punën e arkivit në vend, në UKM provimet ende paraqiten me fletëparaqitje të printuara.

Prorektorja për mësim në UKM tha se edhe këtë semestër veror tre fakultete (FETI, FShIIK dhe Fakulteti i Farmacisë) mundësojnë pagesë plotësisht online, ndërsa nga sot pagesat e studentëve kanë filluar të bëhen edhe në fakultetet e tjerë.

Digjitalizimi është një proces i kushtueshëm, dhe jo vetëm që është i kushtueshëm , por pas disa vitesh duhet ta zëvendësoni. Duhet të kemi parasysh se sistemin iKnow për pak kohë do duhet ta ndryshojmë”, thotë prorektorja Spasevska.

Ajo shtoi se në UKM dy vjet kanë organizuar regjistrime online dhe se të gjithë studentët kanë pasur mundësi që dokumentet e regjistrimit t’i dorëzojnë në formë elektronike.

Në pyetjen e njëjtë, për atë se deri ku është procesi i digjitalizimit të UKM-së, kryetari i Parlamentit Studentor Universitar pranë UKM-së, Sllavço Temellkovski, në debatin e djeshëm tha se sistemet iKnow dhe iLearn kanë shumë përparësi, por një nga mangësitë është refuzimi nga profesorët më të moshuar për të kaluar në këtë sistem.

Ajo që u pengon studentëve, thotë Temellkovski, është se ne jemi një nga vendet e rralla që përdor sistem paralel, gjegjësisht vazhdojmë me dokumentimin në letër i cili është një përditshmëri e studentëve.

“Sipas meje për momentin mungon vetëm veprim për të kaluar drejt digjitalizimit të plotë”, thotë Temellkovski, duke shtuar se dokumentimi në letër duhet të hiqet. Si shembuj konkretë që duhet të digjitalizohen ai theksoi se në UKM nuk përdoret indeksi elektronik, ndërsa fletëparaqitjet për provimet dhe pagesat në fakultete nuk mund të bëhen online.

Temellkovski shton se tema e digjitalizimit hapet më së shumti në ato momente kur kemi regjistrime nëpër fakultete, ndërsa këtë vit u krijuan radhë të gjata për regjistrimin e studentëve në FShIIK, që është pikërisht fakulteti i teknologjive informatike. Shpejtësia, efikasiteti dhe efektiviteti janë qenësore dhe prandaj duhet hequr dokumentimi në letër, thotë kryetari i PSU-së pranë UKM-së.

Ai e hapi edhe çështjen e nevojës së të gjithë fakulteteve të UKM-së për ta përdorur sistemin iLearn, e jo vetëm shtatë apo tetë nga ato.

Në temën se deri ku është procesi i digjitalizimit, por nga këndvështrimi i nxënësve të shkollave të mesme, në debatin e djeshëm foli edhe Anisija Ugrinovska, kryetare e Organizatës për dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme (OADNShM).

Foto: Meta.mk

Kryetarja e kësaj organizate theksoi se ditari elektronik është treguar si i dobishëm për nxënësit dhe prindërit për ndjekjen e suksesit në mësim. Gjithashtu, regjistrimet online nëpër shkolla janë treguar si mjaft të nevojshme dhe të dobishme, tha Ugrinovska. Sipas saj, duhet të bëhet një ndarje mes mësimit digjital dhe proceseve digjitale. Pikërisht tek këto të fundit ajo mendon se kemi një hapësirë të madhe për avancim.

Sa i përket temës së fundit aktuale për zbatimin e librave elektronikë në arsimin fillor dhe të mesëm që u prit me një rezistencë nga një pjesë e publikut, kryetarja e Organizatës për dialog dhe afirmim të nxënësve të shkollave të mesme tha se ata si nxënës janë të gatshëm që t’i përdorin librat elektronikë deri në pikën ku ata nuk do e dominojnë procesin mësimor.

“Ne jemi të gatshëm t’i përdorim si mjete ndihmëse siç edhe janë të dedikuara edhe vetë librat e printuar, por të mos e zëvendësojnë vetë procesin mësimor nëpër shkolla dhe atë që është në librat e shtypur”, deklaroi Anisija Ugrinovska.

Në debat tre bashkëfolësve nxënësit e shkollave të mesme dhe studebtët u parashtruan edhe disa pyetje aktuale.

Foto: Meta.mk

Një nga pyetjet ishte pikërisht se sa në të vërtetë është e nevojshme që fletëparaqitjet për provimet të jenë në letër, si dhe regjistrimi nëpër sportelet e administratës së fakulteteve.

Prorektorja për mësim në UKM, Hristina Spasevska tha se ekziston ligj për punën e arkivave, sipas të cilit në vendin tonë është obligative që të udhëhiqen dhe arkivohen dokumente të printuara. Tek shërbimet studentore në fakultete ka një rezistencë në këtë aspekt, thotë Spasevska, sepse fletëparaqitjet të cilat studentët i dorëzojnë online, shërbimet studentore duhet t’i printojnë dhe t’i vendosin në dosjet e studentëve. Tek disa fakultetet, siç është FShIIK, ku ka mbi 4.000 studentë, për t’i printuar të gjitha ato dokumente nevojiten burime njerëzore.

Në debat studentët u interesuan edhe për aksesueshmërinë e librave elektronik në gjuhën angleze, por edhe për atë se pse sistemi i UKM-së ofron qasje vetëm tek ato libra për lëndët të cilat janë pjesë e programit të studimeve, e jo edhe te librat për të cilat kanë interes. U theksua shembulli për studentët e Fakultetit të Ekonomisë, të cilët ndonjëherë kanë nevojë për konsultë në lidhje me literaturën juridike, ose e kundërta, studentët e Fakultetit Juridik kanë nevojë për literaturë nga ekonomia.

Prorektorja për mësim në UKM sqaroi se publicistika elektronike është në dispozicion për të gjithë të interesuarit në ueb-faqen e universitetit, ndërsa përmes platformave të tyre studentët i kanë në dispozicion të gjitha librat nga biblioteka digjitale edhe pas marrjes së një provimi konkret.

Një nga pyetjet që iu parashtrua prorektores për mësim në UKM ishte edhe për vërtetimet të cilat studentët deri më tani duhej t’i kishin marrë që të kenë të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe transportit publik falas. Spasevska tha se UKM-ja tashmë ia dërgon Fondit të Sigurimit Shëndetësor listat e studentëve të regjistruar, ndërsa me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës po punojnë në këtë hap. Ata punojnë edhe me transportin publik, por kanë probleme teknike që nuk janë nga ana e tyre, por dëshirë e tyre mbetet që edhe atje ta dërgojnë online listën e studentëve të regjistruar që të mos ketë nevojë të japin vërtetime me shkrim.

Një diskutim serioz mes publikut dhe folësve në debat u zhvillua edhe rreth çështjes për atë se sa mjete janë të nevojshme për zbatimin e digjitalizimit në arsim. Për dallim nga prorektorja për mësim në UKM, kryetari i Parlamentit Studentor Universitar pranë UKM-së tha se ekziston pajtueshmëri se buxheti për digjitalizim është i lartë, por poenta është se pas atij investimi të madh fillestar, do eliminohen shumë shpenzime që kanë ekzistuar paraprakisht, dhe për këtë është me rëndësi që ky proces të fillojë.

Prorektorja për mësim në UKM, Hristina Spasevska u ndal tek nevoja përdorimit të mjeteve digjitale nëpërmjet të cilave studentët vizualisht do mund t’i shohin proceset në kompanitë, për të parë se si punohet në to. Spasevska sqaroi se kjo është një gjë e domosdoshme për kuadro punëtore kompetente në të ardhmen. Bashkë me këtë në UKM përdoren edhe pajisje bashkëkohore për ushtrime laboratorike, tha Spasovska, të cilat janë të domosdoshme për mësimin e proceseve të cilat sot nuk mund të sqarohen me ndihmën e dërrasës së zezë, ose me fjalë nga ana e profesorëve.

Përndryshe, debati i djeshëm rinor për digjitalizimin e arsimit u organizua nga Fondacioni Metamorfozis, në sinergji me projektin “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i cili është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Projekti “Lajme të besueshme për një rini të aftësuar”, i financuar nga Ambasada Britanike në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button